Ballina Aktualitet Të gjithë sytë te takimi Thaçi – Kurti, rivalët më të mëdhenj...

Të gjithë sytë te takimi Thaçi – Kurti, rivalët më të mëdhenj në 20 vjetët e fundit

Albin Kurti ka refuzuar edhe ftesën e tretë të presidentin të Kosovës, Hashim Thaçi, për të marrë mandatin për formimin e Qeverisë. Takimi i tyre pritet me shumë interes. Kjo për arsye të rivalitetit të madh mes Thaçit e Kurtit. Ata kurrë nuk kanë folur, as nuk janë përshëndetur publikisht me njëri-tjetrin. Thaçi mban titullin tradhtar nga Albin Kurti, kurse Presidenti i vendit, ndonëse sipas Kushtetutës konsensual dhe apartiak, ka akuzuar liderin e VV’së për financim nga Irani, e për pjemarrje në organizatën “Syri i Popullit”, që dyshohet se planifikonte ndër të tjera edhe vrasjen e Thaçit.

Në 20 vjetet e fundit, gjithçka që ka përkrahur Hashim Thaçi, ka refuzuar Albin Kurti. Thaçi në zyrë e Kurti në rrugë, të dy po mbronin qëndrimet e tyre diametralisht të kundërta.

Në shtatorin e vitit të kaluar, Kurti organizoi protestën e fundit kundër Thaçit në Prishtinë me sloganin “një popull s’i nënshtrohet një njëriu”. Atë ditë presidenti po lundronte në Ujëman.

E, zgjedhjet e fundit kanë nxjerrë Kurtin fitues të zgjedhjeve, për t’ia dhënë mundësinë që ta udhëheqë shtetin, bashkë me Thaçin.

Kurti ka caktuar datën e 6 janarit, i ditë ideale për takim mes të dyve. Tani topi ka mbetur në anën e presidentit.

Para caktimit të kësaj date, ai i ka refuzuar Thaçit tri ftesa zyrtare për t’i shkuar në zyrë e të mandatohet.

Përplasjet Kurti-Thaçi datojnë që prej dekadës së kaluar, kur Thaçi u zgjedh kryeministër dhe Kurti ende nuk kishte parti politike. Kurti organizonte protesta kundër Pakos së Ahtisaarit dhe kërkonte pavarësi të plotë, duke i quajtur kushtet e vëna në atë pako si jo të drejta për popullin shqiptar.

Pas futjes së Kurtit në Kuvend si parti politike, filluan përplasjet publike. Shumë qytetarë e mbajnë mend akuzën e Kurtit drejtuar, atëkohë kryeministrit, Thaçi se po vidhte para në të gjitha fondet shtetërore duke filluar nga autostradat e deri tek përmendoret e dëshmorëve. Thaçi ndërkohë e akuzonte VV’në se ishin të ndikuar nga Rusia.

Përplasjet dhe akuzat vazhdonin edhe më tutje.

VV sa herë shkonte Thaçi në takime ku ishte edhe Serbia e cilësonte Thaçin si tradhëtar. VV së bashku me partitë tjera formuan bllokun VLAN në vitin 2014, vetëm për të mos lënë PDK’në në vinte në pushtet pasi që e cilësonin si të rrezikshme për vendin. Megjithatë, PDK si fituese e zgjedhjeve arriti ta formojë qeverinë.

Kurti pastaj hodhi gaz lotsjellës në Kuvend. Së bashku me partinë e tij ai kundërshtonte ashpër Asosacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi, të cilat Thaçi i mbronte.

Kundërshtimin më të ashpër e bënë kur ishte puna pikërisht tek zgjedhja e presidentit, e për të cilën ishte propozuar Thaçi.

Deputet e VV’së ishin nxejrrë nga salla e Kuvendit, ndërkohë që jashtë saj kishte protesta të ashpëra nga aktivistë të VV’së.

Thaçi akuzonte VV’në edhe nga zyra e presidentit. Në një intervistë të tij për medie, ai doli nga tema dhe akuzoi VV’në se merrte fonde nga Irani. Po ashtu në një gjykim për tentim vrasje nga një anëtar i organizatës “Syri i Popullit”, ai dhe Kadri Veseli akuzuan Kurtin dhe VV’në se ishin të lidhur me këtë strukturë.

Kurti dhe VV kanë paditur Thaçin për këto deklarata, por që ende nuk kanë marrë përgjigje nga gjykata apo prokuroria.

Në një takim të organizuar nga Instituti Ridea, ku marren pjesë liderët e partive si dhe ambasadorë, Kurti nuk pranoi të i shtrinte dorën Thaçit si dhe e injoroi atë. Kurti në këtë takim kundërshtoi ashpër idenë e Thaçit për shkëmbime të territoreve me Serbinë.

“Nëse këtë vit nuk do të bëjmë marrëveshje ligjërisht detyruese në mes të Kosovës dhe Serbisë do të hyjmë në një zonë të rrezikshme të këtyre raporteve që mund të destabilizojnë gjithë rajonin”, kishte thënë Thaçi.

“Qëndrimi i qytetarëve është dhënë edhe në protestën masive, madhështore të 29 shtatorit të vitit të kaluar dhe do të mund të ipet edhe më fuqishëm në protestat e ardhshme. Unë po e përfundoj fjalën time fillestare duke theksuar që as dëshmorët ndër varre po u ngritën, nuk kanë të drejtë të falin tokë të Kosovës, lere më njerëzit e gjallë”, tha ai.

“Ne e dimë çka donë Serbia, ajo e thotë hapur dhe qartë. Delimitim, përkufizim me shqiptarët, praktikisht ndarje të Kosovës, për të vazhduar pastaj demilitim me Kroacinë për ndarjen e Bosnjës. Projekti është i vjetër, që besa as akterët nuk janë të rinj”, tha Kurti.

Tash së fundi Kurti dhe Thaçi ishin të dy të pranishëm në meshën për Krishtlindje. Edhe aty ata injoruan njëri tjetrin dhe nuk u panë afër.

Shkuarja e Kurtit tek Thaçi për marrjen e mandatit për formim të qeverisë pritet të jetë ngajrje që do të përcillet me interes të madh nga publiku në Kosovë./Express/

VIDEO bonus: Tërmeti në Shqipëri VIDEO nga Tetova: MOTI: PUBLICITET: PUBLICITET:
Loading...