Ballina Opinione Kush po i frikëson Albinin e Isën?

Kush po i frikëson Albinin e Isën?

Nga Adriatik Kelmendi

LVV-ja dhe LDK-ja po frikësohen mos po “e bluajnë” njëra-tjetrën. Qytetarët, të cilët i kanë votuar, nuk e kanë pasur as këtë frikë e as këtë dert. Derti e frika kryesore e qytetarëve është se, mos edhe kësaj here, njëjtë si më 2017-n, për shkak të kapriceve e kalkulimeve të politikanëve, vullneti i tyre i shprehur në zgjedhje nuk do të arrijë të vihet në jetë

PA E KUPTUAR qartë Lëvizja Vetëvendosje se nuk i ka fituar mbi 50 për qind të votave, si dhe pa e kuptuar qartë Lidhja Demokratike e Kosovës se i ka humbur zgjedhjet, duket se do ta kenë të vështirë të nënshkruajnë marrëveshje për koalicionin qeveritar.

Mirëpo, që të dyja duhet ta kenë parasysh atë që e kanë të qartë votuesit – ata kanë votuar me mbi 50 për qind bashkë këto dy parti në mënyrë që t’i përmbushin premtimet e tyre të dhëna në fushatë dhe parafushatë. Në mesin e premtimeve të tyre, përfshirë zotimet programore, ka qenë se cilido që të jetë rezultati, këto dy parti janë pajtuar që t’i formojnë bashkë institucionet e reja.

Tash e një javë rezultati dihet edhe zyrtarisht. Vetëvendosje është partia e parë me 26.27 për qind dhe do të ketë 29 deputetë në përbërjen e re të Kuvendit. LDK-ja është e dyta, me 25.55 për qind dhe një deputet më pak, 28 gjithsej.

Edhe një gjë tjetër është e qartë: Albin Kurtit i takon ta udhëheqë qeverinë e re të koalicionit LVV-LDK. Askush, nga të dyja kampet, nuk e ka vënë në dyshim këtë. Atëherë pse kjo ngecje?

DËSHTIMI I TAKIMIT të së hënës, i paralajmëruar me pompozitet si takim kur përfundimisht do të nënshkruhej marrëveshja e koalicionit LVV-LDK, sikur vërtetoi një hamendje të ditëve të fundit. Kurti dhe Mustafa, po, kishin caktuar grupet punuese për të punuar në program të përbashkët, por edhe kishin blerë kohë, duke mbajtur letrat e pokerit në dorë deri në çastin e fundit. Kur letrat u hapën, u pa se, megjithatë, të dy liderët nuk mendojnë njësoj për ndarjen e fuqisë institucionale ndërmjet partive të tyre.

Pra, ata të dy, bashkë me grupet e tyre punuese, ironikisht e patën shumë të lehtë të arrijnë pajtueshmëri për çështjet të cilat i kishin ndarë skajshmërisht gjatë shumë vjetëve – siç janë demarkacioni, “Zajednica”, dialogu me Serbinë dhe taksat – por po marrin në thua kur po flitet “hise” në institucione, ndarjen e posteve.

Një fjalë përkufizuese e përbashkët e kësaj çfarë po shohim pa asnjë dyshim është – frika.

LDK-ja KA FRIKË se duke qenë brenda një qeverie të përbashkët me një parti tjetër, e cila e ka vetëm një deputet më tepër, por ka një kryeministër karizmatik si Albin Kurti dhe ka gjysmën e ministrive, atëherë mund të mbetet krejtësisht në hije. Posti i kryetarit të Kuvendit duket se nuk po ia përmbush ndjenjën e barazisë, për shkak të kompetencave të kufizuara që ka. Ose, siç e ka përdorur saktë figurën nënkryetari Haziri, LDK-ja druan se Kurti do ta bluajë atë si parti.

Gjatë gjithë historisë së saj të gjatë politike, LDK-ja është mësuar që të ketë ose postin e kryetarit të Republikës, ose të udhëheqë qeverinë, ose të jetë partia më e madhe opozitare (hiq periudhën deri para ndarjes së grupit të deputetëve të LVV-së dhe rreshtimit të tyre si PSD). Mirëpo, asnjëherë deri më tash, që të jetë në pushtet por të mos e ketë as postin e kryeministrit e as atë të presidentit, duke u kënaqur “vetëm” me postin e kryeparlamentarit. Për këtë arsye LDK-ja, si një siguresë mbajtjeje të relevancës së pushtetit real në Kosovë, e sheh balancimin me marrjen e postit të presidentit. Sipas kalkulimit të tyre, megjithatë, partia e parë ka vetëm një deputet më shumë dhe pa këtë balancim mund të humbin shumë.

Sidoqoftë, as Albin Kurti s’ndodhet në ndonjë pozicion më të volitshëm. Ai i ka fituar zgjedhjet. Ai ka dalë kandidati më i votuar për kryeministër. Pavarësisht se sa është përpara të tjerëve, ai është i pari. Pse të rrezikojë që një fitore të arritur me shumë vështirësi – si dhe të mohuar edhe nga zgjedhjet e vitit 2017, kur LVV-ja kishte dalë e para si parti – tash ta relativizojë, duke ia dhënë gjysmën e qeverisë, si dhe dy poste udhëheqëse institucionesh, një partie të cilën e ka mposhtur? LVV-ja druan se do ta relativizojë fitoren e 6 tetorit, nëse kryeministri i tyre do ta ketë në krahun e djathtë një president të LDK-së dhe në krahun e majtë një kryeparlamentar nga po kjo parti.

E PO, KURTI dhe Mustafa duhet ta gjejnë një zgjidhje, në mënyrë që t’u mbeten besnikë atyre mbi 50 për qind të qytetarëve, të cilët iu kanë besuar edhe si parti, edhe si mandatarë për qeverinë e ardhshme.

Ata kanë folur deri më tash për së paku dy mandate qeverisëse së bashku, me formulën 4+4, në mënyrë që, sipas tyre, ta kthejnë shtetin në rrugën e duhur. E duke folur për një periudhë kaq të gjatë të udhëtimit të projektuar të përbashkët në emër të së mirës së përgjithshme, është dashur t’i kenë në konsideratë edhe kthesat, të cilat mund t’ua prapojnë veturën në qoftë se katër duar synojnë ta drejtojnë timonin.

Në rastin konkret, LVV-ja dhe LDK-ja kanë mundur që të dakordoheshin edhe para 6 tetorit, se kur një ditë do ta kenë shumicën parlamentare, do të punojnë në reformën zgjedhore, me të cilën edhe zgjedhja e presidentit të Republikës do të varej nga vullneti i qytetarëve në zgjedhje presidenciale. Ose, nëse jo kjo, atëherë ta kishin të gatshme formulën se si do të bashkëpunojnë në zgjedhjen e presidentit, kur t’i vijë radha, sipas Kushtetutës. Momentalisht e dimë se nuk e kanë bërë të parën dhe po e kanë shumë të vështirë ta bëjnë edhe të dytën.

S’po i lë frika e bluarjes. Qytetarët, të cilët i kanë votuar, nuk e kanë pasur as këtë frikë e as këtë dert.

Derti e frika kryesore e qytetarëve është se, mos edhe kësaj here, njëjtë si më 2017-n, për shkak të kapriceve e kalkulimeve të politikanëve, vullneti i tyre i shprehur në zgjedhje nuk do të arrijë të vihet në jetë./koha.net