Ballina Lajme Shqipëri Tërmeti/ Rrëfimi i trishtë i 100-vjeçarit nga Kruja: Nuk e kam përjetuar...

Tërmeti/ Rrëfimi i trishtë i 100-vjeçarit nga Kruja: Nuk e kam përjetuar kurrë një gjë të tillë (VIDEO)

Dimri që ka filluar i ftohtë e i lagësht është shqetësimi i shumë prej banorëve të fshatrave të prekura nga tërmetet. Ata qëndrojnë në çadra, por ankohen se natën në to është shumë ftohtë dhe kur bie shi, uji hyn brenda. Askush nga këta banorë nuk e kishte menduar se do të vinte dita që gjithë ajo çfarë kishin ndërtuar për vite të tëra, do të gjendej përtokë.

Dimri që ka filluar i ftohtë e i lagësht është shqetësimi i shumë prej banorëve të fshatrave të prekura nga tërmetet. Ata qëndrojnë në çadra, por ankohen se natën në to është shumë ftohtë dhe kur bie shi, uji hyn brenda. Askush nga këta banorë nuk e kishte menduar se do të vinte dita që gjithë ajo çfarë kishin ndërtuar për vite të tëra, do të gjendej përtokë.

Në Mazhë të Krujës jeton një plak i moçëm me gjithë kuptimin e fjalës. Ramazan Rushi është 100 vjeç dhe tregon se atë që përjetoi në 26 nëntor, nuk e ka përjetuar në asnjë ditë të jetës së tij të gjatë.

Ndërsa Xhevrie Rrushi thotë se e gjithë shtëpia e tyre, për të cilën kishin punuar vite me radhë, tashmë është e shkatërruar, dhe e vetmja shpresë për ta është shteti.

Kadri Rrushit, një tjetër banor i fshatit Mazhë, tërmeti ia ka shkatërruar shtëpinë. Ai jeton vetëm me bashkëshorten e tij Fatmirën, ndërsa fëmijët i kanë larguar prej aty, për shkak të kushteve shumë të vështira.

Në këtë pallat tashmë të shembur në fshatin Bubq, para 26 nëntorit jetonte edhe Shpëtim Shullazi. Për të jeta s’ka qenë aspak e lehtë, sepse përveçse duhej të kujdesej për një nga dy djemtë e tij, i cili është me aftësi të kufizuara, përpara dy vjetësh humbi bashkëshorten. Shpëtimi prej ditësh jeton në garazhin e makinave me të birin, i cili gjen ngushëllim vetëm kur përqafon babanë.

Agim Prreni jeton në një fshat tjetër afër Bubqit, por shtëpia e tij është e shembur plotësisht dhe ai me bashkëshorten dhe 2 vajzat jetojnë në një kasolle. Nadire Sederi na tregon përjetimet e 26 nëntorit, teksa thotë që është një mrekulli që ata kanë shpëtuar.

Shtëpia e Emine Dacit, nënës 67-vjeçare, është shembur plotësisht, e familjarët tashmë jetojnë në çadër, ku netët bëjnë ftohtë.

Edhe shtëpia e Qamile Dacit ka pësuar dëme të mëdha, duke i zënë të gjitha orenditë brenda. Ajo thotë se me 20 milionë lekë, që ka thënë kryeministri se do u japë, nuk mund të ndërtohet një shtëpi.

Kjo është situata në fshatin Bubq dhe Mazhë, dy fshatra, të cilat kanë dëmtime shumë të mëdha nga tërmeti. Banorët, shtëpitë e të cilëve janë dëmtuar, po jetojnë në çadra, por thonë se ato nuk i mbrojnë e dimri është ende i gjatë./ BW