Ballina Aktualitet Kasami: Projekt-buxheti për vitin 2020, elektoral dhe shumë i dëmshëm për shëndetin...

Kasami: Projekt-buxheti për vitin 2020, elektoral dhe shumë i dëmshëm për shëndetin e ekonomisë, manipulim i madh me qytetarët (FOTO+VIDEO)

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami sot ka dalë në një konferencë për shtyp ku ka analizuar projekt-buxhetin e vitit 2020:

Që në fillim të kësaj analize mund të konstatojmë se ky projekt-buxhet, si më i larti në historinë e Maqedonisë, është një buxhet elektoral dhe si i tillë është shumë i dëmshëm për shëndetin e ekonomisë dhe i njëjti do të lërë pasoja afatgjata në ekonominë e vendit. Qeveria si propozues, me matematikat e saja ambicioze në përpilimin e projekt-buxhetit të vitit 2020, nuk është mbështetur në realitetin faktik që kemi në shtet. Që në fillim, nëse analizojmë strukturën e shpenzimeve buxhetore, do të shohim se shpenzimet korrente, që në esencë janë shpenzime joproduktive përbëjnë mbi 90% të strukturës së shpenzimeve totale. Situata bëhet edhe më kritike nëse analizojmë këtë relacion mes shpenzimeve korrente dhe atyre kapitale bazuar në realizimin e buxheteve paraprake, në bazë të kësaj analize shpenzimet kapitale nuk e arrijnë as 7% e shpenzimeve totale.

Tabela 1: Struktura e shpenzimeve buxhetore të projekt-buxhetit të vitit 2020

Duke analizuar vitet paraprake që nga viti 2016, do të shohim se kjo qeveri kurrë nuk ka arritur që të realizojë shpenzimet kapitale ashtu si i ka planifikuar. Në bazë të kësaj analize del se mesatarja e realizimit të shpenzimeve kapitale nuk arrin të tejkalojë as dy të tretat e shpenzimeve të planifikuara, që i bie se shpenzimet e planifikuara kapitale në vlerë prej 383 milion euro në variantin optimal mund të presim të realizohen jo më shumë se 245 milion euro, nëse nuk na përsëritet viti 2018 kur qeveria nuk arriti të realizojë as gjysmën e shpenzimeve kapitale të planifikuara. Në anën tjetër, shpenzimet korrente realizohen me përpikmëri ashtu si planifikohen, bile mund të ndodh të realizohen edhe mbi nivelin e atyre të planifikuara me buxhetin fillestar si që ndodhi në vitin 2018.

Tabela 2: Planifikimi, shkurtimi me rabalans dhe realizimi i investimeve kapitale në buxhetet e viteve 2016-2020

Nëse futemi më thellë në analizën e strukturës së të ashtuquajturave shpenzime kapitale do të shohim se nuk janë edhe aq kapitale dhe thuajse fare investime produktive, investime që supozohet se do të rrisnin vlerën e ekonomisë vendore, duke i mundësuar që në të ardhmen më lehtë të përballojë kostot e sektorit publik. Fillimisht nuk mund të quhen investime produktive blerja e mobiljeve dhe automjeteve, pastaj aktivet jo-financiare të cilat në esencë janë pagesa në emër të licencave për shfrytëzim të programeve dhe softverëve që i përdorin institucionet publike.

E vetmja vlerë vërtet kapitale dhe deri diku mund të vlerësohet edhe produktive janë investimet në objekte infrastrukturore. Dhe këtu do të shohim se ato janë që më së shumti pësojnë nga mosrealizimi i tyre. Nëse marrim shembull vitin 2018 do të shohim se investimet në objekte infrastrukturore nuk kanë tejkaluar as 50% e planifikimit me buxhetin fillestar. Nëse edhe në vitin 2020 na përcjellë i njëjti fat atëherë investimet e vetme të vërteta kapitale nuk do të tejkalojnë vlerën e 80 milion eurove, që i bie diku rreth 2% të shpenzimeve totale.

Tabela 3:
Struktura e shpenzimeve kapitale, Projekt-buxheti i vitit 2020 në raport me buxhetin e vitit 2018

Sa është situata kritike me qasjen e kësaj qeverie me financat publike mund të shohim edhe nga niveli i borxhit publik. Vetëm nga një aspekt i rritjes së nivelit të borxhit publik, ai i deficitit buxhetor, kjo qeveri ka arritur të rrisë borxhin publik për më shumë se 1 miliard euro gjatë mandatit të saj katër vjeçar (2017-2020)

Tabela 4: Rritja e borxhit publik shkaktuar nga deficiti buxhetor në nivel vjetor 2017-2020

Nëse analizës paraprake ia shtojmë edhe sasinë e kamatës të cilën e paguajnë qytetarët e këtij vendi do të shohim seriozitetin e situatës. Për 10 vite keqqeverisje (2011-2020) vetëm në emër të kamatave qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë paguar hiç më pak se 1 miliard euro.

Tabela 5: Kamatat e paguara për borxhin publik në nivel vjetor 2011-2020

Në përmbyllje të kësaj analize nuk na mbetet asgjë tjetër veçse të përsërisim atë që e konstatuam që në fillim të këtij teksti se këtë vit para nesh kemi edhe një buxhet elektoral dhe i njëjti si i tillë është shumë i dëmshëm për shëndetin e ekonomisë duke lënë pasoja afatgjata në ekonominë e vendit. Me fjalë tjera projekt-buxheti për vitin 2020 më shumë ka karakter manipulues se sa zhvillimor me çka kjo qeveri dëshmon edhe përmes numrave se energjinë e saj e ka të fokusuar në kamuflimin e realitetit dhe jo në zgjidhjen e problemeve reale të qytetarëve
Lëvizja BESA i kërkon qeverisë që urgjentisht të marrë në rishqyrtim projekt-buxhetin e vitit 2020 duke përpiluar një propozim të ri i cili do të ishte i qëndrueshëm dhe do të ishte një buxhet zhvillimor.

Nëse ky apel i joni do të has në vesh të shurdhër, atëherë deputetët e Lëvizjes BESA në Kuvend do të kërkojnë nga kolegët e tyre që ky buxhet të mos miratohet sepse dëmton rëndë ekonominë e vendit. Në të ardhmen Lëvizja BESA do të angazhohet që edhe përmes kufizimeve ligjore të garantohen investimet kapitale si komponent e sigurt buxhetore si dhe kufizimit të deficitit buxhetor, i cili nuk guxon të jetë më i lartë se kjo komponentë buxhetore, gjegjësisht komponenta e investimeve kapitale.

@tn.lajmelokale
@tetovanews