Ballina Aktualitet Opinione Pështirosje në stadiumin “Air Albania”

Pështirosje në stadiumin “Air Albania”

Nga Ilir Yzeiri

Për të parë ndeshjen Shqipëri- Francë, më 17 nëntor, ditën që do të bëhej edhe përurimi i stadiumit të ri, e kisha vendosur që do të shkoja në stadium dhe ashtu bëra. Sigurova një biletë në tribunë 102 E, poshtë në reshtat e parë paralel me portën dhe përballë tribunës. Biletën e mora disa ditë më parë dhe, megjithëse kërkova një më të mirë, në tribunë mundësisht, me çfarëdolloj çmimi, më thanë që i ka në dorë Federata dhe, me qenë se Armandon as e njoh dhe as kam dëshirë ta njoh, u ngushëllova me biletën që më gjeti miqësisht zëdhënësi i Federatës. Isha i gëzuar dhe kisha vërtet emocion që do të merrja pjesë në ditën e parë të përurimit të stadiumit dhe natyrisht do të shihja edhe Francën, kombëtaren më të mirë në botë në këto vitet e fundit. Do të shihja gjithashtu edhe ekipin tonë të cilin realisht e dua dhe e pëlqej.

Gjithçka ishte perfekte. Nga kontrolli policor me shumë profesionalizëm e kulturë e deri te hyrja duke chekuar biletën njësoj si në impiantet më moderne sot në Europë, hyrja në stadium të jepte ndjesinë që ndodheshe në një kryqytet europian si Gjermania apo Italia. Spektatorët që hynin në stadium ishin po ashtu të gjithë të përmbajtur e me sjellje të pëlqyeshme. Ajo që të binte në sy ishte pjesëmarrja e fëmijëve, vajzave dhe grave. Ishte vërtet një festë e bukur dhe stadiumi, më në fund, kishte shansin se po bëhej vendi i argëtimit familjar dhe, ashtu si në stadiumet e vendeve të qytetëruara, po kthehej në një areal zbavitjeje jo vetëm për meshkujt, por për të gjithë, edhe për femrat e fëmijët.

Ndërsa dekori që ndërtohej me flamujt e vegjël që mbanin në dorë të gjithë, me shallet apo kapelet kuq e zi ishte po ashtu një shfaqje dinjitoze. Dhe, sapo futeshe brenda, stadiumi « Air Albania » të shfaqej madhështor e super modern. Më në fund, edhe ne, shqiptarët, do të ndjekim përfaqësuesen tonë dhe do të përcjellim ndeshjet e rëndësishme të futbollit në një impiant super modern që na bën krenarë dhe na njëjtëson me Europën.

Entuziasmi dhe hareja e tifozëve në fillim ishte mbresëlënëse. Thirrjet «Shqipëri! Shqipëri!» dhe valëvitja e flamujve të vegjël të krijonin një ndjesi të shkëlqyer, ndërsa mrekullia e flamurit tonë me ngjyrat kuq e zi e bënin atë ambient një areal me të vërtetë magjik. Mirëpo vetëm kaq, sepse gjithë ky spektakël u bë krejtësisht banal dhe u kthye në një parodi kinse nacionaliste bash atëherë kur në stadium hyri Flori Mumajesi që këndon prej disa vjetësh një këngë që ta shpif me tekstin bajat dhe me një muzikë që nuk merret vesh se nga e ka motivin.

Të kuptohemi, kjo këngë dhe ky këngëtar e kanë vendin e tyre në një mjedis të caktuar dhe nuk ka asnjë gjë të keqe që të këndojë në dasma, në ahengje apo në diskoteka brenda e jashtë vendit. Mirëpo, në një manifestim të tillë, kaq serioz e dinjitoz, po ashtu, të përfaqëoshesh me këngën e Flor Mumajesit apo ma xhamadanin vija-vija, është një prapambetje mendore një pështirosje. Stadiumi nuk është vendi për të promovuar shijet banale kinse nacionaliste dhe nuk është vendi të shesësh patriotzëm folklorik. Tjetër shije dhe tjetër shenjë la Era Istrefi që këndoi e fundit.

Para se të vija në stadium pashë fillimet e ndeshjes në stadiumin e Prishtinës mes Kosoovës dhe Anglisë. Sa shumë qytetari, sa shumë kulturë dhe përmbajtje. Flamujt e vegjël të Anglisë që mbushën stadiumin kur u këndua himni anglez ishin shenja më e mrekullueshme e mirënjohjes së thellë që kanë shqiptarët për Anglinë dhe anglezët të cilët ishin një faktor kyç në çlirimin e Kosovës nga bisha Milosheviç. Mirëpo, disa orë më vonë në një stadium shumë herë më të bukur dhe në kryeqytetin e të gjithë shqiptarëve, në Tiranë, ndodh një shfaqje banale e një patriotizmi folklorik dhe banal e pa asnjë lloj kuptimi me një këngë mejhanesh.

U desh të prisnim këngën për hymnin tonë kombëtar që stadiumi të merrte edhe njëherë pamjen madhështore, megjithëse ata njerëz normalë që e kanë parë nga shtëpia këtë ceremoni, besoj janë neveritur nga fishkëllimat që iu bënë hymnit francez. Më tej, bash atëherë kur askush nuk e kishte mendjen, një tufë njerëzish nisën të ulërasin «Rama ik!».

M’u duk vetja si i mbërthyer në pjesën e unazës së «Astirit» apo i zënë gafil në Bulevard në kohën kur protestonte Luli. U përpoqa të kuptoj se çfarë shenjonte kjo klithmë. E kam thënë dhe në një shkrim tjetër, se «Rama ik!» është bërë një slogan pa përmbajtje. Kam qenë duke kaluar në sheshin e madh në kohën kur Luli bënte protesta përditë dhe një grup fëmijësh të kopshteve, duke qeshur thërrisnin «Rama ik!».

Edhe atëhere edhe sot e kam të qartë se nganjëherë sloganet e humbasin kuptimin që shenjojnë gjymtyrët veç e veç dhe marrin një shenjueshmëri tjetër. Por në këtë rast, aty në stadium, nuk po e kuptoja se çfarë do të thoshte ajo klithmë. Dhe kështu pas atyre këngëve edhe kjo klithmë ia vuri vulën dhe tani ndeshja ishte pa kuptim. Në stadium dëgjoje vetëm klithma të egërsuara njerëzish që nuk merrej vesh çfarë thoshnin, por që dukej se askush nuk e ndiqte ndjeshjen. Shakohoxha kishte të drejtë që shkruante se tifozët u morën me punë të tjera, por jo me mbështetjen e Kombëtares.

Borghesi, shkrimtari gjenial argjentinas, e urrente futbollin se thoshte që në stadiume farkëtohet nacionalizmi dhe etnocentrizmi, egoizmi nacional dhe përjashtimi i tjetrit. Nga ky vlerësim i tij ka mbetur diçka. Vërtet sot stadiumet, në disa raste, bëhen areale ku grupe të caktuara shfryjnë mllefe ideologjike apo racore dhe huliganë të kallëpeve të ndryshme shpalosin frustrimet dhe urrejtjen nacionale. Ne, shqiptarët, kemi qenë viktima të kësaj dhune në Beograd.

Mirëpo, ta kthesh stadiumin tënd, më të bukurin e të gjitha kohërave, në ditën e parë të tij, në një arenë ku shfryhen lloj-lloj frustrimesh banale që na paraqisin si një popull me identitet të dyshimtë dhe grindavecë e llapaqenë, sherrxhinj dhe pa asnjë shije, kjo është e tepërt dhe e papranueshme. Për ta mbyllur po shkoj përsëri në Kosovë.

Hymnin e Kosovës atje para fillimit të ndeshjes e luajti në violinë Shkëlzen Dolli, mjeshtri i orkestrës filarmonike të Vienës, kurse te ne këngën për inaugurimin na e këndoi Flor Mumajesi. Stadiumin vërtet e ka në admisnistrim Armando Duka por me këtë rast mësuam se edhe shijet e tij në muzikë duhet të bëhen shije etnike. Aferim!

@tn.lajmelokale
@tetovanews