Ballina Aktualitet Zaevi premtoi 100 mijë vende të reja pune, 36 mijë denarë pagë...

Zaevi premtoi 100 mijë vende të reja pune, 36 mijë denarë pagë mesatare dhe 18 mijë pagë minimale

100 mijë vende të reja të punës në tërë mandatin katërvjeçar, premtoi dje lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, duke e paraqitur programin ekonomik në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, njofton Portalb.mk.

Zaevi paralajmëroi mbështetje prej 600 milionë eurove për biznesin, gjegjësisht 300 milionë euro mbështetje për investimet e brendshme dhe të huaja dhe 300 milionë euro mjete evropiane për zhvillim të ekonomisë së brendshme.

Me këtë, ashtu siç tha Zaev, papunësia e cila është 17,1% do të ulet në 8%, gjegjësisht nën 20% te të rinjtë, që është tani 35%.

Zaev tha se në mandatin e ri do të propozojë rritje të rrogave, gjegjësisht rroga mesatare do të rritet në 36 mijë denarë, ndërkaq ajo minimale në 18 mijë denarë.

Një pjesë e planeve që i ka paraqitur janë edhe për 20% rroga më të mëdha në arsim dhe shëndetësi, avancim të kushteve për punë në industrinë e Teknologjisë Informatike në të cilin sektor premtohet se do të ulet tatimi personal në 0% në vitin 2023.

“Në mandatin e ardhshëm 4-vjeçar do të kemi kërcim të madh të ekonomisë sonë, do ta ulim papunësinë dhe do t’i rrisim rrogat. Edhe më shumë i përkrahim ndërmarrjet e brendshme, ndërkaq me anëtarësimin në NATO do të sjellim investime të huaja”, tha Zaev.

@tn.lajmelokale
@tetovanews