Ballina Aktualitet Opinione ANALIZA: Të lodhur nga bullshiti nacionalist, kroatët zgjodhën një president të ri

ANALIZA: Të lodhur nga bullshiti nacionalist, kroatët zgjodhën një president të ri

Nga Enver Robelli

Në verën e vitit të kaluar presidentja kroate Kolinda Grabar-Kitaroviq mbajti një ligjëratë në Universitetin e Zürichut. Ishte ftuar për të mbajtur ligjëratën në kujtim të fjalimit të famshëm të Winston Churchillit. Më 1946 ish-kryeministri legjendar britanik bëri thirrje nga Zürichu për krijimin e Shteteve të Bashkuara të Europës. Grabar-Kitaroviq, ndërkaq, foli si mbrojtëse e «Europës kristiane», tërthorazi duke atakuar edhe kancelaren gjermane Angela Merkel për pranimin e shumë refugjatëve.

Kryetarja kroate dikur ishte shpresëdhënëse për rajonin, nga gratë e Srebrenicës madje u lartësua si ikonë e luftës për drejtësi. Shumë shpejt Grabar-Kitaroviq nisi ta përshkruajë Bosnjën si fole të mijëra islamistëve, të cilët na qenkna të gatshëm të shkatërrojnë Europën, shërbimi sekret kroat shantazhoi boshnjakë (myslimanë) me kërkesa bizare: vendosni armë afër xhamive në Bosnjën veriore dhe në Kroaci do të gëzoni privilegje, diplomatët kroatë me shërbim në Bosnjë morën pjesë në shënimin e ditës së themelimit të Republikës Serbe në Bosnjë (ceremonia mbahet çdo 9 janar në Banjallukë), u shpeshtuan kërkesat për krijimin e një entiteti kroat në Bosnjë.

Në Kroaci Grabar-Kitaroviq u bë servile e qarqeve të ekstremit të djathtë – duke përkujtuar si heronj kriminelët e luftës, duke u tallur me kancerin e korrupsionit (mes tjerash Grabar-Kitaroviq tha se do t’ia gatuante një tortë dhe do t’ia dërgonte në burg Millan Bandiqit, kryetarit të Zagrebit, nëse ai do të arrestohej për ndonjë aferë korruptive), duke dhënë deklarata të pamatura mbi regjimin kuisling kroat në Luftën e Dytë Botërore.

Të gjitha këto irituan gjithnjë e më shumë kroatë, të cilët të dielën e ndëshkuan Grabar-Kitaroviqin dhe e zgjodhën Zoran Millanoviqin për kryetar të Kroacisë. Millanoviq ka qenë kryetar i Partisë Socialdemokrate dhe kryeministër mes viteve 2011-2016, pastaj ishte këshilltar i Edi Ramës. Millanoviq nuk është figurë shumë e ndritshme, por gjithsesi «e keqja më e vogël». Ndaj rajonit ai nuk do të ketë qasje polarizuese e konfliktuoze, ndërsa ndaj pakicave në Kroaci do të jetë më i matur se kryetarja e deritanishme.

Njerzëve në Kroaci u ka ardhur te hunda fushata e HDZ-së, e cila çdo kritik e shpall komunist, projugosllav, titist e çka jo tjetër, shkruan në një koment portali kroat index.hr. Fundja, kush e ka themeluar HDZ-në? Franjo Tugjmani, gjeneral i Titos. Kush ka qenë njëri nga kryeministrat nga radhët e HDZ-së? Një ish-shef i UDB-së në Kroaci.

Si në Kosovë dhe në pjesën shqiptare në Maqedoni edhe në Kroaci debati po shteret me monopolizim të luftës, me këmbëngulje se meritat për çlirmin e vendit i takojnë vetëm atyre që kanë ndonjë fotografi me uniformë ushtarake dhe me kacafytje verbale në istikamet e historisë. Ndërsa të rinjtë dhe të rejat në Kosovë (ende) nuk kanë mundësi të ikin e të gjejnë punë pa problem në vendet e BE-së, kroatët si qytetarë të BE-së këtë problem nuk e kanë. Në mediat kroate shpesh botohen rrëfime për kroatët që janë rehatuar në Gjermani, Danimarkë apo Irlandë. Që nga hyrja e Kroacisë në BE më 1 qershor 2013, mijëra kroatë kanë braktisur vendin. Në disa sektorë punëdhënësit ankohen për mungesë të punëtorëve. Kur elitat politike merren vetëm me interpretimin e të kaluarës dhe nën pullazin e saj plaçkitin vendin, njerëzit, sidomos të rinjtë, dikur dorëzohen. Ikin.

@tn.lajmelokale
@tetovanews