Ballina Aktualitet Shqipëri VEZHGIM/ Pas termetit dyndje në Tiranë për shtëpi me qira, kërkohen katet...

VEZHGIM/ Pas termetit dyndje në Tiranë për shtëpi me qira, kërkohen katet e ulëta (VIDEO)

Pas tërmetit, në kryeqytet është vënë re një rritje e kërkesës së qytetarëve për të jetuar me qira në zona më të sigurta. Agjencitë imobiliare tregojnë se çfarë kërkojnë qytetarët, dhe si janë çmimet pas tërmetit. Ndërkohë në alarm janë vënë edhe shqiptarët që jetojnë jashtë vendit.

Qytetarët dalin në mëngjes nga shtëpitë me mendjen për të gjetur një banesë tjetër, për shkak të dëmtimeve apo pasigurisë në apartamentin ku jetojnë.

Logjika ta thotë se duhet të ketë dyndje, se dëshira është për të zbritur nga lartësia, në kate të ulëta, pse jo në shtëpi private. Ankthi nuk ka si bëhet më i madh, është çështje jete për fëmijët e prindërit, dhe nuk ka harrim edhe pse puna ka rinisur.

Edhe pse në Tiranë sheh zbukurime për festat që kaluan dhe në ato të fundvitit, dallon se thuajse askush nuk e ka mendjen tek qejfi.

Unë po e quaj veten një qytetar që dua të ndërroj shtëpi.

Gjëja e parë që më vjen në mend është të pyes në një agjenci të tregut të patundshëm.

Lediona Xhiani na thotë: “Kemi pasur rritje të telefonatave. Klientet duan të ndërrojnë shtëpi. Prirja është për vila, sidomos në periferi nga zona e Saukut”.

Tirana është e madhe dhe po ashtu edhe tregu, ndaj duhet të kërkojmë sërish.

Kudo nëpër të, ka mjaft familje në panik që nuk kanë besim tek banesat e tanishme.

Na duhet të pyesim sërish.

Në të vërtetë nuk është e lehtë të bindësh agjentët imobiliarë për të folur, ka të tillë që nuk janë mësuar me kamerën, që nuk ndihen mirë me shëndet, apo që nuk kanë leje nga eprorët për të folur.

Disa herë u detyruam thjesht të përshëndesnim e të largoheshim.

Më në fund, një zonjushë me emrin Bora pranon të flasë.

Bora Gerbi shprehet: “Ne si agjenci merremi me shitblerjen se sa për qiranë. Por këto ditë ka patur kërkesa për shtëpi me qira. Pak a shumë kërkojnë shtëpi brenda unazës së vogël. Nga Durrësi kërkojnë shtëpi ata që iu janë dëmtuar banesat”.

Në agjenci të ndryshme ndodh të të japin sqarime të ndryshme, shpesh të kundërta, lidhur me dëshirat e njerëzve.

Kjo, padyshim lidhur me përvojën që kanë nga klientët e tyre, por edhe nga interesi i biznesit që përfaqësojnë, pasi ka agjenci që edhe së fundi edhe ndërtojnë.

Nuk dihet nëse efekti i tërmetit do të jetë afatgjatë dhe do ta ndryshojë hartën e banimit në kryeqytet.
E qartë që do të jetë e vështirë që të kënaqen të gjitha kërkesat për kate të ulëta, e ndoshta kjo mund të bëjë që një pjesë e ambienteve të bizneseve të vegjël në katet përdhe të ndryshojnë destinacion e të jenë për banim.
Dihet se gjithçka ecën sipas kërkesave të tregut.

Gjithsesi, pavarësisht tërmetit, Tirana mbetet një destinacion i preferuar, qyteti metropol i punës dhe i financës.
Ndërtimet do të vazhdojnë pavarësisht sesa e paqartë të jetë e ardhmja, dhe e vetmja zgjidhje për fatlumët do të jetë largimi nga Shqipëria.

@tn.lajmelokale
@tetovanews