Ballina Aktualitet Lëvizja Besa: Nevojiten reforma serioze në sistemin e drejtësisë (VIDEO)

Lëvizja Besa: Nevojiten reforma serioze në sistemin e drejtësisë (VIDEO)

Sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes BESA, Arjanit Hoxha, sot përmes një press konference ka reaguar rreth shqyrtimit të gjykatës kushtetuese për iniciativën e ish presidentit Gjorge Ivanov për amnesti, gjë që nëse ndodh, sipas BESËS, do ishte edhe një goditje shumë e rëndë për sistemin gjyqësor ose thënë ndryshe gjyqësori do pësonte vdekje klinike:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Të nderuar qytetarë,

Jemi dëshmitarë se kjo qeveri u formua mbi premtimin se do rikthejë shtetin e së drejtës, se drejtësia do jetë e njejtë për të gjithë pavarsisht përkatësisë etnike, fetare, kulturore apo ndonjë përcaktimi tjetër.
Për fat të keq ashtu si kalon mandati i këtij pushteti, ashtu po thellohen problemet në sistemin e drejtësisë, dhe në vend që të kemi përmirësim, përkundrazi kemi vetëm skandale të njëpasnjëshme dhe përkeqësim të funksionimit të sistemit gjyqësor.

Për të qenë të sinqertë kjo qeveri duhet të pranojë se sundimi i ligjit dhe shtetit të së drejtës filloi teposhtëzën e saj në momentin kur Kryeministri i vendit ofroi të ashtuquajturën “pajtim nacional” me ç’rast u bë amnestim i disa deputetëve që ishin të kyçur në dhunën e 27 Prillit të vitit 2017, ku u bë ndëryhrje brutale në Kuvendin republikan.

Pas kësaj vijuan edhe ngjarjet skandaloze si ikja e Nikolla Gruevskit, prolongimi i dënimit për Jankulovskën, futja në labirinthet e gjykatave të lëndëve ku të akuzuar kanë qenë ish pjesëtarë të regjimit të kaluar dhe gjithë kjo kulmoi kur nëpër gjykata filloi edhe vjetërsimi i lëndëve që hetoheshin nga Prokuroria Speciale.

Që ironia të jetë më e madhe gjithë kjo katrahurë në sistemin gjyqësor kulmon kur Gjykata Kushtetuese po merr në shqyrtim iniciativën për të abroguar një nen nga ligji për amnesti me çrast do ishte kthyer në fuqi abolimin skandaloz që nënshkroi ish Presidenti Ivanov, gjë që nëse ndodh do ishte edhe një goditje shumë e rëndë për sistemin gjyqësor ose thënë ndryshe gjyqësori do pësonte vdekje klinike.

Lëvizja BESA në vazhdimësi ka apeluar që për të filluar reformat e mirëfillta dhe cilësore është më se e nevojshme që Presidenti i shtetit Stevo Pendarovski të marrë në konsideratë propozimin tonë për të inicuar formimin e një komisioni shtetëror i cili do ishte i përbërë nga ekspertë të brendshëm por edhe nga ekspertë të jashtëm si nga SHBA dhe Bashkimi Evropian, dhe përmes këtij komisioni të fillon reforma e plotë, cilësore dhe thelbësore në gjitha nivelet e gjyqësorit dhe prokurorisë.

Në drejtim të apelit shumë mujor të Lëvizjes BESA ishte edhe mesazhi i kryeministrit Zoran Zaev ,i cili para disa ditëve kërkoi nga komisioni për anti-korrupsion që të hetojë në detaje pasurinë e çdo gjykatësi dhe prokurori. Për t’ia lehtësuar kryeministrit Zaev i propozojmë që në Kuvend të sillet ligj ku do pamundësohet që familjarë të afërt me funksionarë politik të jenë të punësuar si gjykatës apo prokurorë, gjithashtu të sanksionohet me ligj që pjesëtarë nga rrethi i ngushtë familjar mos kenë të drejtë të jenë edhe avokatë edhe gjykatës ose prokurorë, pasi që ky lloj i nepotizmit dhe ky konflikt interesi ka sjellë gjyqësorin në situatën aktuale ku kemi të rrënuar në tërrësi gjithë sistemin e drejtësisë së vendit.

Shpresojmë që apelet e kryeministrit Zaev të jenë të sinqerta dhe qëllim mira, dhe nuk do kishim dashur të besojmë që gjitha skandalet që kanë ndodhur në gjyqësor pas 27 Prillit të vitit 2017 janë të lidhura në një apo mënyrë tjetër me të ashtuquajturën iniciative për pajtim që inicoi kjo qeveri e udhëhequr nga LSDM dhe BDI.

Maqedonisë së Veriu i duhet urgjent një reformë serioze, thelbësore dhe cilësore e sistemit të drejtësisë, përndryshe me këtë sistem të drejtësisë me qasje selektive, të partizuar, të korruptuar dhe jo funksionale ky shtet asnjëherë nuk do mund të krijojë të ardhme të sigurtë.

Sekretari Gjeneral, Arjanit Hoxha

Lëvizja BESA
04.12.2019

https://youtu.be/KjTJhc5FUmI

@tn.lajmelokale
@tetovanews