Ballina Aktualitet Rajoni Një dekadë tronditëse sa një shekull për Greqinë

Një dekadë tronditëse sa një shekull për Greqinë

Nga Aleksandër Marku 

Një dekadë po mbaron. Por, në Greqi ajo u duk dhe u përjetua si një shekull për shkak të ngjarjeve tronditëse të panumërta që kanë stigmatizuar vendin dhe banorët e tij. Nga memorandumet e ndihmave financiare, destabiliteti politik, hyrja e Agimit të Artë në parlament, tek Lëvizja e të Indinjuarve, referendumi për BE, eksodi masiv i të rinjve jashtë vendit e deri tek përkeqësimi i cilësisë së jetës, të pagës dhe kushteve të punës.

Papunësia dhe një rënie e ndjeshme e të ardhurave shkaktuan trazira sociale dhe ndryshime në jetën e grekëve dhe rreth 610.000 prej tyre u larguan në shtatë vjet. Gjatë periudhës 2003-2009, d.m.th para shpërthimit të krizës, të ardhurat mesatare ekuivalente të familjeve greke u rritën me 14%. Por me fillimin e krizës, pra në periudhën 2009-2014, këto të ardhura kanë rënë shumë më tepër sesa ishin rritur më parë, me 42%. Gjatë së njëjtës periudhë, PBB ra ndjeshëm me 26%. Të rinjtë ishin humbësit më të mëdhenj të krizës dhe më pas pjesa tjetër e popullsisë që pa se si u reduktua një pjesë e konsiderueshme e të ardhurave.

Pa dyshim, kjo dekadë u stigmatizua nga huazimi i detyruar i BE-së dhe FMN-së. Gjatë viteve 2010–2015 vendi ka huazuar 288.7 mld euro. Greqia mori një kredi të re prej 86 miliardë eurosh deri në qershor 2018. Ajo përfshinte një rezervë deri në 25 miliardë euro për sektorin bankar për të përmbushur çdo kosto të mundshme ristrukturimi të bankave.

Midis 2010 dhe 2019 Greqia përjetoi paqëndrueshmëri të mëdha dhe ndryshime rrënjësore në skenën politike. SYRIZA në fillim mori pozicionin e PASOK-ut në opozitë, ndërkohë që socialistët nga Memorandumi i parë dhe më pas, humbën lavdinë e tyre të vjetër. Ndryshuan emrin, u quajtën “Lëvizja për Ndryshim” dhe tani po përpiqen të marrin një pjesë të votuesve që janë më pranë qendrës në pikëpamjet e tyre politike. Në vitet që kaluan, pamë edhe partinë e ekstremit të djathtë nazist, Agimi i Artë, të arrijë përqindje të larta. Por pas vrasjes së militantit të majtë, Pavlos Fyssas, kjo forcë mori tatëpjetën politike dhe tani është jashtë parlamentit me një vendim gjyqi në pritje.

Kjo dekadë mund të quhet edhe si shkatërrimtarja e partive të vogla greke. U krijuan dhe u shkatërruan brenda saj Potami (Lumi) Dimar, Grekët e Pavarur, Laos. Ndërsa grekët u udhëhoqën edhe nga qeveri teknokrate si ajo me kryeministrin Lukas Papadimos. U vunë re dhe fenomene të pakonceptueshme më parë, sa i përket bashkëpunimit politik siç ishte ai mes konservatorëve (Demokracia e Re), socialistëve (Pasok), të djathës ekstreme (Laos) dhe partisë së qendrës së majtë (Dimar). Dhe më vonë pamë në qeveri të majtët e Syrizës me të djathën ekstreme të Grekëve të Pavarur.

Ndër ngjarjet që shokuan opinionin publik ishte mbyllja brenda një nate e televizionit publik ERT dhe hedhja në rrugë e 2600 punonjësve e gazetarëve të tij nga qeveria Samaras-Venizelos në 2013.

Sa u përket politikanëve, ishin të panumërta lëvizjet e tyre politike nga një parti në tjetrën. Në fjalorin publik tashmë u bë e njohur fjala greke “kolotumba” – kur një subjekt politik apo deklaratë politike ndryshon pozicionimin e saj deri në 180 gradë.

Fillimi i krizës greke

Megjithëse rënia kishte filluar më parë, stacion qendror për fillimin e krizës greke konsiderohet fundi i janarit të 2010-s kur kryeministri i atëhershëm Jorgos Papandreou nga Davos për Forumin Ekonomik Botëror vjetor, pranoi një presion të fortë nga liderët e huaj për të ndërmarrë masa të menjëhershme. Menjëherë pas kthimit të tij, qeveria njoftoi më 9 shkurt masat e para në sektorin publik që përfshinin mes të tjerash ngrirjet e pagave dhe reduktimin e shpërblimeve në masën 10%.

Pas zbulimeve se defiçiti fiskal i Greqisë po mbyllej për vitin 2009 në nivele shumë më të larta se sa ato që do ta bënin të qëndrueshëm borxhin publik (në shkallën prej 15.4% të PBB-së), qeveria greke nuk ishte në gjendje të huazonte me norma të arsyeshme interesi nga tregjet. Greqia atëhere iu drejtua për ndihmë Fondit Monetar Ndërkombëtar, Komisionit Europian dhe Bankës Qendrore Europiane.

Financimi u sigurua me kushtin që Greqia të marrë masa rregulluese fiskale dhe shmangu rrezikun e menjëhershëm të falimentimit, fenomen që mund të sillte pasoja të pakontrolluara për të gjithë zonën e euros, ndërsa skenarët për të ashtuquajturin GREXIT ishin në faqet e para të mediave vendase dhe të huaja.

Masat e ashpra u shoqëruan me protesta të shumta dhe lindjen e “Lëvizjes së të Indinjuarve” ,ndërsa gradualisht po vihej re rritja e reputacionit politik të kreut të Syriza-s, Aleksi Tsipra.

Viti 2011

Ishte një vit që shënoi reduktimin e borxhit grek, por në kurriz të bonove të thesarit që posedonin skemat e pensioneve dhe sigurimeve shoqërore  apo disa banka greke. Pasoi qeveria e përbërë nga teknokratët me në krye një ish-bankier të njohur në qarqet europiane, Lukas Papadhimos.

Zemërimi popullor veçse shtohej, protestat ishin të përditshme, ndërsa e ashtuquajtura troika (specialistët e huadhënësve) shkonin e vinin duke kontrolluar masat e rrepta të kursimit. Vendi kërkonte rrugëzgjidhje politike dhe kjo u pasqyrua në zgjedhjet e dyfishta brenda 40 ditëve në mesin e vitit 2012. Qeveria Samaras-Venizellos e mbështetur nga dy parti të vogla, u përpoq të zbatonte me rigorozitet një kornizë strategjisë fiskale afatmesme për vitet 2013-2016, e cila veçse, siç u pa nga kreditorët, nuk arriti kurrë të plotësohej.

Edhe shqiptarët viktima të krizës

Përveç qindra-mijëra grekëve që u larguan në vendet europiane, ishin të shumtë emigrantët shqiptarë që u kthyen përfundimisht ose përkohësisht në Shqipëri për shkak të krizës ekonomike që gjunjëzoi vendin. Kjo për faktin se shumica e tyre punonin në sektorin e ndërtimit, një nga më të prekurit e krizës. Llogaritet se në vitet 2011-2015 mbi 150.000 shtetas shqiptarë braktisën Greqinë, pasi humbën punët e tyre. Por, nga ana tjetër një pjesë e mirë e tyre, nuk largoi familjen dhe kjo solli rikthimin e tyre gradual, pasi në vitet që pasuan sektori agrar dhe ai i turizmit, mbajtën gjallë ekonominë e rrënuar greke.

Viti 2015 –Memorandumi i tretë i ndihmës

Pas një krize të re politike, sa i përket zgjedhjes së presidentit të Republikës, grekët votojnë dhe sjellin në fuqi Radikalët e Majtë të Tsiprës me një aleat të vogël nga e djathta ekstreme. Pas një përpjekje aventureske negociatash me troikën dhe ministrin kontraversiv Varufakis, Tsipras i ndodhur nën presionin final të Merkelit dhe Junkcerit, si dhe të shterimit të likuiditetit bankar, pranon paketën e tretë të ndihmës, duke shmangur daljen e Greqisë nga Eurozona dhe falimentimin e saj përfundimtar. Por, sapo Greqia fillon të marrë frymë përballet me krizën migratore të shkaktuar nga lufta civile në Siri dhe zonat e nxehta të Lindjes së Mesme e jo vetëm. Mbi 1.5 mln refugjatë dhe emigrantë hyjnë nga brigjet turke drejt atyre greke, me synim Europën Qendrore, ngjarje që do prishte shumë balanca në skenën politike europiane.

Viti i shënuar 2018

Memorandumi i tretë përfundoi më 20 gusht 2018 dhe shënoi zyrtarisht daljen e vendit nga programet e masave financiare. Njoftimi u bë nga kryeministri i atëhershëm, Aleksis Tsipras nga ishulli i Itakës duke i dhënë kësaj ngjarje një kuptim simbolik. Greqia u zotua te ministrat e Financave të Eurozonës për një seri reformash deri në vitin 2022, reforma që do të monitorohen në baza tremujore në kontekstin e mbikëqyrjes së zgjeruar.

Pa dyshim që ky vit kishte edhe një ngjarje tjetër nga më të rëndësishmet në historinë greke të pasluftës, Marrëveshjen e Prespës. Një arritje politike mes dy fqinjëve të Ballkanit që nuk binin dakord për emrin për gati 28 vjet. Ajo u nënshkrua në fshatin malor Psarades në Follorinë, në zonën e Prespës dhe më pas u ratifikua nga parlamentet e të dyja vendeve. Dispozitat e saj janë ligjërisht të detyrueshme për të dyja palët në aspektin e së Drejtës Ndërkombëtare dhe do të qëndrojnë në fuqi pafundësisht.

Por, miratimi i marrëveshjes provokoi reagime si në Greqi, ashtu edhe në Maqedoninë e Veriut dhe konsiderohet si shkaku i humbjes së zgjedhjeve parlamentare të vitit 2019 për partinë Syriza të Aleksis Tsipras.

Ndërkohë, grekët sollën në fuqi përsëri një forcë tradicionale që mbizotëron në skenën politike në të gjithë dekadat e fundit pas juntës ushtarake të 1967. Demokracia e Re e gjeti vendin me një kapacitet të kënaqshëm financiar dhe kërkon të zbatojë një politikë të ndryshme ekonomike, duke i hapur rrugë më shumë, investimeve të huaja. Sfida kryesore e saj është marrëdhënia me Turqinë, në një moment kur Ankaraja jo vetëm pretendon ZEE në Egje dhe Mesdhe, por përpiqet të bëhet aktore e fuqishme e zhvillimeve në Siri dhe Libi.

@tn.lajmelokale
@tetovanews