Ballina Aktualitet Sela takon Kasamin dhe Gashin, Express siguron qëndrimet e partive për kombinimet...

Sela takon Kasamin dhe Gashin, Express siguron qëndrimet e partive për kombinimet e mundshme

Edhe pse zgjedhjet e parakohshme parlamentare pritet të mbahen pas pesë muajsh, liderët e partive politike shqiptare në Maqedoni të Veriut kanë intensifikuar takimet, me qëllim, formimin e një koa*licioni fitues, shkruan Gazeta Express.

Pas takimit të djeshëm mes Ziadin Selës dhe Bilall Kasamit, sonte kreu i Aleancës pritet që të takohet edhe me kreun e Alternativës, Afrim Gashin.

Pavarësisht se Gashi dhe Kasami nuk e duan njëri tjetrin në koalicion parazgjedhor, Sela dhe partia e tij vazhdojnë të insistojnë në jetësimin e koalicionit trepalësh, Aleanca-Besa-Alternativa.

Një një prononcim ekskluziv për Gazetën Express, nga Aleanca për Shqiptarët pranojnë se po bëjnë çmos që të bindin Kasamin dhe Gashin që bashkërisht të shkojnë në koalicion për të fituar thellë BDI-në në zgjedhjet e 12 prillit, transmeton Gazeta Express.

“Si subjekt politik jemi të bindur për fitore bdaj BDI, megjithate për të qenë fitorja më e thellë jemi të gatshëm për të bashkëpunuar me gjithë ata subjekte politike që e duan ndryshimin. Koalicioni me gjithë ata subjekte politike shqiptare që e duan ndryshimin është ai fitues ndaj BDI-së. ASH dhe Kryetari Ziadin Sela po punon në drejtim të jetësimit të idesë per koalicion trepalesh Aleancë, Besa dhe Alternativa. Si subjekt politik jemi të vendosur ta çojmë BDI-në opozitë, dhe të ju kthejmë shpresën votuesve shqiptar, duke i përfaqësuar në mënyrë të denjë” thonë për Express nga Aleanca për Shqiptarët.

Nga ana tjetër Lëvizja Besa mbanë qëndrim që koalicioni parazgjedhor të jetë i karakterit opozitarë, duke e nxjerrë kështu jashtë loje partinë në pushtet, Alternativën. Sipas tyre, do të ishte e pakuptimtë çdo lloj kritike adresuar qeverisë, nëse në koalicionin parazgjedhor do të gjendej një parti që aktualisht është pjesë e qeverisë.

“Ne e kemi thënë disa herë se koalicioni i vetëm që mund të fiton BDI-në por edhe të përfaqëson denjësisht shqiptarët është një koalicion parimor i pastër opozitar. Çdo kalkulim për futje në këtë koalicion të ndonjë subjekti qeveritar do humbë kuptimin e opozitës dhe do t’i jap alibi BDI-së që të mbrohet gjatë fushatës, duke akuzuar partitë opozitare se rreth vetes kanë afruar ndonjë partnerë qeveritar të BDI-së” thonë për Express nga Lëvizja Besa.

Ndërkaq mbrëmë në emisionin “Studio e Hapur” në Televizionin Shenja, Kryetari i Alternativës Afrim Gashi tha se kombinimi fitues i zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në elektoratin shqiptarë, do të ishte kombinimi Alternativë – Aleancë, duke përjashtuar gjithashtu Besën nga kombinimi.

“Kam shpresë, jam optimist, nëse vazhdon puna ashtu siç ka filluar, nëse merremi vesh, e bëjmë një koalicion parazgjedhor, me partitë shqiptare, sidomos, mendoj se kombinimi fitues do të jetë kombinimi me Aleancën. Jam i bindur se ai është kombinim fitues bindshëm te shqiptarët dhe kjo do ta ndryshoj bindshëm gjendjen e shqiptarëve” tha kreu i Alternativës Afrim Gashi.

Partia Demokratike Shqiptare e Menduh Thaçit po qëndron e heshtur dhe jashtë kombinimeve të përfolura deri më tani. Në vijë të drejtë proporcionale me PDSH-në, është edhe RDK-ja e Vesel Memedit e cila fare nuk përmendet në asnjë kombinim.

Sipas burimeve të Gazetës Express, nëse Alternativa nuk arrin që të bëhet pjesë e koalicionit me Aleancën, atëherë e njëjta mesa duket ka një plan rezervë, koalicionin me LSDM-në e Zoran Zaevit. Edhe pse një gjë të tillë nuk e pranojnë, zyrtarët e Alternativës as nuk e mohojnë duke thënë se ende është herët që të flitet për këto tema. Madje edhe kreu i Alternativës Afrim Gashi, mbrëmë ka theksuar se do të pranonte të ishte pjesë e çdo koalicioni fitues, ku nuk janë prezentë BDI-ja dhe Ali Ahmeti. /GazetaExpress/

@tn.lajmelokale
@tetovanews