Ballina Aktualitet Oferta e Albin Kurtit përplas krerët e LDK-së

Oferta e Albin Kurtit përplas krerët e LDK-së

Koalicioni me Lëvizjen Vetëvendosje nuk po shihet me pozitivitet nga të gjithë në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Oferta e fundit e vënë në tavolinë të diskutimit nga Albin Kurti, u bë shkak i përplasjes së nënkryetarëve të LDK-së, Agim Veliut e Vjosa Osmanit, që njihen për raportet e acaruara që një kohë, shkruan Gazeta Express.

Ka një javë që Lëvizja Vetëvendosje i ka përcjellë një ofertë të re LDK-së, me gjasë të fundit që do të qartësojë a do të ndodhë apo jo koalicioni. E njëjta, është dërguar me pak ndryshime në LDK edhe dy ditë më parë, megjithatë nga partia e Isa Mustafës nuk ka pasur ndonjë vendim se a do të pranojnë apo jo.

Detaje se çka përmban ky propozim ka dhënë dje përmes një shkrimi në Facebook, nënkryetari i parë i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi. Ndër të tjerash, duke shpalosur ofertën që rrit numrin e ministrive në 14, ai ka kritikuar LDK-në që në takimin e javës së kaluar kishin thënë se do ta diskutonin në Këshill të Përgjithshëm, e që po vazhdojnë ende të deklarohen se po presin oferta të reja prej LV-së.

“Në takimin e fundit me ekipin e LDK-së na është thënë që propozimi ynë për arritjen e marrëveshjes së koalicionit do t’i dërgohet Këshillit të Përgjithshëm të subjektit të tyre politik për vlerësim (pranim ose refuzim). Andaj është e pakuptimtë të deklarohet se jemi në pritje të propozimeve të reja nga ana e Vetëvendosjes! Propozimi ynë i nxjerrë (si kompromisi i katërt brenda të njëjtit takim), mbrëmë i është dërguar me shkrim kryetarit Mustafa. Në përpilimin e këtij propozimi, Vetëvendosje beson se është bërë edhe një kompromis shumë i madh, meqë gatishmëria për të rritur numrin e ministrive (nga të cilat VV nuk përfiton assesi), vetëm do ekspozojë me pakënaqësitë e opinionit publik, i cili me të drejtë do të na sulmojë për lëvizje nga premtimi para dhe pas zgjedhor për reduktim të numrit të ministrive në 12 sosh)”, ka deklaruar Bislimi.

Mirëpo në LDK, njeriu i dytë pas Isa Mustafës, Agim Veliu këtë propozim të LV-së e ka konsideruar si jo serioz e që nuk zgjedh situatën në të cilën ndodhen momentalisht dy partitë.

Pak më vonë, kur detajet e ofertës u bënë publike, Veliu zgjodhi që të komentojë atë edhe në rrjetin social Facebook.

Nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike edhe përmes këtij shkrimi e cilësoi si përpjekje jo serioze angazhimin e LDK-së, duke e akuzuar se po kërkojnë pushtet absolut.

“E tërë kjo është një përpjekje e VV-së për pushtet absolut dhe për ta nënshtruar e nënçmuar LDK-në, duke provuar t’ia nëpërkëmbin dinjitetin. Madje, kërkesat e sotme të VV-së shkojnë edhe më larg, në synimin e tyre që LDK të shkëputet nga e kaluara e saj europiane dhe euroatlantike. Nga cila e kaluar duan ata të shkëputemi? Mbase duan që të distancohemi edhe nga rugovizmi”, deklaroi Veliu, duke thënë se kjo përpjekje e LV-së është e dështuar dhe nuk duhet që të ndihmohet nga LDK-ja.

Njejtë si Veliu nuk mendon edhe kandidatja e LDK-së për kryeministre e nënkryetarja e kësaj partie, Vjosa Osmani.

Ajo i ka dalë në krah Lëvizjes Vetëvendosje, ndërsa i ka kujtuar bashkë partiakut të saj, Agim Veliut vitin 2017-të, kur sipas saj është ndërtuar koalicioni i shpresës.

Osmani ka përmendur edhe tentativën për shfuqizim të Gjykatës Speciale, duke thënë se LV kishte dalë në krah të Lidhjes Demokratike.

“Ishte vetëm një parti që i doli në krah përpjekjeve të LDK-së atë ditë: Lëvizja Vetëvendosje. Atë mbrëmje, për këdo që e kupton politikën drejtë, është ndërtuar koalicioni i shpresës. Atë ditë, është ri konfirmuar orientimi pro-perëndimor dhe euro-atlantik i vendit tonë. Atë nuk e bëri LDK-ja vet, e as LVV-ja vetë…por e bënë LDK dhe LVV bashkë, me bekimin e miqve tanë ndërkombëtare”, thotë ajo, teksa përmend edhe disa bllokues të ndryshimit, pa përmendur emra.

“Pyetja që shtrohet sot për kundërshtuesit, penguesit e bllokuesit e ndryshimit, në një kohë kur Kosova rrezikon të zbrazet e të shndërrohet në shtet të dështuar, është pikërisht e njëjtë me atë që Ambasadori i atëhershëm amerikan e bëri në zyret tona në orët e vona të mbrëmjes në prezencë të zyrtarëve të LDK e LVV në v.2017: ÇFARË DO JU DUHET PARTIA KUR NUK DO TË KETË MË KOSOVË?”, ka përfunduar ajo.

Teksa LDK dhe LV ende nuk kanë arritur që të merren vesh për koalicionin, tashmë kanë kaluar më shumë se 100 ditë që nga zgjedhjet e 6 tetorit.

Vetëvendosje ende nuk ka dorëzuar propozimin për mandatarin, derisa për këtë temë, presidenca ka njoftuar se do të drejtohen për interpretim në Gjykatë Kushtetuese./GazetaExpress/

@tn.lajmelokale
@tetovanews