Ballina Koronavirusi A ndikon Ibuprofen në përshkallëzimin e COVID-19? Debati nga i cili po...

A ndikon Ibuprofen në përshkallëzimin e COVID-19? Debati nga i cili po “zien” Europa

Një “cicërimë” e ministrit francez të Shëndetësisë, Olivier Veran, në faqen e tij në Twitter se marrja e anti-inflamatorëve (ibuprofen, kortizon …) mund të jetë një faktor rëndues për Covid-19 zgjoi debatin mes ekspertëve në Europë nëse duhej marrë me rezerva apo jo.

Në Twitter-in e tij ky ishte postimi më i klikuar. Kishte folur në fakt për ibuprofen, një medikament i familjarizuar për këdo, që përdoret në masë nga njerëzit për të pakësuar dhimbjet, ulur temperaturën e lartë dhe për të frenuar inflamacionin që në fillim të herës.

Paralelisht debatit se si duhej kuptuar komenti i ministrit Veran; si këshillë, masë paraprake apo udhëzim i domosdoshëm, në një tjetër vend të Europës, Vjenë, ishte shpërndarë jo zyrtarisht një raport i hartuar kryesisht mbi të dhëna eksperimentale, që indicie kishte pacientët e prekur me Covid-19 në Kinë.

Në disa prej gjetjeve aludohej se pacientët në gjendje më të rënduar nga virusi ishin trajtuar më parë në dozë të madhe me ibuprofen për dhimbje të ndryshme.

Të dhënat adresoheshin si studim shkencor i Universitetit të Mjekësisë në Vjenë. Me shpejtësinë e erës, ky lajm u përgënjeshtrua nga vetë Universiteti i Vjenës si, lajm i rremë: “Disa kërkime të përcjella përmes WhatsApp apo mesazh zanor për një lidhje mes Ibuprofen dhe Covid-19 nuk kanë të bëjnë me Universitetin e Mjekësisë në Vjenë”.

Në këtë debat u përfshi edhe Gjermania. Gazeta farmaceutike gjermane në faqen e saj zyrtare online shpjegon se të gjitha janë supozime eksperimentale dhe akoma të pa konfirmuara shkencërisht

Debati fokusohet tek receptorët ACE2 që janë përcaktuar si nyje lidhëse të organizmit me virusin SARS-CoV dhe SARS-CoV-2 dhe ndikimi që Ibuprofen ka në to.

ACE2 janë receptorë që gjenden kryesisht në enët e gjakut, në zemër dhe në veshka duke pasur ndikim mbi presionin arterial.

Edhe CNN publikoi një artikull nxitur nga komenti i ministrit francez të Shëndetësisë. CNN citon një studiues infeksionist me eksperiencë, Muge Cevik, që thotë se deri më tani nuk ka asnjë provë shkencore që ibuprofen të përshkallëzojë Covid-19.

Sipas CNN, ekspertë të tjerë e lidhën qëndrimin e ministrit francez me disa udhëzime të përgjithshme të disa vendeve për qetësuesit anti-inflamator siç është edhe ibuprofen, por vunë në dukje se lidhja mes tij dhe koronavirusit nuk ishte e qartë.

Deri më tani ibuprofen është komentuar nga ekspertë të fushës për disa efekte anësore që mund të ketë si acarim të stomakut apo veshkave tek disa njerëz të caktuar.

Mbrëmë në “Open” foli shkurt edhe mjeku infeksionit, Pëllumb Pipero. Ai sugjeroi që ibuprofen të merret në dozë të përcaktuar gjithnjë me recetë mjeku sa kohë që ai që e merr nuk ka probleme me stomakun. (SI)

VIDEO bonus:
Loading...