Ballina Aktualitet Në Tetovë po ndodh një “déjà vu” e trishtueshme

Në Tetovë po ndodh një “déjà vu” e trishtueshme

Altrim Mamuti

Ditëve të fundit, edhe pse larg syve të publikut, po jo edhe tonin që ndjekim me vëmendje çdo hap të këtij pushteti të inkriminuar, por ndodh një dezhavy. Po them dezhavy sepse kjo tanimë është bërë standard, është bërë zakon që, në prag të zgjedhjeve, për çudi, si pushtetit qendror, por edhe atij lokal, t`iu kujtohet se, në sektorë të ndryshme, siç është administrata, Ndërmarrja publike, por edhe zjarrfikësit, t`iu kujtohet se paskan nevojë për shtim kapacitetesh, punësime të reja, edhe atë pa asnjë kriter, apo jo siç e kërkon Ligji, me kërkesë në Entin për Punësim, por me kërkesa nëpër shtabet partiake.

Teuta Arifi, nuk e ka problem tani të punësojë, sepse shumicën e popullatës së gatshme për punë, ajo por edhe partia e saj, i detyruan që të ikin nga ky vend, dhe të kërkojnë që bukën e gojës ta nxjerrin në Gjermani, Itali e gjetiu, ndërsa këtë pjesë të vogël që ka mbetur, ta punësojë për ca muaj, derisa të vij dita e votimeve dhe pastaj, si gjithnjë, ata nuk duhet të hanë bukë dhe kontrata e tyre prishet me arsyetimet më banale të mundshme.

Dhe sikur kjo të mos i mjaftojë kryetares Arifi, ajo tani është kujtuar se Tetova ka shumë nevoja dhe se duhet të bëj diçka. Duke filluar nga projektet e inkriminuara që bëhen nga tre katër apo pesë herë sepse, projekti i parë nuk paska qenë i suksesshëm!!!

Kështu veproi me murin mbrojtës të Banjës së Tetovës, kështu veproi me rrugën 172 dhe asfaltimin pa asnjë kriter, kështu veproi me rrugën për tek stadiumi i qytetit me asfaltim pa asnjë kriter, duke e prishur vetëm disa ditë më pas asfaltin sepse paskan harruar sistemin e ujit dhe kanalizimin. Por dihet mirëfilli se, kjo, pak ka të bëj me gjoja se harresat! Jemi mësuar më se këto që ju i quani harresa, në të vërtetë kanë të bëjnë me rihapje të tenderëve dhe shfrytëzimin e mundësisë për të keqpërdorur për një projekt dy tre apo katër herë paratë e qytetarëve.

E nderuara kryetare, nëse vërtetë doni të investoni diçka në qytetin e Tetovës, po ua rikujtojmë vetëm ekspozitën që vet ju në vitin 2013 e hapët para shtëpisë së kulturës dhe mungesat e qytetit që vetë ju i ekspozuar, duke premtuar tek qytetarët se, po ju citoj:

-Një nga një të gjitha do i bëjmë, duke përmendur madje edhe një Tetovë evropiane, e cila, si duket, mbeti vetëm në kujtesën tuaj që tani me shumë mund doni ta fshini edhe nga kujtesa jonë.

Thatë se do e bëni kinemanë – por e keni ngatërruar dhe keni bë vetëm (siç thotë populli) filma…

Thatrë se do e bëni bibliotekën, por e paskeni pasur për ta zhbë atë duke e thyer në kurriz projektin e saj…

Thatë se do i bëni shkollat në Reçicë të Vogël dhe në Sellcë, por e keni ngatërruar me vitalet në letër, ndërkohë që nxënësit, në temperatura tejet të ulëta, duke ju falënderuar juve kryetare, bëjnë nga dy e më tepër kilometra në këmbë, madje duke u përballur edhe me qentë endacakë, të cilët vetëm se po mashtroni veten se keni bë qendër për përkujdesje, sepse kapaciteti i saj kundrejt shifrës marramendëse të qenve endacakë është turp të përmendet.

E nderuar kryetare, në fund do ju përgëzoj vetëm për një gjë që nuk e keni premtuar por e keni realizuar më së miri. Shtimi i borxhit të komunës së Tetovës dhe largimin e qindra e mijëra të rinjëve nga Tetova si shkak i mungesave elementare jetësore, siguri, stabilitet financiar, infrastrukturorë etj etj etj .

@tn.lajmelokale
@tetovanews