Ballina Sport Portieri shqiptar që zgjodhi Italinë, media përtej Adriatikut: Prindërit emigruan para 25...

Portieri shqiptar që zgjodhi Italinë, media përtej Adriatikut: Prindërit emigruan para 25 viteve, xhevahiri i Bolonjës

Marko Molla është portieri që ka marrë të gjithë vëmendjen e opinionit italian teksa po përfaqëson ‘të kaltrit’ në Botërorin U 17, i cili po zhvillohet në Brazil.

Shqiptari ishte protagonist në ndeshjen e fundit ndaj Meksikës duke pritur një penallti.

Në këtë formë, 17-vjeçari dha një kontribut të madh për Italinë që siguroi kualifikimin nga grupi.

Sakaq, ‘Gazzeta Dello Sport’, një nga të përditshmet më të mëdha italiane ka treguar se prindërit e Mollës kanë emigruar në shtetin fqinj para 25 viteve.

“Babai i tij, Besniku, sipërmarrës, ka ardhur në Itali 25 vite më parë nga Shqipëria, i ndjekur pak kohë edhe më pas nga gruaja e tij, Aida, e cila është shtëpiake. Marko ka lindur në Firence. Italian, por është ftuar edhe nga Kombëtarja e Shqipërisë U 17.

Ka ndodhur në të shkuarën, por mund të ndodhë sërish në të ardhmen deri sa të mbërrijë në Kombëtaren e madhe, por zgjedhja është Italia”, tregon ‘Gazzeta Dello Sport’.

Më pas është Molla, i cili rrëfen se hera e parë që ka qenë mes shtyllave të portës ka qenë rastësore pasi fillimisht luante si mbrojtës.

“Kur isha fëmijë unë isha qendërmbrojtësi, por ndodhte që ekipi gjithnjë humbiste. Kështu që i thashë trajnerit të më provonte në portë”, shprehet Molla. Sakaq, Molla është pjesë e të rinjve të Bolonjës, aty ku stërvitet nga një ish-portier i famshëm si Xhaluka Paljuka.

Në Botëror ra në sy gjesti ku portieri shqiptar pas një pritje puthi topin, diçka që më parë e kishte bërë edhe mësuesi i tij, Paljuka gjatë finales së kupës së Botës në vitin 1994.

“ Në ditët para Botërorit, kam sjellë në mendime edhe njëherë të gjithë rrugëtimin tim, dhe tani jam shumë i përqendruar. Me Paljukën kam një raport të shkëlqyer ashtu si edhe me përgatitësin Ferron te Italia. Por, ai ma ka treguar shumë herë atë episodin kur ka puthur topin dhe më erdhi natyrshëm ta imitoja”, tha Molla.

Padyshim, Marko Molla ka një të ardhme të madhe para tij duke njohur cilësitë e treguara prej tij deri në këto momente. Ndërkohë, shqiptari do të jetë sërish në fushë në mesnatë ku Italia do të luajë ndeshjen e fundit në grup ndaj Paraguajit.

@tn.lajmelokale
@tetovanews