Ballina Shëndeti Rrjetet sociale ”infektohen” nga kurat dhe teoritë e rreme për COVID-19

Rrjetet sociale ”infektohen” nga kurat dhe teoritë e rreme për COVID-19

Kurat mrekullibërëse të teorive të konspiracionit, dezinformimi rreth koronavirusit të ri në shumë platforma dixhitale, të cilat po përpiqen të përballojnë krizat të këtij lloji, lehtësojnë përhapjen e informacionit të rremë.

Vaj susami për t’u imunizuar, eksod i kinezëve, virus i projektuar nga një laborator në Wuhan… Pra, shumë thashetheme janë përhapur javët e fundit në rrjetet sociale.

“Shumicës së atyre që fshihen pas këtyre lajmeve të rreme nuk iu intereson nëse ju i besoni apo jo. Ata thjesht e përdorin këtë epidemi si mjetin ideal për të arritur qëllimet e tyre, pavarësisht nëse gjenerojnë të ardhura apo ngjallin mosbesim”, thotë Carl Bergstrom, një profesor në Universitetin e Uashingtonit dhe një specialist i dezinformimit online.

Disa persona duan të shesin produkte dhe përpiqen t’i bëjnë njerëzit të besojnë se kanabisi bën të mundur imunizimin kundër virusit.

Të tjerët kërkojnë të rrisin shikimet dhe klikimet, nga të cilat gjenerojnë të ardhura nga reklamat.

“Dhe më pas, keni operacionet e vazhdueshme për të dobësuar demokracitë dhe të japin përshtypjen se askujt nuk mund t’i besohet”, shton Carl Bergstrom.

Zyrtarët amerikanë thonë se mijëra llogari të lidhura me Rusinë në Twitter, Facebook dhe Instagram po përhapnin dezinformata antiamerikane në lidhje me koronavirusin e ri për të krijuar mosmarrëveshje. Moska e ka mohuar.

Infodemi masive

Teoritë e shpërndara përfshijnë idenë se virusi u krijua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës duke rikujtuar përpjekjet e KGB-së për t’i bërë njerëzit të besojnë se, gjatë Luftës së Ftohtë, edhe HIV-i u shpik nga shkencëtarët amerikanë.

Menjëherë pasi dalin, teoritë e konspiracionit përhapen gjithnjë e më lehtë duke qenë se ekziston pasiguria mbi origjinën e sëmundjes dhe se publiku shqetësohet e kërkon shpjegime, mundësisht nëpër rrjete sociale.

Në fillim të shkurtit, OBSH e cilësoi si “infodemi masive” mbingarkesën e informacionit  të pasaktë mbi këtë çështje, gjë që ndërlikon detyrën e saj dhe atë të autoriteteve shëndetësore.

Informacionet e rreme mund të shkaktojnë panik, të tilla si nxitimi për maska kirurgjikale, shërbimet e urgjencës  të tejmbushura ose personat me simptoma që preferojnë të mos raportojnë nga frika e hakmarrjes imagjinare.

Për të koordinuar luftën kundër kësaj infodemie, OBSH-ja mblodhi 10 ditë më parë përfaqësues të grupeve kryesore të teknologjisë në selinë e Facebook-ut në Silicon Valley.

”Gjiganti i shitjeve online ‘Amazon’ ka vendosur të heqë produktet që pretendojnë në mënyrë të rreme se kurojnë koronavirusin e ri ose se mbrojnë nga infektimi”, sipas kanalit amerikan CNBC.

Facebook, Twitter dhe Google (përfshirë këtu YouTube) gjithashtu kanë forcuar politikat e tyre ekzistuese, të cilat përfshijnë heqjen e përmbajtjes që mund të jetë dëmtojë fizikisht publikun, për shembull, reklamat për kura të rrezikshme të rreme si dhe nxjerrjen në pah të mesazheve të besueshme (si ato të OBSH-së).

Një milion urithë

Rrjeti social mbizotërues gjithashtu mbështetet në ” Third party fact-checking”, programin e tij të verifikimit të palëve të treta të zhvilluar që nga viti 2016. Facebook paguan rreth 60 media në të gjithë botën, të përgjithshme ose të specializuara – përfshirë AFP-në – për përdorimin e “kontrolleve të tyre” në platformën e tij dhe në Instagram

Rrjeti social zvogëlon shumë audiencën e videove ose artikujve të etiketuar si të rremë nga këta verifikues të jashtëm

Por, Carl Bergstrom dhe Jevin West, bashkautorë të një libri të ardhshëm mbi dezinformimin, i shohin këto masa si “fashë”.

Ata denoncojnë “hipokrizinë” e platformave, algoritmet dhe modelet e biznesit të reklamimit e të cilave promovojnë përhapjen e përmbajtjes sensacionaliste ose mashtruese.

”Kjo është si loja e urithëve (“whac-a-mole”), përveç që ka një milion urithë që vijnë nga të gjitha anët dhe 5 njerëz që përpiqen t’i shtypin ato”, thotë Jevin West, profesor i shkencave kompjuterike.

Akademikë të tjerë që kanë studiuar fenomenet e dezinformimit gjatë krizave të fundit të virusit Zika dhe etheve të verdha në Brazil gjithashtu besojnë se përpjekjet për kontrollimin e fakteve mund të jenë joefektive, madje edhe kundërproduktive.

Në studimin e tyre të botuar në janar në “Science Advances” ata dalin në përfundimin se “të folurit rreth informacioneve të rrema mund të rrisë familjaritetin e tyre dhe t’i bëjë ata edhe më të besueshëm”.

VIDEO bonus:
Loading...