Ballina Bota Analiza Përplasja me SHBA, fuqitë evropiane aktivizojnë mekanizmin e mosmarrëveshjes bërthamore me Iranin

Përplasja me SHBA, fuqitë evropiane aktivizojnë mekanizmin e mosmarrëveshjes bërthamore me Iranin

Gjermania, Britania dhe Franca thanë se kanë aktivizuar mekanizmin e mosmarrëveshjes brenda marrëveshjes bërthamore me Iranin, pasi ky i fundit ka kufizuar zbatimin e saj.

Irani i ka pezulluar të gjithë kufijtë në prodhimin e uraniumit të pasuruar – substancë kjo që mund të përdoret për të bërë karburante për reaktorë, por edhe për armë bërthamore.

Në këtë mënyrë, Irani ka thënë se po u përgjigjet sanksioneve që i kanë vënë Shtetet e Bashkuara, prejse këto të fundit janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore, në vitin 2018.

Mekanizmi i mosmarrëveshjes mund të çojë tani në sanksione të Kombeve të Bashkuara kundër Iranit.

“Ne nuk e pranojmë argumentin se Irani është detyruar t’i zvogëlojë veprimet në pajtim me marrëveshjen bërthamore”, thanë përmes një deklarate të përbashkët Gjermania, Britania dhe Franca.

Këto tri vende, së bashku me Rusinë, Kinën dhe Bashkimin Evropian, kanë nënshkuar marrëveshjen bërthamore me Iranin në vitin 2015.

Në bazë të kësaj marrëveshjeje, Irani ka kufizuar programin bërthamor në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndërkombëtare.

Prejse Shtetet e Bashkuara janë tërhequr nga marrëveshja, Irani ka tejkaluar rezervat e lejuara me ujë të rëndë dhe uranium të pasuruar.

Irani këmbëngul se programi i tij bërthamor ka vetëm qëllime civile.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë se marrëveshja bërthamore me Iranin ka “të meta fatale”, pasi nuk e kufizon programin e raketave balistike të Iranit dhe nuk e adreson mbështetjen që u jep Teherani grupeve terroriste në Lindjen e Mesme.

Javën e kaluar, Trump u ka kërkuar vendeve evropiane që edhe ato të heqin dorë nga marrëveshja.

@tn.lajmelokale
@tetovanews