Ballina Bota Gjyqi ndaj Donald Trump mund të ndikojë në zgjedhjet e 2020-ës

Gjyqi ndaj Donald Trump mund të ndikojë në zgjedhjet e 2020-ës

Presidenti Donald Trump ka hyrë tashmë në histori si presidenti i tretë i Shteteve të Bashkuara ndaj të cilit janë ngritur akuza për shkarkim nga Dhoma e Përfaqësuesve. Duke qenë se gjasat janë që gjyqi në Senat të nxjerrë atë jofajtor, ai shpreson të vendosë një tjetër rekord historik duke u bërë presidenti i parë i akuzuar për shkarkim që do të fitojë sërish zgjedhjet.

Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Jim Malone, drama e shkarkimit po zhvillohet ndërsa fushata për zgjedhjet presidenciale 2020 ka hyrë në një fazë kritike.

Ndërsa përballet me akuzat për shkarkimin e tij, Presidenti Donald Trump parapëlqen t’i kujtojë bazës së mbështetësve të tij se çfarë do të përcaktohet në zgjedhjet e 2020-tës.

“Ne po jua kthejmë pushtetin juve, popullit amerikan. Me ndihmën tuaj, me përkushtimin dhe nxitjen tuaj, do të vazhdojmë të punojmë; do të vazhdojmë të luftojmë dhe do të vazhdojmë të fitojmë dhe të fitojmë!”, u tha mbështetësve Presidenti Trump.

Mbështetësit e Presidentit Trump nuk kanë nevojë për t’i bindur.

“Mendoj se ka punuar për të gjithë vendin. Ai po lufton për të gjithë ne çdo ditë. Nuk di si ja del të arrijë gjithçka, por po e bën. Shumë mirë për të dhe për ne”, thotë Nancy Freye, mbështetëse e Presidentit Trump.

Por në Uashington, një proces më solemn kushtetues mund të ketë një impakt të madh mbi shpresat e Presidentit Trump për t’u zgjedhur.

“Do të bëni drejtësi të paanshme bazuar mbi Kushtetutën dhe ligjet. Zoti ju ndihmoftë”, u shpreh gjatë betimit të senatorëve Kryetari i Gjykatës së Lartë, John Roberts.

Senati është shndërruar tashmë në një trupë gjyqësore për Presidentin Trump. Ata do të dëgjojnë çështjen e paraqitur nga ligjvënësit demokratë, të cilët akuzojnë se Presidenti Trump i bëri presion Ukrainës për ta ndihmuar të rizgjidhet.

“Me këtë lloj sjelljeje, Presidenti Trump ka demonstruar se do të vazhdojë të jetë kërcënim për Kushtetutën, nëse do të lejohet të vazhdojë në detyrë”, tha Ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Gjyqi ka ngjallur protesta nëpër korridore.

Udhëheqësi i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, thotë se vendimi do të ketë pasoja shumë të mëdha për Presidentin Trump dhe për vendin.

“Pesha e historisë, sytë e historisë, i ndjeni se janë mbi ju”, tha Senatori Schumer.

Pritet që Presidenti Trump të shfajësohet nga Senati dhe të vazhdojë në detyrë.

“Shumë presidentë. Disa të mirë, disa jo aq të mirë. Por, juve keni një (president) të mirë tani. Megjithëse po përpiqen ta shkarkojnë. A mund t’u besoni dot syve?”, u tha mbështetësve Presidenti Trump.

Por, nga mënyra si do të zhvillohet gjyqi, mund të ndikohen shanset e presidentit për t’u rizgjedhur, thotë analisti John Fortier.

“Niveli i tij i miratimit nuk ka rënë, por nuk janë shifra të larta. Ai ka mbështetje të fortë nga baza e tij republikane, por vështirësohet ta shtojë atë. Pra, ai është nën pritshmëritë për një president që dëshiron të rizgjidhet”, thotë John Fortier, i Qendrës për Politikat Dypartiake.

Presidentin Trump do ta ndihmojë ndoshta ekonomia e fortë dhe reputacioni se zhvillon një fushatë elektorale të ashpër, thotë Jim Kessler.

“Nuk do ta nënvlerësoja. Ai ka qenë gjithnjë president jopopullor. Ai ishte një kandidat jopopullor, por që i kthen goditjet shumë mirë”, thotë Jim Kessler, i organizatës “Third Way”.

Akuzat ndaj presidentit do të jenë një faktor për shumë votues në muajin nëntor, thotë Hans Noel.

“Do të ketë të bëjë me nëse Trump del i pafajshëm apo jo, apo nëse shkeljet që kanë lidhje me të do të jenë aq të këqija, sa që votuesit ta heqin me votë”, thotë Hans Noel, i Universitetit Georgetown.

Fati i Presidentit Trump në Senat do të vendoset brenda javësh. Një gjykim përfundimtar nga zgjedhësit amerikanë do të jepet në nëntor.

VIDEO bonus: Tërmeti në Shqipëri VIDEO nga Tetova: MOTI: PUBLICITET: PUBLICITET:
Loading...