Ballina Aktualitet Sejdiu viziton Shqipërinë, nga Zhelina nisen ndihmat e para për shqiptarët e...

Sejdiu viziton Shqipërinë, nga Zhelina nisen ndihmat e para për shqiptarët e prekur nga tërmeti katastrofik (FOTO+VIDEO)

Kryetari i Komunës së Zhelinës, Blerim Sejdiu këto ditë ka vizituar vendet e prekura nga tërmeti në Shqipëri ku gjithashtu ka koordinuar edhe çështjen e dërgimit të ndihmave të mbledhura në këtë komunë, por edhe për mjetet e ndara nga buxheti i kësaj komune. Në vazhdim keni të gjitha njoftimet për aktivitetet e ndërmarra nga Komuna e Zhelinës për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti në Shqipëri:

Sot, nga oborri i Komunës së Zhelinës drejtë Shqipërisë, u nis edhe kamioni i ngarkuar me materiale ushqimore, batanije dhe veshmbathje të destinuara për familjet e prekura nga tërmeti.
Një falenderim pa masë ndaj të gjithë atyre që ndihmuan dhe ndanë nga pjesa e tyre për t’i dhënë tjetrit që sot ka nevojë.Falenderues dhe mirënjohës edhe ndaj imamëve të xhamive në Komunën tonë, bashkësive lokale dhe afaristëve që ndihmuan.Falenderim i veçantë ndaj Hajrulla Ibishi që vullnetarisht dhe pa kompensim bën transportin e materialeve nga Zhelina deri në Shqipëri.

Mirënjohës edhe ndaj stafit të komunës dhe NPK, që disa ditë me rradhë, deri në orët e vona të natës kanë qëndruar në komunë, për t’i pranuar materialet e donuara nga ana e qytetarëve.
Ju jeni shembulli që n’a bëni krenarë të gjithëve!
Zoti ju Bekoftë!

Pamje nga vizita në Thumanë:

Kryetari i Komunës së Zhelinës Blerim Sejdiu, së bashku me kryetarin e partisë Lëvizja BESA Bilall Kasami, nënkryetarët Fadil Zendeli dhe Kastriot Rexhepi, si dhe kryetarin e FR Liridon Useini, vizituan vendet më të goditura dhe të rrezikuara nga tërmeti me epiqendër në Thumanë dhe Durrës të Shqipërisë.

Përmes vizitës në zonat e prekura nga tërmeti, ofruan ndihmë dhe siguruan mbështetje institucionale për të ndihmuar banorët e kësaj zone.

Video nga vizita në Shqipëri:

APEL I SHTABIT TË EMERGJENCAVE

Shtabi i Emergjencave në Komunën e Zhelinës, fton të gjithë qytetarët që t’i bashkangjiten këtij mobilizimi të gjithanshëm shqiptar për të ndihmuar vëllezërit tanë në Shqipëri.

I njoftojmë të gjithë ata që duan të ndihmojnë se pikë grumbullimi e donacioneve, do të jetë ndërtesa e Komunës së Zhelinës, ku të gjithë qytetarët vullnetarë mund të dorëzojnë pakot e tyre në hapësirat e komunës, edhe atë në formë të produkteve ushqimore, batanijeve, veshmbathjeve, dyshekëve, etj.

Ky aksion vullnetar fillon ditën e nesërme (28.11.2019), me fillim në ora 08:00 deri ora 00:00, dhe kjo do të vijojë deri ditën e Dielë, 01.12.2019.

Me Ty Shqipëri

Në seancën e jashtëzakonshme të Këshillit të komunës së Zhelinës, sot në orët e mëngjesit (27.11.2019), me pikë të rendit të ditës:

Propozim Vendim për ndarje të mjeteve për të prekurit nga tërmeti i fuqishëm që goditi Shqipërinë, u soll vendim për ndarje të mjeteve në vlerë prej 307.000 den, gjegjësisht 5000 €, që do të shkojnë për familjarët e viktimave dhe persona tjerë të lënduar si pasojë e kësaj fatkeqësie natyrore.

Me zemër, për Shqipërinë

Komuna e Zhelinës mbledh Shtabin e Emergjencave

Me iniciativë të Shtabit komunal të emergjencës, në komunën e Zhelinës, sot më datë 27.11.2019, u mbajt mbledhje e jashtëzakonshme, me ç’rast u vendos për pikë të rendit të ditës: Solidarizim me bashkëkombasit tanë në Shqipëri, pas goditjes nga tërmetet.

Mbledhja filloi pas një minutë heshtje për viktimat dhe familjet e prekura nga tërmeti i fuqishëm me përmasa katastrofike që goditi Republikën e Shqipërisë, mëngjesin e ditës së martë. Në prezencë të kryetarit Blerim Sejdiu, kësaj mbledhjeje iu bashkangjitën qytetarë, përfaqësues të Organizatave joqeveritare, imamë të xhamive, dhe vullnetarë tjerë të interesuar.

Komuna e Zhelinës, përveç që ndau mjete financiare me vlerë prej 5000 eurosh nga buxheti i saj, në shenjë solidarizimi me vëllezërit tanë në Shqipëri, organizon edhe aksion vullnetar për grumbullim të ndihmave materiale që do t’u destinohen familjeve të prekura nga fatkeqësia natyrore që goditi qytetin e Durrësit, mëngjesin e ditës së martë, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale dhe viktima në njerëz.

Komuna e Zhelinës fton të gjithë qytetarët që t’i bashkangjiten këtij mobilizimi të gjithanshëm shqiptar për të ndihmuar vëllezërit tanë në Shqipëri. Me këtë rast, Komuna e Zhelinës do të jetë pikë grumbullimi e donacioneve, ku të gjithë qytetarët vullnetarë mund të dorëzojnë pakot e tyre në hapësirat e komunës së Zhelinës, edhe atë në formë të produkteve ushqimore, batanijeve, dyshekëve, etj. Ky aksion vullnetar fillon ditën e nesërme (28.11.2019), me fillim në ora 08:00, dhe do të vijojë deri ditën e dielë, 01.12.2019.

Me Ty Shqipëri

Galeria e tërmetit:

@tn.lajmelokale
@tetovanews