Ballina Aktualitet “Te kontenierët bëri ato filmimet dhe iku. Ne e pritëm…” (Video)

“Te kontenierët bëri ato filmimet dhe iku. Ne e pritëm…” (Video)

Nga Esiona Konomi

Kryeministri Rama transmetoi disa pamje nga Manza ku banorët ishin sistemuar në kontenierë që kishin madje dhe kondicionerë. Por kronikat televizive konstatojnë një realitet tjetër, 10 metra më tutje, familjet kaluan natën mes baltës e shiut. Në çadër, prej 12 ditësh është edhe një familje me një foshnjë 2 muajshe.

Në Facebookun e kryeministrit u transmetuan këto pamje nga Manza. Familje të sistemuara në disa kontenierë.

Por 10 metra më tutje, ABC News konstatoi se në këto çadra, kanë kaluar natën dhe vijojnë të jenë ende 35 familje.

“Jetojmë në kushte ekstreme, baltë, shi, uji na hyn brenda”.

Shirat e fundit e kanë rënduar gjendjen. Fëmijë e pleq enden mes baltës dhe dyshekët që i presin për në mbrëmje, janë qullur nga reshjet….

Por kryeministri nuk i vizitoi këto çadra….

“Erdhi Edi Rama te shkolla dhe këtu nuk erdhi të shihte se ku jetojmë. Ai duhet të vinte të shihte familjarët këtu si jetojmë. Shkolla është ndryshe, familjarët janë ndryshe, ne nuk rrimë për qejf këtu”.

“Erdhi te kontenierët, bëri ca filmime dhe iku. Ne e pritëm, me shpresën se do vinte të na shikonte, në cfarë kushtesh jetojmë”.

Zëvendës ministrja Ornela Çuçi i raporton kryeministrit se si janë zgjedhur familjet për tu strehuar në kontenierë.

“Kemi akomoduar fillimisht nga cadrat, të gjithë fëmijët që kanë qenë 0 deri në 1 vjec. Pastaj me prioritet duke u rritur pastaj invalidtë”.

Por edhe kjo rezulton e gënjeshtërt.

Ne takuam në çadër këtë nënë me foshnjen 2 muajshe, dhe me burrin invalid. Ata nuk janë në kontenierë.

Gazetarja: Sa muajsh është fëmija?

Nëna e foshnjes: 2-muajsh.

-Keni humbur shtëpinë?

-PO, në fakt ne jemi qiraxhinj. Të pastrehë jemi, tani ajo banesë është e pabanueshme.

–Si i keni kaluar këto netë?

–Me shumë vështirësi, sic e shihni vetë, uji hyn brenda në cadër, kushtet janë shumë të vështira.

–Keni patur ushqim?

–Për vete po, por për fëmijën jo. Kam kërkuar por askush nuk më ka sjellë.

–Ku e keni larë fëmijën?

–Nuk e kemi larë, ku ta lajmë. Vec e kemi fshirë me letra të lagura.

–Po te kontenierët nuk ju kanë dhënë asnjë mundësi?

–Jo nuk na kanë dhënë, futen me të njohur njerëzit atje.

Banorët e strehuar ende në çadra, kanë qenë përpara tërmetit në shtëpi me qera, ndaj për ta, qeveria nuk merr asnjë përgjegjësi, por ju kërkon të gjejnë një tjetër banesë po me qira.

Autorja është gazetare e Abc News

https://youtu.be/iS1bKfn5Gco

@tn.lajmelokale
@tetovanews