Ballina Suplement Dossier “Gjyshi im, ish-kryeministri Pandeli Evangjeli, u dha partizanëve faturat e shtëpisë që...

“Gjyshi im, ish-kryeministri Pandeli Evangjeli, u dha partizanëve faturat e shtëpisë që nga 1914-ta dhe ata s’na e sekuestruan…”: Dëshmia e rrallë e mbesës

Memorie.al publikon historinë e panjohur të Pandeli Evangjelit, ish-kryeministër në tre kabinete dhe Kryetar i Parlamentit Shqiptar për vite në periudhën e Monarkisë së Zogut, të rrëfyera nga mbesa e tij, Donika Stasa Evangjeli, e cila dëshmon se si i shpëtoi gjyshi i saj në vitin 1947 nga skuadra e partizanëve që erdhi për ta arrestuar dhe si e shpëtoi “xhaxhai” përkohësisht vilën e tij buzë Lanës nga sekuestrimi, pasi dorzoi të gjitha dokumentet dhe faturat të ruajtura që nga viti 1914-të. Zonja Evangjeli ruan në familjen e saj arkivin personal të gjyshit, ku ndodhen me dhjetra letra e dokumente historike tepër të rralla, ku midis të tjerash aty ruhet dhe një letër e rrallë e Peshkop Fan Noli, dërguar Pandeli Evangjelit më 20 nëntor të vitit 1920, ku bëhet fjalë mbi përpjekjet që po bënte ai lidhur me pranimin e Shqipërisë në Ligën e Kombeve.

Nga Dashnor Kaloçi

Plot 99 vite më parë, më 17 dhjetor të vitit 1920, Shqipëria u pranua si anëtare me të drejta të plota në Lidhjen e Kombeve dhe kërkesa për pranimin pranë asaj organizate, e cila iu dërgua Sekretarit të Përgjithshëm, z. Erik Drymond më 12 tetor të atij viti, u firmos nga përfaqësuesi i qeverisë shqiptare, Pandeli Evangjeli, i cili në atë kohë kryesonte delegacionin shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Po kush ishte Pandeli Evangjeli, cila ishte e kaluara e tij dhe çfarë funksionesh mbajti ai gjatë gjithë karrierës së tij politike në Shqipëri? Lidhur me këtë personalitet të politikës shqiptare të lënë në harresë dhe denigruar nga regjimi komunist i para viteve ’90-të, dhe pothuaj fare pak i njohur edhe nga historianët e studiuesit, veç të tjerash, flasin më së miri edhe një sërë dokumentesh e fotosh të ruajtura me shumë mundime e peripeci në arkivin e familjes së zotit Vangjel Stasa, nga bashkëshortja e tij Donika, e cila është mbesa e Pandeli Evangjelit.

Në ato mori dokumentesh, shumica e të cilave janë krejt të panjohura dhe nuk gjenden as në Arkivin e Shtetit, (në korrespodencen e Evangjelit me disa nga personalitetet më në zë të asaj kohe), ndodhet edhe një letër e rrallë e Fan Nolit, dërguar Evangjelit. Krahas publikimit të kësaj letre, në shkrimin që po botojmë më poshtë, po japim edhe një biografi të shkurtër të jetës së Pandeli Evangjelit, e cila, përveç dëshmive të mbesës së tij Donika Stasa, plotësohet edhe nga dokumentet e arkivit të familjes së saj.

Kush ishte Pandeli Evangjeli?

Sipas dokumenteve që ruhen në arkivin familjar të zonjës Donika Stasa, Pandeli Evangjeli u lind në vitin 1859 në qytetin e Korçës, por origjina e familjes së tij është nga fshati Shalës i Kolonjës. Mësimet e para ai i mori në vendlindjen e tij dhe më pas u shkollua në gjimnazin grek të qytetit të Korçës. Pas mbarimit të shkollës së mesme, në moshën 19-vjeçare, Pandeliu emigroi në Rumani, duke u vendosur në kryeqytetin e vendit, Bukuresht. Atje ai u punësua nga një tregtar shqiptar i quajtur Kostandin Eftimiu dhe shumë shpejt ra në kontakt me shokët e tij të fëmijërisë e patriotë të tjerë, që punonin në dobi të çështjes shqiptare. Në qytetin e Bukureshtit Pandeliu u aktivizua shumë shpejt me rrethet patriotike të shqiptarëve dhe falë punës së madhe që bëri, në janarin e vitit 1896, bashkëatdhetarët e tij e zgjodhën si kryetar të shoqërisë “Dituria”.

Si kryetar i asaj shoqate patriotike, në ato vite Evangjeli bashkëpunoi ngushtë dhe pati një korrespondencë të rregullt me shumë nga atdhetarët e personalitetet e Rilindjes Kombëtare shqiptare, si Visarion Dodani, Jani Vreto, Asdreni, Nikolla Naço, De Rada, Zef Skiroi, Edit Durham, Ibrahim Temo, Mehdi Frashëri, Mehmet Konica, Faik Konica, Ismail Qemali, Luigj Gurakuqi, Fan Noli, Sotir Kolea, motrat Qirjazi, Abdi Toptani, Jashar Erebara etj. Nën drejtimin e Evangjelit shoqëria “Dituria” botoi abetaret dhe shumë libra të tjera që u shpërndanë falas në disa nga trevat shqiptare. Po kështu nën drejtimin e Pandeliut shoqëria “Dituria” mbështeti fuqishëm hapjen e shkollës së parë shqipe në Korçë dhe e ndihmoi financiarisht atë. Në ato vite Pandeliu u angazhua edhe si publicist në shtypin e kohës, duke botuar disa artikuj me pseudonimin “Një shqiptar”. Ai u bë një nga nismëtarët e bashkimit të tre shoqërive, “Dituria”, “Shpresa” dhe “Drita”, në një shoqëri të vetme, e cila mori emrin “Bashkimi”, ku Pandeliu u zgjodh nënkryetar.

Takimi me Ismail Qemalin në Bukuresht

Në vitin 1912, pak kohë para shpalljes së Pavarësisë, gjatë vizitës së tij në Bukuresht, Ismail Qemali u takua personalisht me Pandeli Evangjelin, të cilit iu dorëzua edhe një kopje e process-verbalit të mbledhjes që u zhvillua me patriotët shqiptarë në hotelin “Kontinetal”. Pas shpalljes së Pavarësisë, Pandeli Evangjeli i dërgoi Ismail Qemalit dy pako me libra, të cilat përmbanin të gjithë legjislacionin dhe rregulloret e organizimit të shtetit rumun, të përkthyera në shqip, me shpresë që ato do të shërbein për organizimin e shtetit të ri shqiptar. Gjatë periudhës që qëndroi në Bukuresht, Pandeliu u martua me një vajzë rumune, të quajtur Maria, me të cilën ai pati vetëm një djalë, Lionelin, i cili u diploma për Shkenca Politike në Paris.

Në vitin 1913 Evangjeli mori pjesë në Kongresin e Triestes, ku u mblodhën shumë patriotë shqiptarë për të diskutuar rreth mbrojtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë. Në atë kongres Pandeliu u zgjodh sekretar, së bashku me Fuat Toptanin. Pas një aktiviteti të gjatë në dobi të çështjes shqiptare, në vitin 1914 Pandeli Evangjeli iu përgjigj thirrjes së Princ Widit dhe u kthye në Shqipëri, ku qeveria e porsakrijuar i ofroi atij postin e Prefektit të qarkut të Korçës. Në vitin 1917, si rezultat i rrëmujave që mbizotëronin në vend, Pandeliu u rikthye përsëri në Bukuresht, ku vazhdoi aktivitetin e tij patriotik. Pas mbarimit të Luftës së Parë Botërore, Pandeliu shkoi në Paris, ku mori pjesë në Konferencën e Paqes, si kryetar i delegatëve të Kolonive shqiptare të SHBA-së e Rumanisë. Ai qëndroi dy vite në Paris me shpenzimet e veta dhe në një letër që i dërgonte asokohe Pandeli Qirjazit, mes të tjerash, i shkruante: “Të prishura kam pasur shumë, por…le të shpëtojë Shqipëria, pa të gjitha i bëj hallall”.

Më 12 tetor 1920, në emër të qeverisë shqiptare, Evangjeli firmosi kërkesën për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve. Më pas, në zgjedhjet parlamentare të marsit 1921, Evangjeli u zgjodh deputet i Korçës dhe që nga ajo kohë e deri në prillin e vitit 1939 ai ka qenë vazhdimisht në Parlamentit Shqiptar, si dhe ka mbajtur funksionet më të larta: Kryetar Parlamenti, senator e Kryetar Senati, ministër i Jashtëm e Kryeministër në tre kabinete qeveritare. Nga posti i Kryeministrit ai hoqi dorë vullnetarisht në vitin 1935, kur ishte në moshën 76-vjeçare dhe që nga ajo kohë e deri në prillin e 1939-s ai shërbeu si Kryetar Parlamenti. Me pushtimin e vendit nga Italia fashiste, u tërhoq nga jeta politike dhe nuk pranoi asnjë ofertë honorifike nga qeveritë nën pushtim, duke refuzuar edhe të gjitha ftesat për ceremonitë zyrtare.

Komunistët e përzunë Evangjelin nga Tirana më ’47-ën”

Po ç’ndodhi me Pandeli Evangjelin pas mbarimit të Luftës dhe si u sollën komunistët që erdhën në pushtet në dhjetorin e vitit 1944 me politikanin e vjetër të karrierës, i cili kishte shërbyer për afro 30 vite në krye të shtetit shqiptar, duke mbajtur funksionet më të larta, që nga ai i prefektit, deputetit, Kryetarit të Parlamentit, ministrit e Kryeministrit? Lidhur me këtë, e mbesa e tij Donika Stasa (Evangjeli) dëshmon: “Në ditët e fundit të çlirimit të Tiranës, fytyra e fishkur e gjyshit tonë Pandeli u çel, dhe ai u gëzua pa masë kur mësoi se pushtuesit gjermanë ishin larguar nga vendi dhe Shqipëria ishte i lirë.

Por kur nuk kishin kaluar veçse disa ditë nga mbarimi i Luftës, në shtëpinë tonë aty buzë Lanës, (vila e madhe ku vitet e fundit ka qenë ambasada ruse), ia behën disa partizanë, të cilët kërkuan që ta arrestonin Pandeliun. Babai im Lioneli, u tha atyre se i ati, Pandeliu, ishte shumë i sëmurë dhe nuk lëvizte dot nga vëndi e, po të kishte mundësi, ai ishte i gatshëm që të shkonte me të në vend të babait. Por partizanët nuk ia vunë fare veshin fjalëve të babait tim, Lionelit, të cilit i thanë që të zbatonte menjëherë urdhrin e tyre, pra ta nxirrte babanë te dera. Por, për fat të mirë, në ato momente që po bëheshin ato diskutime, aty kaloi një partizane e quajtur Bule, e cila, si duket, kishte shumë influencë dhe përgjegjësi, pasi të gjithë partizanët e nderuan menjëherë atë me qëndrimin gatitu. Bulja iu drejtua partizanëve duku u thënë: “Çfarë po bëni ju, me “xhaxhanë” merreni.

Lëreni atë, se do bisedoj unë në komandë”. Pas fjalëve të Bules, e cila e quajti Pandeliun “xhaxha”, ashtu siç thërritej gjyshi ynë në shenjë respekti nga të gjithë, partizanët u larguan dhe ai i shpëtoi arrestimit. Por vetëm pak ditë më pas në shtëpinë tonë erdhën përsëri disa partizanë të tjerë, të cilët na dorëzuan urdhrin e sekuestros që ishte dhënë për shtëpinë tonë, duke na paralajmëruar që për dy ditë duhej të largoheshim që andej pa marrë asnjë gjë me vete. Ai urdhër sekuestro, me sa më kujtohet, ishte për ata që kishin vënë pasuri të paligjshme gjatë periudhës së Luftës. Por pas atij urdhri, gjyshi ynë nxori të gjitha dokumentet e faturat që i kishte ruajtur me kujdes që nga viti 1914, kur ai kishte ardhur nga Rumania në Shqipëri, duke llogaritur të gjitha shpenzimet e bëra.

Pas kësaj, urdhri për sekuestron e shtëpisë sonë u anulua dhe ne na lejuan që të qëndronim në Tiranë. Por edhe ai qëndrim nuk zgjati shumë, pasi në vitin 1947 gjyshin tim e dëbuan nga Tirana dhe ai u detyrua që të shpërngulej për në qytetin e Korçës, duke u strehuar tek krushqit e tij, në familjen Ballauri. Në atë qytet ai nuk jetoi shumë, pasi në vitin 1949, kur ishte në moshën 90-vjeçare, u nda nga jeta. Në varrimin e tij morën pjesë vetëm një grusht njerëzish, pasi ne konsideroheshim familje borgjeze. Edhe në vitet që pasuan familja jonë e vuajti luftën e klasave dhe babanë tim, Lionelin, i cili ishte diplomuar për Shkencat Politike në Paris, nuk e lejuan asnjëherë që të punonte në arsim si mësues i frëngjishtes.

Shkak për këtë nuk ishte vetëm biografia e familjes sonë dhe fakti që babai kishte shërbyer për shumë vite në periudhën e Monarkisë së Zogut, si sekretar i tretë në Ministrinë e Jashtme, por kërkesat e vazhdueshme që i bëheshin atij për të dorëzuar arkivin personal të familjes sonë. Por edhe pse babait ia vunë si kusht atë gjë, që të lejohej të punonte në arsim, ai nuk e dorëzoi arkivin, i cili edhe sot ruhet në shtëpinë tonë si një pasuri me vlera të mëdha”.

Letra e Nolit: Lordi Robert Cecil qasi Shqipërinë në Ligë

DELEGATION ALBANAISE RES DE LA LIGUE DES NATIONS.

 Hotel Monopole. Genevë, nëntor 20, 1920.

 I dashur mik dhe bir me Krishtin

Telegramet, letrat dhe paqetat me libra dhe memoranda i mora që të gjitha dhe ju falem nderit për shpejtësinë me të cilën m’i dërguat. Shpejtësia juaj në përgjigje dhe në punë nga njëra anë më mallëngjeu, po nga tjera anë m’a mbushi mendjen që ju edhe miku juaj Gega, nga mërgimi i gjatë në viset e huaja, jeni çkombsuar gjer me një pikë të tillë sa t’a neveritni zakonin e shenjtë të Shqipërisë, që e do çdo gjë me nge, me të fjetur dhe më në fund me të harruar fare. Si iti juaj me Krishtin, dhe veçanërisht tani që kam në dorë dokumentet e mëkatit tuaj, ju lutem ta veni re që nxitimi është vepër e djallit dhe që ljepuri duhet ndjekur e zënë gjithnjë me araba.

Një tjatër sent, që na hidhanon pa masë me ju të dy, është që nuk jini përleshur ende. Po ç’bëni ahere, ç’prisni? Ç’janë këto zakone të ra që na importoni? Mosni për emër të Perëndisë, se do të na e prishni Shqipërinë me këto mënyra kryengritëse.

Këto janë mjaft sa për tani, po kur të piqemi do t’ju flas gjer e gjatë, se jam alarmuar aqë shumë nga udha e shtrembër që na ka zënë, me të mbaruar misionin tim në Gjenevë, do të vinj në Paris që t’ju jap ca këshilla mbi ruajtjen integrale të zakoneve tona stërgjyshërore.

Në këtë mes, nemni leje t’ju thom ç’bëhet këtu:

Qasja e Shqipërisë u vu në në urdhrin e ditës në mbledhjen e Ligës, pasi shkeli këmbë Lord Robert Cecil-i, e disa delegatë deshën t’a hithnin në shporta kërkimin tonë, nga shkaku që kish arrirë në sekretariati pas 15-ës së tetorit. Inglia është indiferente dhe Italia krejt e ftohtë. Franca u ngroh dhe nënqesh që kur ra Venizelosi. Një zyrtar i lartë i sekretariatit dhe mik intim dhe i besuar i Clemencau-it na e bëri punën fusha dhe na tha që nga të dy ndalimet për hyrjen e Shqipërisë në Ligë, Greqia u eleminua krejt dhe Jugosllavia nofta do të mos kundërshtonjë shumë. Senatori Hafa Saine, delegat i Belgjikës, të cilin e njoh që nga Amerika, më tha me një siguri e cila uronj të jetë aqë e bazuar sa e kujton edhe aij, që Finlanda dhe Shqipëria do të qasen pa shumë bisedime. Iu luta të m’a përsëdytë, se kisha frikë mos na gënjyen rresht.

M’a përsëdyti. Svicra na sheh me sy të mirë, profesor Pitard-i dhe Du Bochet-i, redaktor në Journal de Geneve, punoj midis delegatëve helvetianë; presidenti Motta ish i pari që na ktheu kart-vizitën; këto ditë do t’a shohim. Spanja dhe republikat latino-amerikane na simpathizojnë. Edhe gjë e papritur, Japonia na bën me sy! Nga këto të gjitha ndonëse jam shumë pesimist, ju telegrafova fjalët “success probable”, të cilat ju lutem të m’i interpretoni kështu: “Munt t’i teket Safit të na gëzonjë me një shaka të pëlqyer!”.Nga ana jonë ja tani ca gjëra pozitive: Puna e …(nuk lexohet /shënimi i im, D. K.) do të bisedohet prej një komisioni nënë z. Robert Cecil-in, i cili esht i disponuar mir pa neve; si të bënje raportin ky komision përpara mbledhjes së ligës në favor a kundër, Senator Lafontaine i Belgjikës, do të marrë anën tonë me një fjalë mi Shqipërinë, që do t’a gatitin bashkë, pas këtë do të vërtitet Sir Said Ali Imami i Indisë, të cilin dot ‘u mpreh nesër për të mprojtur din-kardashit ilirian; këtyre le t’u mbajë bason një katolik i nxehte i Spanjës, i Chilisë, i Argjentinës, a që të tre bashkë; pa sikur të marreë pjesë në ktë tavatur Bar Hayashi i Japonisë, të cilin do t’a shoh nesër të paktën Phya Buri Tavarasthi i Sramit, koncerti do të bëhet aq i shijëshmë sa do shkruaj i kënaqur nga Geneva, edhe sikur të mos na qasin, se fundi i fundit u mësuam të trokasim në dyer të shurdhra. Sikundër shikoni, nga lajmet që ju dhamë me telegrame dhe me këtë letër, s’ka dyshim që nisa dhe unë t’a prish zakonin e shenjtë të Shqipërisë, dhe kjo më kujton fjalën e njohur:”Kur ke miq mëkatarë, është gjithnjë rrezik të kapësh sëmundjen e tyre”.

Për fat të mirë kam aqë pak kohë për të vënë prapë në katin e letër-shkrimit, sa do t’ju lutem këndojeni këtu e tutje me telegrame të cilat do mos jua kursenj, posa të kem një lajm me rëndësi.

Bekime dhe të fala

 Peshkopi Theofan

VIDEO bonus:
Loading...