Ballina Aktualitet Maqedonia e Veriut Macroni sfidon presionin e BE-së për negociatat: Nuk janë gati as Shqipëria,...

Macroni sfidon presionin e BE-së për negociatat: Nuk janë gati as Shqipëria, as Maqedonia e Veriut!

Presidenti francez Macron përsëriti në Londër qëndrimin se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria nuk janë gati për nisjen e negociatave me BE. Ai sfidon strategjinë e presionit publik evropian ndaj tij, shkruan Auron Dodi për DW.

Fillimisht, menjëherë pas jo-së së parë të Macronit pasoi rezoluta e Parlamentit Europian, e cila kërkon nisjen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Pastaj kryetarja gjermane e Komisionit të ri Europian, Ursula von der Leyen u shpreh në krye të mandatit se do të këmbëngulë, që “ndryshimet proceduriale (të kërkuara nga Franca) të bëhen gradualisht, dhe që shteteve t’u jepet mundësia të nisin negociatat e anëtarësimit”.

Argumenti gjeopolitik u përsërit këtë javë nga ministrja gjermane e Mbrojtjes dhe kryetarja e CDU-së në pushtet në Gjermani, Annegret Kramp-Karrenbauer.

Të dielën ajo tha në Kosovë se ka sfida të reja që i vijnë këtij rajoni. “Ne ndiejmë një ndikim në rritje të Rusisë dhe Kinës”, u shpreh Kramp-Karrenbauer, kujton DW. Komisioneri i ri për zgjerimin e BE, hungarezi Oliver Varhelyi ka deklaruar se në fillim të janarit 2020 Komisioni Europian do të paraqesë një propozim konkret, për të ndryshuar metodologjinë e zgjerimit të BE.

Por sipas burimeve të DW, Varhelyi shtoi se perspektiva europiane e Ballkanit Perëndimor nuk është në pikëpyetje, ajo “nuk do të diskutohet”. Për ta konfirmuar këtë ai tha se do të hapet një kapitull i ri i negociatave të BE me Serbinë.

Këto janë deklarata të rëndësishme të politikanëve gjermanë dhe europianë që kërkojnë që reformimi i BE të bëhet paralelisht me zhvillimin e negociatave. Por gjasat që Franca t’i përmbahet në vazhdimësi bllokimit të nisjes së negociatave me kandidatët nga Ballkani janë padyshim reale.

Më reale duket këmbëngulja e Macronit për ta ngadalësuar të gjithë procesin e afrimit të kandidatëve me BE deri në një pikë të caktuar: deri atëherë sa Francës, e cila mendon se nga zgjerimi i BE përfiton në radhë të parë Gjermania, t’i ofrohen lëshime në fronte të tjera të politikës evropiane, ku deri tani mbështetja gjermane për idetë franceze ka qenë e vakët.

P.sh. për bashkimin bankar në Eurozonë, ku Gjermania ka sinjalizuar së fundi zbutjen e qëndrimit të saj me një propozim që paraqiti. Ose për një buxhet më të madh për eurozonën. Bllokimi francez i disa proceseve në BE erdhi pikërisht kur Presidenti francez u ndje i pambështetur në vrullin e tij për të reformuar Bashkimin Evropian.

@tn.lajmelokale
@tetovanews