Ballina Bota Analiza ANALIZA: Peripecia iraniane e Donald Trump

ANALIZA: Peripecia iraniane e Donald Trump

Nën presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara nuk kanë objektiva të qarta në lidhje me Iranin dhe për pasojë nuk kanë një strategji të përcaktuar qartë. Në Lindjen e Mesme, SHBA-ja tashmë duhet të kishte mësuar se kjo është një recetë për katastrofë

Nga Javier Solana

Viti i ri filloi me një tjetër vendim të pakuptimtë nga presidenti amerikan Donald Trump. Vrasja e gjeneralit Qassem Suleimani, i cili drejtoi operacionet e Gardës Revolucionare të Iranit, ishte një veprim i pamatur, provokues dhe dritëshkurtër. Suleimani pa dyshim që kishte një ndikim tejet të madh në Lindjen e Mesme. Por ai gjithashtu ishte drejtuesi i një krahu të armatosur të shtetit iranian dhe gëzonte popullaritet të dukshëm në vendin e tij, pa marrë parasysh se Trump pretendon të kundërtën.

Edhe një herë, Shtetet e Bashkuara e kanë tepruar dhe kanë vendosur një precedent të rrezikshëm që kundërshtarët e tij mund ta përdorin si një justifikim për të kryer operacione të ngjashme. Pas sulmit ndaj Suleimanit, Trump shkoi aq larg sa të kërcënonte Iranin vazhdimisht me shkatërrimin e disa qendrave kulturore të vendit, të cilat do të përbënin një krim lufte. Megjithëse Trump duket se e ka rimenduar këtë, impulsiviteti i tij kronik tregon thjesht mungesën e një planifikimi të duhur. Vrasja e Suleimanit ishte një veprim sensacional, ndoshta i synuar kryesisht për konsum të brendshëm. Megjithatë, në planin afatgjatë, a do të jetë ajo efikase?

Natyrisht, përgjigja do të varet nga objektivat e Trump përballë Iranit. Administrata e tij ka argumentuar se ndërhyrja drastike e presidentit do të ketë një efekt pengues për regjimin iranian, për të cilin Suleimani ishte një aset absolutisht i domosdoshëm.

Ky supozim është i diskutueshëm. Edhe pse hakmarrja e Iranit – në formën e sulmeve raketore kundër dy bazave irakiane që strehojnë trupa amerikane – deri më tani ka qenë relativisht e nënshtruar, regjimi do t’i qëndrojë përdorimit të armëve. As nuk mund të supozohet se humbja e Suleimanit, pavarësisht rëndësisë së tij, do të jetë e pakapërcyeshme për regjimin, i cili tashmë ka emëruar zëvendësin e tij si pasardhës të Suleimanit.

Thelbi i problemit për SHBA-në është se ajo nuk ka objektiva të qarta në lidhje me Iranin, dhe kështu që nuk ka një strategji të përcaktuar qartë. Në Lindjen e Mesme, SHBA-ja duhet ta kishte mësuar deri më tani, kjo është një recetë për katastrofë. Tensionet e sotme nuk nënkuptojnë që ose Trump ose liderët e Iranit po kërkojnë luftë. Megjithatë, në shumë raste, shtetet kanë ngecur në konflikte të padëshiruara, sidomos kur vetëbesimi i tepruar i bën ata të pamatur. Me luhatjet e tij, Trump ka arritur të detyrojë jo vetëm Iranin të rrijë në një qoshe (gjë që mund t’i nxisë liderët e tij të ndërmarrin një qëndrim më agresiv), por ka zënë edhe vetë një qoshe të tillë.

Në mungesë të një plani, nuk është çudi që administrata e tij bie vazhdimisht në kundërshtim me veten. Pikërisht kur Irani po ndiente efektet e një vale protestash të brendshme të shtypura brutalisht, SHBA-ja ia lehtësoi presionin lidershipit iranianTurmat e mëdha që dolën të vajtonin për Suleimanin nuk gënjejnë. Me zgjedhjet legjislative të Iranit vetëm disa javë larg, SHBA-ja u ofroi një mundësi të artë elementëve më konservatorë dhe anti-amerikanë në vend.

Megjithatë, tani vëmendja është rikthyer te regjimi iranian, për shkak të vetë gabimeve të tij. Pasi liderët e Iranit pranuan – pas tre ditësh mohimesh zyrtare – se raketat iraniane rrëzuan aksidentalisht një aeroplan civil ukrainas, duke vrarë të 176 personat që ndodheshin në bord, regjimi është bërë edhe një herë objektivi i zemërimit popullor. Kjo situatë shërben si një kujtesë e telasheve të përditshme me të cilat përballen qytetarët iranianë, të cilat pasqyrojnë efektet e pakujdesisë së brendshme dhe të huaj.

Protestat kundër regjimit në Iran po bëhen jehonë në vendet e tjera të Lindjes së Mesme, ku ai gëzon një ndikim të dukshëm. Duke kapërcyer dallimet e tyre fetare, libanezët dhe irakianët gjatë muajve të fundit janë ngritur kundër ndërhyrjeve të Iranit, shumica e të cilave u orkestruan nga vetë Suleimani. Por Trump e shpërfilli parimin e famshëm të Napoleonit: “Kurrë mos e ndërprit armikun tënd ndërsa ai po bën një gabim.” Tani, parlamenti irakian ka kërkuar (megjithëse simbolikisht) tërheqjen e trupave amerikane të vendosura në vend – që do të ishte në interes të Iranit. Administrata e Trump është përgjigjur në mënyrë kaotike, duke njoftuar gabimisht një tërheqje të trupave dhe më pas mohoi që një tërheqje e mundshme të ishte e menjëhershme.

Pavarësisht kësaj, mundësia që Trump t’i japë fund pranisë ushtarake amerikane në Irak nuk duhet të hidhet poshtë, edhe pse tërheqja ka gjasa të jetë e padenjë. Tani për tani, forcat e NATO-s që luftojnë Shtetin Islamik kanë pezulluar operacionet e tyre dhe disa aleatë të SHBA-së kanë filluar të evakuojnë trupat e tyre nga Iraku.

Por kjo nuk do të thotë që SHBA-ja po largohet nga Lindja e Mesme. Përkundrazi, numri i trupave amerikane në rajon është rritur me 15,000 gjatë gjashtë muajve të fundit. Dhe ndërsa varësia e energjisë nga SHBA-së nga Lindja e Mesme mund të jetë zvogëluar, “kalimi” drejt Azisë, i njoftuar nga administrata Obama, nuk ka ndodhur ende. Natyrisht, një konflikt më i madh me Iranin do të pengonte përpjekjet e SHBA-së për të kontrolluar Kinën, konkurrencën kryesore globale të Amerikës.

Në listën e gjatë të marrëzive amerikane duhet të shtohen stimujt e çoroditur që Trump ka nxjerrë në pah me goditjen e tij të fundit kundër Iranit, gjë e cila ka parashtruar një pyetje të pakëndshme: A do të kishte vepruar njësoj SHBA-ja ndaj Koresë së Veriut të pajisur me armë bërthamore? Irani e përmbushi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 të nënshkruar nga fuqitë kryesore globale – e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët i Veprimit (JCPOA) – dhe vazhdoi ta përmbushte atë për rreth një vit pasi Trump në mënyrë të njëanshme tërhoqi SHBA-në nga pakti. E megjithatë, ndërsa Trump mbajti takime miqësore me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong, administrata e tij vendosi sanksione ekonomike ndaj Iranit, një trajtim që nuk ka gjasa të inkurajojë regjimin Kim Jongut për një denuklearizim të mundshëm.

Edhe pse Irani ka njoftuar se tani do të ndalojë respektimin e kufizimeve të JCPOA në programin e tij bërthamor, ai nuk e ka mbyllur derën për mundësinë e shpëtimit të marrëveshjes. Për më tepër, tensionet amerikano-iraniane duket se janë zvogëluar disi ditët e fundit. Por ky mund të jetë një mirazh: rrëzimi i avionit të Ukrainës i ka shtuar një element të ri ekuacionit, të cilin administrata Trump duket se është shumë e etur ta shfrytëzojë. Për më tepër, Trump nuk i ka braktisur kërkesat e tij të patolerueshme dhe vazhdon t’i bëjë presion nënshkruesve të tjerë të JCPOA që të braktisin marrëveshjen.

Në fund, Shtetet e Bashkuara do të duhet të pranojnë një realitet të padiskutueshëm: në situata kaq kritike sa kjo, e cila u krijua në një mënyrë të panevojshme, diplomacia nuk është një opsion, por një detyrim. Për të shmangur katastrofën, e cila duhet të jetë përparësia kryesore për të gjitha palët e përfshira, kjo është pa dyshim rruga që duhet të ndiqet.

Project Syndicate- Trump’s Iranian Precipice

VIDEO bonus: Tërmeti në Shqipëri VIDEO nga Tetova: MOTI: PUBLICITET: PUBLICITET:
Loading...