Ballina Aktualitet Zaev i përgjigjet Kasamit për grafën etnike (VIDEO)

Zaev i përgjigjet Kasamit për grafën etnike (VIDEO)

Kryeministri i vendit, Zoran Zaev së bashku me ministren e financave, Nina Angellovska kanë mbajtur pres konferencë, ku edhe kanë shpalosur propozim buxhetin për vitin 2020. Kryeministri Zaev ka thënë se ky buxhet është më i miri për qytetarët. Në pyetjen e gazetarëve, Zaev është pyetur edhe rreth akuzave të kreut të Besës, Bilall Kasami, se nuk i përmbaheni marrëveshjes për letërnjoftimet dhe për grafën etnike, përcjell INA.

“Çdo gjë që është negociuar dhe që është pjesë e ligjeve, pjesë e kushtetutës dhe të gjitha ndryshimeve, do të ndodhë në kohë të përshtatshme, sipas afateve kohore që janë paraparë dhe për këtë nuk ka asnjë dilemë”, përfundoi Zoran Zaev. Ndryshe, dje Kryetari i Lëvizjes Besa, Bilall Kasami ka deklaruar se mosmbajtja e premtimeve të kësaj Qeverie është bërë përditshmëri. Por, fatkeqësisht kryeministri Zoran Zaev tani po shkel edhe marrëveshjet e arritura gjatë ndryshimeve kushtetuese.

“Ne, një kohë më të gjatë kemi pasur dyshime se Zoran Zaev nuk e mban fjalën e dhënë por tash vërtetohet se ai mashtron shqiptarët, sidomos kur e shohim se në procedurë parlamentare ka futur një nga ligjet që duhet të pësojnë ndryshime si ai për letërnjoftime dhe në propozimin e njëjtë kjo qeveri nuk parashikon vendosjen e grafës së përkatësisë etnike në përputhje me marrëveshjen e arritur në mes Lëvizjes BESA dhe Qeverisë së udhëhequr nga Zoran Zaev. Ne, edhe në kohën kur jemi marrë vesh kemi patur dyshimet tona ndaj jo konzistencës politike të Zoran Zaevit, prandaj e detyruam që marrëveshjen që e arritëm t’a publikojë zyrtarisht si qëndrim të Qeverisë të tij në faqen zyrtare të qeverisë në datë 11.01.2019”, ka deklaruar Bilall Kasami.(INA)

@tn.lajmelokale
@tetovanews