Ballina Bota Paniku nga virusi në Itali, Greqia merr masa urgjente në porte e...

Paniku nga virusi në Itali, Greqia merr masa urgjente në porte e aeroporte

Situata në Itali i ka vënë në alarm autoritetet greke. Më shumë se 150 njerëz janë konfirmuar me koronavirus në Itali dhe katër persona kanë humbur jetën. Greqia po merr masa emergjente në portet e Patras dhe Igoumenitsa, ku bëhet transferimi i mallrave nga portet italiane.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Shëndetësisë, dhe bazuar në të dhënat e reja epidemiologjike të koronavirusit të ri, Organizata Kombëtare greke e Shëndetit Publik (EHEA) thotë se “vazhdon veprimet e synuara për të informuar dhe rritur vetëdijen në lidhje me vizitorët e vendit të tretë në pikat hyrëse të vendit , duke shtuar masat në aeroporte dhe porte”.

Autoritetet Greke, të alarmuara nga shpërthimi i koronavirusit të ri në Italinë fqinje, janë në kontakt të përditshëm me Organizatën Botërore të Shëndetit dhe Qendrën Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) “për të vlerësuar situatën ndërkombëtarisht”, thuhet në një deklaratë të kësaj organizate.

Në Itali, rastet e koronavirusit po shtohen me ritme shqetësuese. Ndërkohë, qindra teste janë duke u realizuar mbi njerëzit që mund të kenë rënë në kontakt me pacientët dhe rezultatet priten sa më shpejt që të jetë e mundur.

Siç është raportuar, është ndaluar hyrja dhe dalja nga fshatrat dhe qytetet e konsideruara si vatra të sëmundjes. Kushdo që injoron ndalimin, do t’i nënshtrohet edhe dënimeve penale. Në Greqi ka pasur disa raste të dyshuara si të prekura nga virusi por deri tani të gjitha kanë rezultuar negative.

@tn.lajmelokale
@tetovanews