Ballina Bota Analiza Rruga me “gjemba” e Ballkanit Perëndimor për në BE: A ka fund...

Rruga me “gjemba” e Ballkanit Perëndimor për në BE: A ka fund ajo?

Që kur është bërë e qartë se politika e zgjerimit nuk është funksionale, shtrohet pyetja, nëse do të vlejë formula se „puna shpërblehet“, apo do të mbetemi pafundësisht në vendnumëro?

Që puna e bërë në procesin e zgjerimit të BE shpërblehet, u dëshmua për herë të fundit në rastin e Kroacisë. Por kjo nuk ndodhi gjashtë vite më vonë për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. E qartë është se zgjerimi i BE „nuk punon” si dikur, por nëse do të fillojë „të funksionojë” ndonjëherë, është pyetja, së cilës u munduan t‘i japin përgjigje në konferencën e Parlamentit Evropian në Bruksel mbi zgjerimin e BE (28.01.). Eurodeputetë, analistë, zyrtarë, secili nga perspektiva vetjake, vlerësuan „rrugën me gjemba të zgjerimit” të Bashkimit Evropian.

Diplomati sllovak, profesor dhe ish-kryesues i Delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan, thotë se zgjerimi i BE ndodhet prej kohësh „në tryezë” dhe në jetën reale, dhe kaq pak është arritur. Ai situatën aktuale në politikën e zgjerimit të Ballkanit Perëndimor e sheh si ”një pauzë të çuditshme me shumë të panjohura”. ”Nuk ka një strategji të përcaktuar, se si do të ecet më tej. Kjo është shkaktuar prej politikës jokonstante të BE ndaj Ballkanit Perëndimor dhe sinjaleve kontradiktore që vijnë nga Brukseli, gjë që shkakton pasiguri politike në rajon dhe vë në pikëpyetje kredibilitetin e BE”, thotë Kukan.

Ai kujton se viti 2018, i cili u lajmërua „në të gjitha këmbanat” si viti „i përparimeve në procesin e zgjerimit”, në fakt qe fiasko, dhe u pasua me më shumë probleme dhe komplikime në vitin 2019. Ai thekson edhe faktin, se stanjacioni aktual vetëm mund të përkeqësohet, nëse procesi i zgjerimit nuk fillon të lëvizë së shpejti. ”BE duhet të miratojë një vendim përgjithësisht të zbatueshëm, me një pozicionim të qartë, të vendosur dhe unanim për një vullnet obligues politik, që procesi i zgjerimit të vazhdohet deri në finalizimin me sukses të tij. Kjo duhet të jetë baza politike e qëndrueshme e t‘i paraprijë çdo lloj ndryshimi të metodologjisë, ose të përfshihet në dokumentin e reformimit”, thotë Kukan.

“Bombat e fshehura”

Në konferencën në Bruksel Eduard Kukan kritikoi propozimin francez për të ndryshuar metodologjinë e procesit të pranimit, duke vlerësuar se në tërësi ai nuk kontribuon në mënyrë pozitive për procesin e zgjerimit, por vetëm e ngadalëson dhe e bën atë më pak praktik, me potencialin e „bombave të fshehura” që mund të shkatërrojnë të gjithë procesin, nëse eksplodojnë.

Nuk jam dakord me mendimin e presidentit Macron, që së pari të bëhet reforma e BE dhe pastaj zgjerimi. Për çfarë lloj reforme flasim, sa do të zgjasë ajo, dhe kush do ta vlerësojë, se kur është përfunduar?”, pyet Kukan. Ai konkludon se propozimi francez duhet rishikuar, që të miratohet me konsens, me qëllim që të arrihet përmbyllja e procesit të zgjerimit dhe kështu edhe forcimi i të gjithë kontinentit evropian.

Fajon: 2020 mund të jetë një vit i mirë për Ballkanin Perëndimor

Analistët e Qendrës së Kërkimit të Parlamentit Evropian vlerësojnë, se në rastin e një “skenari optimist” për 10 vjet mund të pritet që në BE të anëtarësohen vende të reja.  ”Rajoni është përballur dikur me skenarin apokaliptik të shpërbërjes së ish- Jugosllavisë dhe që të jetë i humbur në shkretëtirë, pa orientim, është edhe më keq”, thotë Branislav Staniçek nga Qendra e Kërkimeve të Parlamentit në Bruksel.

Kryetarja e Delegacionit të Parlamentit Evropian për Serbinë, Tanja Fajon, mendon se jo gjithçka është kaq e zezë dhe pa orientim. Ajo thotë se ekzistojnë elemente, të cilat nëse përmbushen nga vendet anëtare dhe nga vendet e rajonit, mund të realizojnë që viti 2020 të bëhet një “vit i mirë” për Ballkanin Perëndimor. Së pari Fajon pret metodologjinë e re të zgjerimit, të cilën do ta prezantojë Komisioni Evropian, dhe pastaj “korrigjimin e gabimit” të bërë me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. „Shpresoj që viti 2020, duke filluar me këtë dinamikë të re do të jetë pozitiv për Ballkanin Perëndimor, e kjo është për ne përgjegjësi e përbashkët. Na duhet të jemi të mençur, të durueshëm dhe të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, që të arrijmë rezultate”, porosit Fajon. Duke vlerësuar situatën në Ballkanin Perëndimor. Fajon thekson se BE ka gabuar, duke mos hapur negociatat e pranimit me Shkupin dhe Tiranën.

“Edhe para kësaj ne kemi gabuar me Kosovën, e cila i plotësoi kushtet e kërkuara për liberalizimin e vizave dhe ne nuk bëmë asgjë”, theksoi deputetja e Parlamentit Evropian. Ajo shtoi se në vitin që jemi, priten zgjedhje në Serbi, të cilat janë “të rëndësishme për stabilitetin e rajonit” dhe se “nuk ka paqe në të gjithë Ballkanin Perëndimor, nëse nuk ka në Bosnjë-Hercegovinë”.

“Ballkani Perëndimor gjithmonë ka qenë dhe do të jetë pjesë e Evropës dhe me mungesën e një angazhimi të fortë evropian ne rrezikojmë shumë në lidhje me stabilitetin e rajonit”, përfundoi Fajon.Tanja Fajon në konferencën e Brukselit bëri thirrje për një dialog të sinqertë mes BE dhe Ballkanit Perëndimor dhe përmbushjen e ndërsjellë të angazhimeve të ndërmarra.

Ballkani Perëndimor dhe zgjerimi si brejtësi mbi rrotë

Që për zgjerimin prej vitesh “shumë flitet dhe askund nuk arrihet”, është i mendimit edhe gazetari, analisti dhe shkrimtari Tim Judah. Ai këtë gjendje e ka përshkruar në mënyrë figurative në titullin e raportit të fundit të Iniciativës Evropiane të Stabilitetit, që trajton zgjerimin dhe Ballkanin Perëndimor në tekstin me titull “Brejtësi dhe rrota”.

“Ja, do të kemi tani edhe metodologjinë e re, por nuk është një shkencë e madhe. Të gjithë e dinë se çfarë të bëjnë. Ballkani Perëndimor e di se çfarë duhet të bëjë, dhe BE-ja duhet vetëm ta mbajë premtimin”, thotë Judah. Ai paralajmëron, se ndërsa “flitet dhe negociohet” për strategjitë e zgjerimit, shumë njerëz do të largohen nga rajoni, gjë që sipas tij, është problemi i vërtetë dhe më kryesori, i cili vazhdimisht anashkalohet.

“Flisni për përparim të transportit në Kosovë, formimin e qeverisë në Mostar, por nuk përballemi me faktin, që çështja demografike është më e rëndësishmja për të gjithë rajonin, brenda dhe jashtë BE. Sipas parashikimeve të momentit Bullgaria deri në vitin 2050 do të humbasë 38.6 përqind të popullsisë së saj, Serbia 23.8 përqind, Kroacia 22.4”, paralajmëron Judah.

Përveç brejtësit dhe rrotës politika e zgjerimit në konferencën e Brukselit mori edhe një paralele tjetër metaforike, kur drejtoresha e Bankës Evropiane për Rekonstruksion dhe Zhvillim, Milica Deleviq, përmendi tezën e BE si kishë. “Duhet të jeni të mirë e të silleni ashtu siç ju thonë, por të mirat prej kësaj nuk do t’i shihni në këtë jetë”, u shpreh Deleviq. Ajo u shpreh për rikonstruimin e procesit të pranimit në BE, i cili do t’u sjellë përfitime konkrete qytetarëve të Ballkanit Perëndimor në jetën e tyre të përditshme në etapa, që ndërmerren shumë më përpara hyrjes si anëtarë në bashkësi.

”Duhet ta ristrukturoni procesin,që të siguroni që jo gjithçka të përqendrohet te momenti i anëtarësimit, por se ekzistojnë hapa të ndërmjetëm të rëndësishëm që duhen zgjeruar. Pra nuk jemi duke folur për një „ofertë dytësore” për Ballkanin Perëndimor, por për konkretizim të procesit të pranimit në etapat e hershme”, porositi Deleviq.  Ajo tha se funksionaliteti i zgjerimit nuk varet aq nga metologjia, se sa nga vullneti politik i Ballkanit Perëndimor për reforma, dhe i BE për zgjerim. ”Ky vullnet politik i të dyja palëve nuk ekziston gjithmonë”, përfundoi Deleviq.

DW

@tn.lajmelokale
@tetovanews