Ballina Aktualitet Ndërtimet pa leje, në Strugë ka 3330 objekte

Ndërtimet pa leje, në Strugë ka 3330 objekte

Gjithsej 3,330 objekte të paligjshme ekzistojnë në territorin e Komunës së Strugës. Kjo qëndron në Regjistrin e Objekteve të Paligjshme, që Komuna e Strugës i dorëzoi në Ministrinë e Transportit dhe Lidhjeve, mëson Alsat. Bëhet fjalë për objekte, tarraca dhe infrastrukturë tjetër. Kjo sot u konfirmua për Alsat nga ministria përkatëse. Por, nëse dhe sa prej tyre janë në pjesën e mbrojtur, nga Transporti nuk zbardhin. Prandaj për këtë përgjigje ka Merko:

… Këto pyetje që ju i bëni nuk janë për një deklaratë, d.m.th në Strugë siç kam thënë deri më tani, nuk ka ndërtime pa leje në zonën e mbrojtur”-tha Ramiz Merko, Kryetar i Komunës së Strugës.

Por, Aleanca për Shqiptarët nuk pajtohet me pretendimet e kryetarit.

Situata në terren dëshmon të kundërtën … Kryetari i komunës thotë se në Strugë nuk ka objekte pa leje në zonën e mbrojtur. Atëherë e pyesim publikisht: Cili është statusi, ose si i trajtojnë objektet e ndërtuara me dimensione të mëdha, të materialit të fortë, që përdoren për çfarëdo qëllimi, dhe në asnjë moment si pajisje urbane? “-thonë nga Aleanca për Shqiptarët.

Koordinatori Kombëtar i UNESCO-s, Ministri Edmond Ademi, dje tha për Alsat, se Merko refuzon të dorëzojë dokumentacionin me objektet pa leje, duke lënë publikun me përshtypjen se diçka po fshihet. Kohët e fundit, Komisioni Kombëtar i UNESCO-s, gjatë Kontrollit në Bregun e Liqenit të Strugës, ka identifikuar disa ndërtime në liqen dhe se e gjitha kjo duhet të largohet, për të cilën gjë kanë marrë garanci nga vetë kryetari i komunës. Por, Merko thotë se edhe këtu gjithçka është në rregull.

Komisioni erdhi dhe e shqyrtoi plotësisht tërë vijën e bregut të liqenit dhe nuk ka objekte që të prisheshin”-pohoi Ramiz Merko, Kryetar i Komunës së Strugës.

Komuna e Strugës me dy muaj vonesë dorëzoi regjistrin e objekteve pa leje. Edhe pse afati i fundit ishte tetori, që atëherë kanë kaluar dy muaj. Por, a do të ketë edhe në Strugë rrënim të këtyre objekteve, siç ndodhi në Ohër, nuk dihet ende.

VIDEO bonus:
Loading...