Ballina Bota Analiza Ndikimi në rënie i Perëndimit e ka lënë Ballkanin në mëshirë të...

Ndikimi në rënie i Perëndimit e ka lënë Ballkanin në mëshirë të fatit

Me politikën e jashtme amerikane në kaos dhe uljen e ndikimit të BE-së, vendet e Ballkanit përballen me një dekadë të pasigurt – jashtë çdo “rendi ndërkombëtar” të dukshëm dhe duke u mbështetur në marrëveshje me aktorë të ndryshëm.

Nga Jasmin Mujanoviq

Sa ndryshim bën një muaj në Ballkanin Perëndimor! Dy javët e fundit të vitit 2019 panë tre përplasje fizike në tre parlamente të rajonit – në entitetin e Republikës Srpska të Bosnjës, në Malin e Zi dhe në Serbi. Ky ishte një ilustrim vulgar dhe shqetësues i shkallës së rënies demokratike në rajon.

Por janari i vitit 2020 gjithashtu ka parë dy progrese të dukshme në dialogun Kosovë-Serbi. Të mbikëqyrur nga i dërguari i ri i Shteteve të Bashkuara Richard Grenell, Beogradi dhe Prishtina kanë rënë dakord të rivendosin e tyre lidhjet ajrore dhe hekurudhore.

Të dyja këto grupe ngjarjesh ngrenë një sërë pyetjesh, jo më pak e rëndësishmja nga të cilat është: A kanë lidhje këto me njëra-tjetrën dhe nëse është kështu, si?

Unë do të thosha se këto ngjarje kanë vërtet lidhje me njëra-tjetrën. Të dyja këto janë një përgjigje për rëndësinë në rënie të BE-së, dhe politikën perëndimore në tërësi, në Ballkanin Perëndimor.

Në dhjetor 2016, theksova se referendumi i Brexit dhe zgjedhja e Donald Trump si president i SHBA-së tregonin fundin e projektit Euro-Atlantik ashtu siç ai kishte ekzistuar në Ballkanin Perëndimor. Tri vitet pasuese kanë nxjerrë në pah të vërtetën e këtij vlerësimi.

Kaosi i politikave të brendshme pas vitit 2016 në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA ka shkatërruar kapacitetet e politikës së jashtme si të Londrës ashtu edhe të Uashingtonit. Ajo që mbetet nga komunitetet e tyre të politikës së jashtme mezi ka arritur tw prodhojw njw sasi tw vogwl masash rajonale.

Por nisma të tilla karakterizohen nga mungesa tipike e detajeve dhe nga mungesa e ndonjë vizioni politik, koherent, afatgjatë që mund t’i bashkojë ata në një program aktual politik.

Progresi i dukshëm i Grenell me Beogradin dhe Prishtinën tregon si për ironi se sa nevojë ka rajoni për lidershipin amerikan – siç e argumentova më parë me Molly Montgomery të Grupit Albright Stonebridge. Por është e dyshimtë nëse administrata Trump – e karakterizuar ashtu si është nga skandale dhe paaftësi – mund t’i përdorë në avantazhin e saj kushte të tilla të favorshme lokale.

Ndërkohë, britanikët duket se janë të prirur të demonstrojnë rëndësinë e tyre si një fuqi rajonale pikërisht për shkak të largimit të tyre nga BE-ja. Dhe në të vërtetë, Mbretëria e Bashkuar është angazhuar për dekada në aktivitete përtej mundësive të saj. Ka gjasa që ajo të vazhdojë ta bëjë këtë, kryesisht për shkak të marrëdhënieve të ngushta me Shtetet e Bashkuara, ekonomisë së saj të fortë dhe gjithashtu aftësive të saj ushtarake dhe të inteligjencës – sidomos në krahasim me shumicën e homologëve të saj në BE.

Por si mund të kërkojë Britania e Madhe zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor kur ajo vetë u largua nga blloku? Ajo nuk mund ta bëjë këtë. Edhe përpjekjet dashamirëse për të bërë dallimin midis realiteteve të veçanta (më e pakta) të politikave dhe ekonomive të Britanisë dhe Ballkanit Perëndimor do të bien në vesh të shurdhër në rajon.

Pra, Londra do të përfundojë thjesht, nga nevoja, duke koordinuar aktiviteteve të saj me ato të SHBA-së dhe madje edhe të BE-së. Megjithatë, Shtetet e Bashkuara janë konfuze, pavarësisht statusit të tyre si një superfuqi.

Kjo do ta linte rajonin në mëshirën e BE-së – një frazë tronditëse, nëse do të kishte ndonjëherë një të tillë.

Duhet të kujtojmë se tetorin e kaluar presidenti francez Emmanuel Macron hodhi poshtë gati dy dekada politikash të BE-së kundrejt rajonit duke bllokuar përsëri fillimin e bisedimeve të pranimit për Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Pas një kakofonie zemërimi, Macron premtoi se do të zbulojë një vizion të ri të guximshëm strategjik për rajonin, të cilin qeveria e tij e ofroi në nëntor në formën e një dokumenti jo zyrtar.

Që atëherë ka pasur heshtje. Nuk është e qartë nëse dikush tjetër në BE – mbi të gjitha gjermanët – e merr seriozisht propozimin e Macron. Por duke qenë se ky është një bllok në të cilin vendimet e mëdha merren me konsensus, kjo është e parëndësishme. Macron refuzoi gjërat e e çmuara së bashku me ato të padëshirueshmet. Siç ishte parashikuar, kaosi ka mbërritur.

Përleshjet që shënuan fundin e dekadës në legjislaturat e rajonit ishin një shembull i vogël i periudhës që do të vijë. Megjithatë, këto mosmarrëveshje treguan se sjellja dhe koha janë të rëndësishme.

Në fund të fundit, dy dekadat e kaluara panë ngjarje shumë më domethënëse në secilin prej këtyre parlamenteve – dhe pa grindje fizike. Ajo që ka ndryshuar është konteksti ndërkombëtar.

Besimi i përhapur në mesin e elitave rajonale është se “rendi ndërkombëtar liberal” ka pushuar së ekzistuari. Padyshim që nuk do të ketë më zgjerim të BE-së, të paktën jo në të ardhmen e afërt. Dhe Brukseli ka dëmtuar besueshmërinë e tij në rajon, në të cilin, për momentin, shumë pak do të derdhin lot për largimin përfundimtar të BE-së nga “lagja”.

Atëherë, e vetmja gjë që mbetet, është një marrëveshje me Perëndimin dhe pjesën tjetër, siç mund ta justifikojë situata.

Për disa shtete, si Maqedonia e Veriut dhe Bosnja dhe Hercegovina, kjo do të nënkuptojë të kapen pas anëtarësimit në NATO për të ruajtur sovranitetin dhe integritetin e tyre territorial. Për Kosovën, kjo do të përfshijë gjithashtu “marrëveshje” ad hoc – për të përdorur terminologjinë e preferuar të presidentit Trump – për të finalizuar çështjet e pazgjidhura politike.

Por duke qenë se marrëveshje të tilla “quid pro quo” do të ndodhin ekskluzivisht më vete, jashtë kornizës së një rendi gjithëpërfshirës të mbështetur nga perëndimi në rajon (më parë projekti Euro-Atlantik), aktorë të tjerë ndërkombëtarë do t’u ofrojnë elitave rajonale marrëveshjet e tyre konkurruese.

Ballkani Perëndimor i viteve 2020 dhe 2030 mund të jetë i karakterizuar nga sulme dronësh kinezë dhe teknologji njohje faciale, paraushtarakë rusë dhe sisteme raketore tokë-ajër dhe operacione turke. Oh dhe ndoshta nga vizita e çuditshme nga Komisioneri për Zgjerimin i BE-së.

Sigurisht mbeten edhe një sërë rrugëdaljesh. Por manovrimi drejt tyre do të kërkojë që shoqëria civile rajonale dhe komuniteti politik i fragmentuar i Perëndimit të bashkohen për të hartuar një kompakt të ri demokratik për Ballkanin Perëndimor. Kjo nuk ka gjasa të ndodhë këtë muaj apo tjetrin. (Birn)

@tn.lajmelokale
@tetovanews