Ballina Bota Analiza ANALIZA: E vërteta dhe pasojat virale

ANALIZA: E vërteta dhe pasojat virale

Mbikëqyrja e duhur e kërcënimeve potenciale katastrofike të shëndetit publik kërkon njohuri dhe transparencë, brenda dhe midis vendeve. Siç na tregon edhe njëherë pandemia vdekjeprurëse COVID-19, e vërteta shpëton jetë.

Nga Chris Patten

Nga të gjitha sfidat me të cilat janë përballur njerëzit për mijëra vjet, sëmundja ka qenë gjithmonë një armik brutal dhe i shkathët.

Ndikimi i sëmundjes ka formësuar historinë. Amerindianët u shkatërruan nga sëmundjet që pushtuesit spanjoll sollën në Meksikë dhe Amerikën e Jugut. Në poezinë e John Keats flitej për sëmundje vrastare si: lija, fruthi, gripi dhe tifoja.

Ndryshe nga europianët, popullsia vendase në Botën e Re nuk kishte kaluar disa mijëra vjet duke evoluar me kafshët dhe sëmundjet e tyre. Si rezultat, popullsia indigjene e Amerikës u zvogëlua me rreth 90 për qind në shekullin e XVI dhe XXVII.

Në Europë, nga ana tjetër, luftimi i një sëmundje ishte një element formues në rritjen e autoritetit politik dhe qeverisjes së shtetit në fund të Mesjetës dhe në fillim të periudhës së Rilindjes.

Murtajat vdekjeprurëse si Vdekja e Zezë i detyruan autoritetet në qytetet e Italisë veriore dhe gjetkë të kundërluftonin me higjienë publike të detyruar dhe karantina. Anglia e Henrit VIII dhe shtetet e tjera europiane krijuan spitale izolimi. Më vonë, Shtetet e Bashkuara zhvilluan shërbime të shëndetit publik pjesërisht për të luftuar ethet e verdha dhe epidemitë e tjera.

Fushatat ushtarake gjithashtu shoqëroheshin me sëmundje. Gjenerali kryesor i Napoleonit, Marshal Ney, shkroi se “Gjenerali uri dhe Gjenerali dimër” reduktuan ushtrinë franceze që marshonte drejt – dhe më pas u tërhoq – Moskës në vitin 1812. Por “Gjenerali tifo dhe gjenerali tuberkuloz” luajtën gjithashtu rolet e tyre.

Sëmundja mund të jetë dinake dhe e paepur. Pavarësisht përpjekjeve të njerëzimit, pandemitë e gripit e kanë prekur ëbotën mesatarisht tre herë në shekull gjatë 500 viteve të fundit.

Më vdekjeprurësja nga këto ishte ai që u quajt gabiisht “Gripi Spanjoll” i vitit 1918, rasti i parë i të cilit u regjistrua në Kansas. Kjo pandemi mund të ketë vrarë më shumë se 50 milionë njerëz në të gjithë botën, më shumë sesa numri që vdiq në Luftën e Parë Botërore.

Pra, me koronavirusin e ri COVID-19 që sulmon tani botën, çfarë mund të mësojmë nga përvoja e kaluar.

Mbi të gjitha, ne e dimë se problemet globale kërkojnë zgjidhje globale. Kjo nënkupton koordinim të studimeve shëndetësor dhe vënien në dispozicion të burimeve për vendet e varfëra për të zhvilluar sistemet e tyre shëndetësore – një qasje që tashmë ka rezultuar e efektshme në trajtimin e malaries.

Për më tepër, Organizata Botërore e Shëndetësisë duhet të luajë rolin kryesor për të na mbrojtur nga sëmundje epidemike, sidomos duke u përqëndruar, së bashku me qeveritë kombëtare, në mbikëqyrjen e sëmundjeve dhe dhënien e paralajmërimeve.

Në fakt, hulumtimi i kujdesshëm shkencor është thelbësor për “menaxhimin e mikrobeve” – ​​siç ishte, për shembull, në luftën kundër kolerës në mes të shekullit të 19-të në Londër.

Në atë kohë, një mjek i quajtur John Snow endej nëpër qytet duke kataloguar rastet e sëmundjes. Duke përdorur gjeografinë dhe statistikat, Snow ndihmoi në nxitjen e një zhvendosje nga përqendrimi thjesht te shëndeti individual dhe trajtimi i simptomave tek njohja e rëndësisë së shëndetit dhe sjellja më e gjerë e popullatave të tëra.

Snow gjithashtu u përqendrua te mësimi i së vërtetës nga faktet. Në të njëjtën mënyrë, luftimi i pandemisë COVID-19 kërkon jo vetëm ndryshimin e modeleve të sjelljes sociale nëpërmjet masave si izolimi dhe kufizimet e përkohshme të udhëtimeve, por publikut duhet gjithashtu t’i thuhet e vërteta. Njerëzit duhet të dinë në kohën e duhur se çfarë po ndodh dhe çfarë duhet të bëjnë.

Kjo është arsyeja pse ne duhet të jemi shumë mirënjohës për përkushtimin dhe angazhimin heroik të kaq shumë mjekëve dhe punonjësve kinezë të shëndetësisë në luftën kundër këtij virusi të ri vrasës. Lufta e tyre e guximshme ka qenë një luftë për të gjithë ne.

Liderët komunistë të Kinës, nga ana tjetër, tani duhet të përballen me disa pyetje serioze.

Kur një pneumoni e quajtur SARS – sindroma e rëndë respiratore akute – shpërtheu në Kinën jugore në nëntor 2002, autoritetet qendrore në Pekin e fshehën këtë fakt për muaj me radhë. Ndoshta jo rastësisht, një lider i ri kinez, Hu Jintao, do të vinte në detyrë në pranverën 2003.

Shtypja e fortë e Partisë Komuniste të Kinës për raportimin në lidhje me shpërthimin e këtij virusi dhe vonesa e saj në informimin e OBSH-së, mund të ketë pasqyruar vendosmërinë e saj për të shmangur largimin e vëmendjes nga ngritja në detyrë e Hu-së.

Ishte kinezi Jiang Yanyong ai që ndihmoi në zbulimin e këtij sekreti. Aksioni ndërkombëtar më vonë pengoi që epidemia e SARS të shndërrohej në një pandemi. Po të mos ndodhte kjo, në botë do të kishte pasur shumë më tepër raste dhe fatalitete.

Por kur vitin e kaluar u shfaq koronavirusi i ri, liderët komunistë të Kinës për fat të keq duket se nuk kishin nxjerrë asnjë mësim nga ai episod i mëparshëm.

Një tjetër mjek i guximshëm, Li Wenliang, dhe disa nga kolegët e tij u përpoqën të paralajmëronin për virusin e ri në Wuhan dhjetorin e kaluar. (Disa raporte, për shembull në South Morning Post të Kinës Jugore, sugjerojnë se kishte shqetësime në rritje për zbulimin e tij edhe më herët.) Por Li dhe bashkëpunëtorët e tij u heshtën nga policia dhe u kërcënuan me ndëshkim nëse nuk heshtnin.

Jeta në Wuhan kështu vazhdoi normalisht ndërkohë që epidemia përhapej. Miliona njerëz u larguan nga qyteti dhe krahinat përreth për festimet e Vitit të Ri kinez – festime që përfunduan me shumë funerale, përfshirë atë të doktor Li-së.

Hulumtimet nga Universiteti Southempton sugjerojnë se masat më të hershme nga autoritetet kineze do të kishin ulur në mënyrë dramatike shkallën e infeksioneve.

Sëmundja është një vrasës. Po ashtu është edhe fshehtësia e një regjimi totalitar, siç është ai i kryesuar nga presidenti kinez Xi Jinping, i cili censuroi dhe mbylli rrjetet sociale kur ata raportuan se çfarë po ndodhte në të vërtetë në Wuhan.

Mbikëqyrja e duhur e kërcënimeve potenciale katastrofike të shëndetit publik kërkon njohuri dhe transparencë, brenda dhe midis vendeve. Siç na tregon edhe njëherë pandemia vdekjeprurëse COVID-19, e vërteta shpëton jetë.

Project Syndicate-Birn

@tn.lajmelokale
@tetovanews