Ballina Kronika Kavalishenca ku humbi jetën kryekomisari e pabanueshme që më 21 shtator

Kavalishenca ku humbi jetën kryekomisari e pabanueshme që më 21 shtator

Kryekomisari Bajram Hajdarmataj është një nga viktimat që ndërroi jetë nga goditja e tërmetit 6.4 ballë të 26 nëntorit. Ndërkohë, mësohet se Shtëpia e Pushimit ku ndodhej Hajdarmataj në kohën që vendi u godit nga tërmeti, ka qenë e dëmtuar rëndë që nga tërmeti i datës 21 shtator.

Por, pavarësisht raportit të ekspertëve që e konsideruan me “rrezikshmëri të lartë”, godina nuk u mbyll, por vazhduan normalisht aktivitetet. Dhe, lëkundjet e fund nëntorit, sollën shkatërrimin e saj. Ndërkohë, sipas dokumenteve që ka siguruar “Fiks Fare”, Shtëpia e Pushimit në Durrës e ka pranuar edhe vetë që hoteli nr.4 në Kavalishencë ka qenë i shkatërruar që nga tërmeti i parë. Madje, ka bërë edhe një tender për të projektuar ndërhyrjet në këtë godinë.

Sipas këtyre dokumenteve, pas tërmetit të 21 shtatorit, është bërë një akt konstatimi nga disa ekspertë për hotelin nr.4. Në të thuhet se: U konstatuan dëme fizike të nuraturave. Objekti nuk mund të funksionojë në kushtet se si është në gjendjen aktuale, pasi muraturat e dëmtuara demonstrojnë rrezikshmëri të lartë! Megjithatë, në tërmetin e datës 26 nëntor, në godinë humbi jetën kryekomisar Bajram Hajdarmetaj. Në ambiente kishte edhe rreth 120 studentë, por fatmirësisht strehoheshin në një tjetër godinë.

Pak javë më parë,”, Shtëpia e Pushimit në Durrës, në varësi të Ministrisë së Brendshme, ka hapur një tender me objekt “Shërbim projektimi për hotelin nr. 4”. Fondi për këtë tender ka qenë rreth 50 mijë euro. Dokumenti është firmosur nga kreu i këtij institucioni, Ahmet Doda, ndërsa dokumentet duhet të dorëzoheshin deri më datë 18 nëntor. Në një dokument, është edhe objekti i punës që kërkohet.

Mes rreshtave, thuhet se “Pas tërmetit të datës 21 shtator 2019, në “Aktkonstatimi mbi situatën e objekteve/banesave në Hotelin Nr.4 të Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme në rajonin nr.5” të grupit të ekspertëve, të ngritur enkas për të bërë vëzhgimin e pasojave te tij në objekte të ndryshme në qytetin e Durrësit, u konstatuan dëme fizike të muraturave.

Nga konstatimet, lihet të kuptohet qartazi që objekti nuk mund të funksionojë në kushtet se si është në gjendjen aktuale, pasi muraturat e dëmtuara demonstrojnë rrezikshmëri të lartë”. Ndërkohë, në dokument thuhet se dëmet nuk mund të riparohen në sipërfaqe dhe se objekti është në kushtet minimale ekzistenciale, madje edhe me një amortizim “moral” dhe fizik të godinës. Për këtë arsye, kërkohet rikonstruksion total të objektit.

Por, konstatimet dhe paralajmërimet nuk dëgjoi askush, duke bërë që Shtëpia e Pushimit të vijonte aktivitetin e saj deri në tërmetin 26 nëntor, ku gjeti vdekjen Kryekomisari Bajram Hajdarmataj./Opinion.al