Ballina Aktualitet Qeveria teknike, takohen të shtunën Zaev, Mickovski e Ahmeti

Qeveria teknike, takohen të shtunën Zaev, Mickovski e Ahmeti

Të shtunën takohen Zoran Zaev, Hristijan Mickoski dhe Ali Ahmeti. Liderët e tre subjekteve më të mëdha politike do të diskutojnë për Qeverinë teknike dhe zhvendosjen e mundshme të datës së zgjedhjeve. Nga VMRO-DPMNE-ja thonë se janë gati për Qeveri teknike dhe se më 12 prill do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Për ne as që bëhet fjalë të mos mbahen zgjedhjet. Nuk është kjo çështje për të cilën vepron kush si të dëshiron. Kishim takim liderësh ku të gjitha partitë politike u morëm vesh. Vetëm njëri nga liderët, duke e ditur se do të humb dhe nuk do të jetë asnjëherë më kryeministër, po tenton ta mbaj peng të gjithë shtetin. Zgjedhje më 12 prill do të ketë – tha Igor Janushev, Sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së.

BDI nuk sheh arsye për anulimin e zgjedhjeve. Sipas tyre, anulimi i mundshëm duhet bëhet me konsensus.

Nuk shoh ndonjë arsye për prolongimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare kur është vendosur me konsensus nga të gjithë liderët. Fundja nëse do të kishte ndonjë ndryshim kjo do të duhej të ishte me konsensus të përbashkët – u shpreh Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Kreu i Kuvendit alarmon liderët politik. Nëse Qeveria teknike nuk votohet më 3 janar, zgjedhjet e 12 prillit do të ishin jo kushtetuese.

Nëse më 3 janar nuk ka Qeveri teknike, nënkuptohet se nuk mund të ketë zgjedhjeve të parakohshme në përputhje me Ligjin për Qeveri sepse nëse organizohen zgjedhjet pa këtë element mund të jenë lëndë trajtimi para Gjykatës Kushtetuese – deklaroi Talat Xhaferi, Kryetar i Kuvendit.

Kundër anulimit të zgjedhjeve janë edhe partitë opozitare shqiptare, Aleanca për Shqiptarët edhe Lëvizja Besa. Referuar konsensusit mes subjekteve politike, më 3 janar Qeveria duhet të merr karakterin teknik, më 11 shkurt duhet shpërndahet Kuvendi ndërsa më 12 prill të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Kryeministri Zoran Zaev tashmë disa herë ka paralajmëruar se më 3 janar mund të mos tërhiqet, derisa opozita vazhdon obstruksionet në Kuvend ndaj ligjeve ekonomike, rritjes së pagave dhe pensioneve. VMRO-DPMNE-ja thotë se do të mbështesin ligjet me interes për qytetarët, përjashtim Ligjit për lëndët narkotike, ndryshimeve në Kodin Zgjedhor dhe Ligjin për Mbrojtje. Për 40 propozim ligje që duhet miratuar deri më 31 dhjetor, pushteti dhe opozita kanë arritur konsensus.

@tn.lajmelokale
@tetovanews