Ballina Kronika SHIFRAT: 227 shqiptarë humbën jetën vitin e kaluar nga përplasjet me makinë,...

SHIFRAT: 227 shqiptarë humbën jetën vitin e kaluar nga përplasjet me makinë, shënohen mbi 2 mijë të aksidentuar

Mbi dy mijë shqiptarë u dëmtuan në aksidente rrugore vitin e kaluar, ndërsa 227 humbën jetën prej tyre. Shifrat e Institutit të Statistikave tregojnë se numri i të vdekurve në aksidente vitin e kaluar u rrit me 6.6%.

Për vitin e kaluar, Shqipëria regjistroi një shkallë vdekshmërie nga aksidentet rrugore në afërsisht 8 për çdo 100 mijë banorë. Vendi ynë ka një shkallë vdekshmërie nga aksidentet rrugore të krahasueshme me vendet e tjera të rajonit dhe të Europës Juglindore.

Por, ndërkohë, vdekshmëria ngelet ende e lartë në raport me vendet e Europës Perëndimore, ku ky raport është zakonisht më pak se 5 jetë të humbura për çdo 100 mijë banorë. Kjo tregon se vdekshmëria nga aksidentet duket të jetë e lidhur direkt me zhvillimin shoqëror, kulturën e zbatimit të ligjit dhe rregullave, por edhe me cilësinë e infrastrukturës rrugore.

Mbështetur në të dhënat e ekspertimeve, statistikat tregojnë se pjesa dërrmuese e aksidenteve në Shqipëri vijnë si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjetit, por në një masë të caktuar edhe të këmbësorëve. Pas disa aksidenteve të rënda me pasoja në njerëz në fillim të këtij viti, Ministria e Brendshme ka paralajmëruar ashpërsim të mëtejshëm të masave për shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor.

Veç dëmit të pariparueshëm në jetë njerëzish, aksidentet ngelen edhe burim i konsiderueshëm dëmi ekonomik, që është e vështirë të vlerësohet në të gjithë përmasat e veta. Vetëm dëmet e pagauar nga kompanitë e sigurimeve për 11 muajt e vitit 2019 në klasat e sigurimeve motorike arriti në rreth 30 milionë euro, përfshi këtu fondin e kompensimit të Byrosë së Sigurimeve.

@tn.lajmelokale
@tetovanews