Ballina Aktualitet Kosova pa qeveri, frikë nga trazirat sociale

Kosova pa qeveri, frikë nga trazirat sociale

Sindikata e Bashkuar e Arsimit, ajo e Shëndetësisë dhe e Policisë kërkojnë takim urgjent me kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, kryeministrin në detyrë Ramush Haradinaj dhe Avokatin e Popullit Hilmi Jashari. Këto Sindikata kërkojnë nga kryeministri në detyrë që ta dërgojnë në Kuvend Projektligjin për Buxhet për vitin 2020 me qëllim të shmangies së trazirave sociale. Edhe Ministria e Financave ka paralajmëruar se në rast të mos miratimit të ligjit të ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars.

Krerët e tri sindikatave në Kosovë, arsimit, shëndetësisë e policisë kanë mbajtur një takim pas të cilit kërkojnë takime urgjente me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufcën, kryeministrin në detyrë, Ramush Haradinajn, dhe avokatin e popullit, Hilmi Jasharin, shkruan Gazeta Express.

Sipas një komunikate të lëshuar, SBASHK-u, FSSHK dhe SPK kërkojnë dërgimin e Projektligjit për Buxhetin 2020 në Kuvendin e Kosovës, me qëllim të shmangies së trazirave sociale.

“Në takimin e përbashkët ne mes Sindikatës së Bashkuar te Arsimit, Shkenc6s dhe Kulturës (SBASHK), Federatës Sindikale te Shëndetësisë (FSSHK) dhe Sindikatës se Policisë (SPK) duke parë rrethanat aktuale në të cilat ndodhemi, paraqesim shqetësimin tonë për përkeqësimin e mirëqenies sociale të anëtarësisë tonë dhe në kuadër te saj njoftojmë opinionin e gjerë se kërkojmë takim urgjent me Kryeparlamentarin z. Glauk Konjufca, Kryeministrin ne detyre z.Ramush Haradinaj dhe Avokatin e popullit z.Hilmi Jashari”.

Te tri sindikatat, kërkojnë nga Kryeministri në detyrë që të dërgojë në Parlamentin e Kosovës Projektligjin për buxhetin për vitin 2020 me qellim të shmangies së trazirave sociale.

“Ndërsa nga Kryeparlamentari kërkojmë që të ndërmarrë hapa ligjor parlamentar për aprovimin e buxhetit me kohë. Avokatit të popullit i drejtohemi me kërkesën e thjeshtë që të procedojë kërkesat e sindikatave të punëtoreve të sistemit publik, në lidhje me revokimin e vendimit për masën e përkohshme për pezullimin e Ligjit te pagave. E gjithë kjo bëhet në përpjekje të ruajtjes së qetësisë sociale në Republikën e Kosovës”.

Edhe Ministria e Financave ka paralajmëruar se në rast të mos miratimit të ligjit të ri për buxhetin nga qeveria e re dhe kuvendi, të gjitha pagesat, duke përfshirë pagat që nga organet e sigurisë e deri te shërbimi civil, pensionet dhe asistencat tjera sociale, shërbimet publike si dhe të gjitha detyrimet e tjera buxhetore do të ndërpriten nga 28 shkurt, përkatësisht 31 mars.

Sipas MF-së, më datën 31 tetor 2019 është dorëzuar në Qeveri propozimi i buxhetit për këtë vit, duke thënë se ky propozim mund të trajtohet dhe procedohet nga Qeveria e re tek Kuvendi i konstituuar.

“Në përputhje me kërkesat e Ligjit për Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive (LMFPP), Neni 22 (par.1), pas procesit të zakonshëm të pranimit të kërkesave buxhetore, në pajtim edhe me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve, me datën 31 tetor 2019 Ministria e Financave ka dorëzuar në Qeveri propozim buxhetin për vitin 2020. Për shkaqe të njohura politike dhe ligjore, Qeveria nuk ka mundur të aprovojë projektligjin e buxhetit dhe ta dërgojë në Kuvend, për shkak se Kuvendi nuk ka ekzistuar. Ky propozim-buxhet mund të trajtohet dhe procedohet nga Qeveria e re tek Kuvendi i konstituuar, si organe të nxjerra nga zgjedhjet e fundit parlamentare”, thuhet në sqarimin e MF-së.

Kjo ministri tregon se ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore deri më 28 shkurt 2020, por që sipas MF-së, Kuvendi mund të vendosë për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për një muaj, e cila është koha përfundimtare e lejuar për shpenzimin e buxhetit.

“Në pajtim me autorizimet ligjore të LMFPP, Ministria e Financave ka bërë zgjatjen e ndarjeve buxhetore dhe alokimin e tij për organizatat buxhetore, për 2 muaj të vitit 2020 ose 16.67 për qind e ndarjeve finale vjetore të vitit 2019, përkatësisht deri me datën 28 shkurt 2020, pasi është plotësuar kushti sipas nenit 24, paragrafi 1a i LMFPP, përkatësisht për shkak se zgjedhjet janë mbajtur në 4 muajt e fundit para fillimit të vitit fiskal, si situatë e përcaktuar në LMFPP. Në pajtim me nenin 24, paragrafi 2 i LMFPP, vetëm Kuvendi mund të vendosë për zgjatjen e ndarjeve buxhetore edhe për 1 muaj, përkatësisht për periudhën deri më 31 mars 2020. Kjo është koha përfundimtare e lejuar për shpenzimin e buxhetit, dhe nuk ka asnjë instrument tjetër ligjor, që ndarjet buxhetore të shtyhen më shumë se tre muaj, pra jo më vonë se data 31 mars 2020”, vazhdon sqarimi.

Me kalimin e këtyre afateve kohore, sipas MF-së asnjë organizatë buxhetore nuk mund të autorizojë asnjë shpenzim ose pagesë derisa të miratohet Ligji i ri për Ndarjet Buxhetore.

Në fund, Ministria e Financave thotë se, “sipas praktikës parlamentare dhe opinioneve ligjore kompetente, duke qenë se Qeveria në dorëheqje nuk aprovon projektligje dhe më tepër, projektligjin e buxhetit, i cili përveç të tjerash është edhe dokument politik, i cili pasqyron objektivat strategjike dhe programin e qeverisë, mbetet në përgjegjësi të institucioneve të dala nga zgjedhjet e vitit 2019 që të mundësojnë konstituimin e organeve të Kuvendit (komisioneve parlamentare) si dhe Qeverisë, për të trajtuar çështjen e buxhetit dhe projektligjin e buxhetit për vitin 2020, si ndër veprimet e para më se urgjente, propozimin e të cilit si draft e ka dorëzuar Ministria e Financave në arkivin e Qeverisë”./Fatos Shala/.

@tn.lajmelokale
@tetovanews