Ballina Bota Në prag të shkarkimit? Donald Trump shkruan letrën e gjatë

Në prag të shkarkimit? Donald Trump shkruan letrën e gjatë

“Nuk kam kryer asnjë vepër penale”. Kështu e ka nisur Presidenti Donald Trump letrën e tij publike në përgjigje ndaj përpjekjeve për shkarkimin e tij. Trump i është drejtuar krye demokrates Nancy Pelosi, duke e akuzuar se i kishte shpallur luftë demokracisë amerikane.

Letra e Trump vjen ndërkohë që pritet të vendoset nëse ndaj tij do të ngrihen ose jo akuza zyrtare, për ta kaluar çështjen e shkarkimit Senatit Amerikan.

Një votim pro në Dhomën e Asamblesë do të çonte në gjykimin e presidentit në Senat. Në teori, Trump mund të shkarkohet nga detyra megjithëse kjo nuk ka gjasa, pasi do të duhej një shumicë prej dy të tretave në dhomën e kontrolluar nga republikanët.

Trump shkroi në letrën e tij se ai ishte “privuar nga Procesi Themelor Kushtetues që nga fillimi i këtij mashtrimi” .

Nuk jam i shqetësuar!”, shkruante Presidenti Trump.
“Ju jeni ata që keni ndërhyrë në zgjedhjet amerikane. Ju jeni ata që po shkatërroni demokracinë amerikane, që po pengoni drejtësinë. Ju jeni ata që po i sillni dhimbje e vuajtje republikës sonë për përfitime personale dhe politike” shkruante presidenti.

Ndërkohë zonja Pelosi i ka dërguar një letër demokratëve të Dhomës së Përfaqësueve ku shkruante ndër të tjera se me votimin për të miratuar zyrtarisht akuzat me qëllim shkarkimin e presidentit ata do të ushtrojnë “një nga fuqitë më solemne që u ka dhënë Kushtetuta”, siç shprehej ajo.

“Për fat të keq, faktet e kanë bërë të qartë se Presidenti ka abuzuar me detyrën për përfitim personal e politik. Ai pengoi Kongresin duke pretenduar se nuk mund të japë llogari, se qëndron mbi Kushtetutën dhe mbi popullin amerikan…Në Amerikë, askush nuk është mbi ligjin”, shkruante zonja Pelosi.

Sipas rregullave të miratuara të martën, Dhoma e Përfaqësuesve pritet të debatojë për gjashtë orë lidhur me akuzat e ngritura ndaj presidentit. Zoti Trump akuzohet për abuzim me detyrën për shkak të përpjekjeve të dyshuara për t’i bërë presion Ukrainës që të ndërhynte në zgjedhjet amerikane të 2020-s si dhe për pengim të hetimeve që po kryente Kongresi mbi këtë çështje.

Votimi pritet të mbahet sot në mbrëmje, kur presidenti Trump do të jetë duke mbajtur një fjalim gjatë një tubimi fushate në shtetin e Miçiganit.

Ngritja zyrtarisht e akuzave pritet të marrë miratimin e Dhomës së Përfaqësuesve në kushtet kur demokratët e kontrollojnë atë, por me kundërshtimin e pakicës republikane.
Më pas çështja i kalon për gjykim Senatit proces që pritet të nisë në muajin janar. Për shkarkimin e presidentit do të nevojiteshin votat e dy të tretës së anëtarëve të Senatit ndaj dhe nuk ka gjasa që kjo të ndodhë në kushtet kur Senati kontrollohet nga republikanët.

@tn.lajmelokale
@tetovanews