Ballina Aktualitet Përfundon rinumërimi i 1407 vendvotimeve

Përfundon rinumërimi i 1407 vendvotimeve

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) ka përfunduar procesi i rinumërimit të 1407 vendvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, thanë zyrtarë të Komisionit Qendrorë të Zgjedhjeve.

Këto vendvotime u dërguan në rinumërim pas një vendimi të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), pas ankesave të partive politike për rezultatin përfundimtar të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, pas përfundimit të rinumërimit tha se brenda 24 orësh mund të parashtrohen ankesa nga subjektet politike në administrim të numërimit që është zhvilluar në QNR.

“Para se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të bëjë certifikimin përfundimtar të zgjedhjeve, merr konfirmimin nga ana e PZAP-it dhe Gjykata Supreme se nuk ka ndonjë çështje e cila është në shqyrtim. Pra, në momentin kur të kemi këto konfirmime, si institucion mund të procedojmë për certifikimin e rezultatit përfundimtar”, tha Elezi.

Ai tha se rezultatet zgjedhore do të publikohen në ueb-faqen e KQZ-së.

Ndërkohë, në KQZ kanë arritur 392 pako me fletë votime nga diaspora më 12 nëntor.

Lidhur me këtë çështje në PZAP, Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një ankesë duke kërkuar verifikimin dhe numërimin e tyre.

Mul Desku, kryesues i Sekretariatit të PZAP në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se Lëvizja Vetëvendosje, të premten më 22 nëntor, në ora 17:30 ka kërkuar nga PZAP që të verifikohen dhe numërohen edhe 392 pako më fletëvotime të ardhura më postë nga votuesit jashtë Kosovës.

Desku thotë se nuk kanë informacione se kur kanë arritur këto fletëvotime, por që Paneli, thotë ai, është duke shqyrtuar ankesën dhe pas 72 orësh pas paraqitjes së ankesës, PZAP do të jap një përgjigje.

“Vetëvendosje kërkon që PZAP të urdhërojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të verifikohen dhe numërohen këto vota. Mirëpo PZAP ka afat 72 orë që të vendosë”, tha Desku.

Edhe më herët, Lëvizja Vetëvendosje i ishte adresuar Gjykatës Supreme për votat e ardhura nga diaspora pas afatit të paraparë ligjor. Supremja, në fund të muajit tetor, kishte udhëruar KQZ-në që të numërojë dhe të fusë në rezultatin zgjedhor rreth 5 mijë vota të ardhura me vonesë nga jashtë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë mbajtur më 6 tetor. Sipas vëzhguesve vendorë dhe ndërkombëtarë, zgjedhjet kaluan të qeta dhe ishin në harmoni me standardet demokratike.

Lëvizja Vetëvendosje ka fituar më së shumti vota, pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës. Këto dy parti po mëtojnë që ta formojnë Qeverinë e re të Kosovës. Përfaqësuesit e këtyre dy partive kanë thënë se pas certifikimit të rezultatit zgjedhor do të finalizojnë marrëveshjen për koalicionin e ardhshëm qeverisës./rel

@tn.lajmelokale
@tetovanews