Ballina Bota Analiza ANALIZA: E gjithë bota është në luftë

ANALIZA: E gjithë bota është në luftë

Vendet perëndimore po hapin më në fund sytë para shkallës së gjerë të krizës që ka shkaktuar COVID-19 dhe tani duhet të ndërmarrin masa të gjera. Të gjitha vendet duhet të ndjekin shembullin e Kinës në përballjen me koronavirusin me të gjitha burimet e disponueshme. Ata duhet të mësojnë gjithashtu nga Gjermania përsa i takon menaxhimit të pasojave ekonomike.

Nga Hans-Werner Sinn

Lufta kundër COVID-19, është një luftë e mirfilltë. Kina duket se e ka fituar betejën e parë. Hong Kongu, Tajvani, Singapori dhe Japonia, kanë pasur gjithashtu suksese të dukshme në zbutjen e përhapjes së epidemisë, pa dyshim për shkak të përvojave të tyre të mëhershme në trajtimin e epidemisë SARS-it në vitin 2003. Nga ana tjetër, Europa dhe Shtetet e Bashkuara, po zgjohen tani nga iluzionet e tyre të paprekshmërisë. Për pasojë, epidemia tani po përhapet gjerësisht në të gjithë Perëndimin.

Vendi perëndimor më i goditur deri më tani është Italia, që ka lidhje veçanërisht të forta ekonomike me Kinën. Italia e Veriut është aktualisht Ëuhan-i i ri (mega qyteti kinez, ku u shfaq për herë të pare koronavirusi). Me mbingarkimin e sistemit shëndetësor, qeveria italiane ka marrë masa drastike, duke pezulluar ekonominë e shitjeve me pakicë dhe duke futur në karantinë të gjithë vendin. Të gjitha dyqanet, përveç farmacive dhe dyqaneve ushqimore, janë të mbyllura. Njerëzit janë urdhëruar të qëndrojnë në shtëpi. Ata mund të hyjnë në vende publike vetëm për blerje të domosdoshme apo udhëtime për arsye pune. Shumë detyrime publike dhe private (të tilla si qiratë e banesave dhe pagesat e kredive) janë pezulluar. Italia po përpiqet të ngadalësojë orën ekonomike derisa koronavirusi të zhduket.

Ndërkohë, edhe pse deri më tani Gjermania ka pasur shumë pak vdekje nga koronavirusi, numri i rasteve të rejave po rritet shumë shpejt sesa kudo tjetër. Në përgjigje të krizës, qeveria gjermane ka vënë në zbatim punën me kohë të pjesshme në shumë sektorë, si dhe ka dhënë shumë ndihma sociale, apo shtyrje të pagesës së taksave për kompanitë që janë më të prekura. Aktivitetet publike në mbarë vendin janë anuluar. Nxënësve të shkollave u është thënë të qëndrojnë në shtëpi. Austria ka kohë që e ka mbyllur kufirin e saj me Italinë. Shkollat, universitetet dhe shumica e dyqaneve austriake janë mbyllur. Franca ndoqi në fillim një qasje më të butë, por tani dhe ajo ka mbyllur shkollat, restorantet dhe dyqanet, siç ka bërë edhe Spanja. Danimarka, Polonia dhe Republika Çeke kanë mbyllur kufijtë e tyre me Gjermaninë.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare. Kongresi ka aprovuar një fond emergjence prej 8.3 miliardë dollarësh, për të financuar përpjekjet për të frenuar përhapjen e epidemisë. Shuma akoma më të mëdha janë në pritje për t’u miratuar nga Senati. Qeveria federale ndaloi hyrjen në SHBA të udhëtarëve të huaj, në fillim nga Kina dhe Irani, dhe së fundmi nga Europa.

Por në nivel global, jo të gjitha përgjigjet ndaj krizës kanë qenë të mirëmenduara, ndërsa disa nuk kanë qenë mjaftueshëm të forta. Ajo që është më shqetësuese, disa qeveri e kanë bindur veten se munden vetëm ta ngadalësojnë përhapjen e virusit, në vend që të ndërmarrin hapat e nevojshëm për ta ndaluar atë plotësisht. Mbipopullimi i parashikuar i spitaleve në shumë zona të prekura ka ekspozuar që tani marrëzinë e një vetëkënaqësie të tillë.

Në frontin ekonomik, një recesion i rëndë është tashmë i pashmagshëm dhe disa ekonomistë po bëjnë thirrje që qeveritë të ndërmarrin masa urgjente për të rritur kërkesën. Por ky rekomandim është i papërshtatshëm, duke pasur parasysh që ekonomia globale po vuan nga një tronditje e paparë në zinzhirin e furnizimit. Njerëzit nuk janë në punë, pasi janë ose të sëmurë ose në karantinë. Në një situatë të tillë, stimulimi i kërkesës do të nxisë inflacionin, duke çuar potencialisht në stagflacion (rritje e dobët ose rënie e Prodhimit të Brendshëm Bruto krahas rritjes së çmimeve), siç ndodhi gjatë krizës së naftës në vitet 1970.

Ndërkohë, edhe masat që synojnë anën e kërkesës mund të jenë kundërproduktive, pasi ato do të inkurajojnë kontaktin ndërnjerëzore, duke e dëmtuar kështu përpjekjen për të kufizuar transmetimin e virusit. Ç’të mirë do të kishte t’i japësh italianëve para për të bërë pazare, kur qeveria ka mbyllur dyqanet dhe i detyron ata të gjithë të qëndrojnë në shtëpi?

Të njëjtat argumente vlejnë edhe për forcimin e likuiditetit. Bota është tashmë deri në fyt me paratë e thata, me normat e interesit që janë gati kudo afër zeros ose nën zero. Më shumë ulje e normave të interesit në një vend nën karantinë mund të ndihmojë disi bursat, por mund të sjellin gjithashtu një fluks të madh parash të thata.

Rënia drastike në veprimtaritë ekonomike, që kërkohet nga epidemiologët, e bën të pashmangshëm rënien e tregjeve të aksioneve, duke pasur parasysh që politika e bankave qendrore shkaktoi një lloj flluske të paqëndrueshme një dekadë më parë. Për shkak se e përdorën “municionin” e tyre në momente jo të përshtashme, bankat qendrore mbajnë përgjegjësi për “flluskën” që ka plasur tani.

Ato që nevojiten vërtet janë masat fiskale për shpëtimin e kompanive dhe bankave nga falimentimi, në mënyrë që ato të mund ta marrin veten shpejt pasi të mbarojë pandemia. Politikëbërësit duhet të marrin në konsideratë forma të ndryshme lehtësimi fiskal dhe dhënien e garancive publike për t’i ndihmuar kompanitë të marrin kredi të lira nëse e kanë të nevojshme. Por opsioni më premtues është një kompensim përmes lejimit të punës me kohë të pjesshme. Kjo qasje, e cila është provuar dhe testuar në Gjermani, kompenson mungesën e fuqisë punëtore përmes të njëjtave kanale që janë përdorur tashmë për sigurimin e papunësisë. Më mirë akoma, kjo gjë nuk kushton thuajse asgjë, pasi parandalon humbjet që do të ndodhnin nga rritja e papunësisë reale. Të gjitha vendet duhet ta kopjojnë këtë praktikë gjermane, për të parandaluar humbjet e vendeve të punës.

Por, më e rëndësishmja, të gjitha qeveritë duhet të ndjekin shembullin e Kinës në ndërmarrjen e veprimeve të drejtpërdrejta kundër COVID-19. Askush nga ata që është në frontin e parë të betejës nuk duhet të kufizohet nga mungesa e fondeve. Njësitë e kujdesit intensiv nëpër spitale duhet të shtohen, duhet të ngrihen spitale të përkohshme dhe respiratorët, veshjet mbrojtëse dhe maskat duhet të prodhohen në masë dhe të vihen në dispozicion të të gjithë atyre që kanë nevojë për to. Përveç kësaj, autoriteteve të shëndetit publik duhet t’u jepen burimet dhe fondet e nevojshme për dezinfektimin e fabrikave dhe hapësirave të tjera publike. Higjiena është në rendin e ditës. I rëndësishëm është sidomos testimi në shkallë të gjerë i popullatës. Identifikimi i secilit rast mund të shpëtojë shumë jetë. Dorëzimi ndaj pandemisë thjesht nuk është një opsion.

Project Syndicate-Birn

@tn.lajmelokale
@tetovanews