Ballina Aktualitet Kultura ‘Pas festës me ndihmat, erdhi lufta për bukën e gojës’, kur Petro...

‘Pas festës me ndihmat, erdhi lufta për bukën e gojës’, kur Petro Marko shkruante për tërmetin

Në librin “Retë dhe Gurët”, njohur ndryshe si “Intervistë me vetveten”, shkrimtari, publicisti dhe gazetari i njohur Petro Marko (1913 -1991), shkruante edhe mbi ‘një termet vdekjeprurës që kishte goditur fshatin e tij’.

Me një stil thumbues, shkrimtari i njohur flet mbi keqpërdorimin e ndihmave, ku rrëfen sesi vodhi qeveria, autoritetet e fshatit, por diçka mbeti edhe për fshatarët e dëmtuar.

Pas ahengjeve me raki, kecër të pjekur dhe byrek me ndihmat e tërmetit, shkruante Marko, erdhi përsëri lufta për bukën e gojës dhe fshatarët nisën të qanin të vdekurit.

“…Me këtë rast dua të bëj një parantezë për karakterin e fshatarëve të mi: para një viti kishte rënë tërmet. Shkaktoi dëme të mëdha, madje edhe të vdekur. Kryqi i Kuq Ndërkombëtar dhe shtetet fqinje dërguan ndihma të mëdha. Vodhi qeveria, vodhën autoritetet e fshatit, po mbeti dhe për fshatarët. U nda miell e sheqer, makarona e kuti mishi, voza me sardele, tesha, mbulesa dhe para. Neve, për një të çarë të murit, na dhanë dyzet napolona. Kështu që fshati i madh, pasi ra në bollëk, harroi të vdekurit dhe me atë bollëk kërciste vera e rakia, byrekët, shqerrat e kecërit e pjekur! Hanin, pinin e këndonin si në dasma. Mirëpo për pak muaj i mbaruan dhe nisën të qanin të vdekurit… Dhe ngjau shakaja më e madhe e atyre viteve: Prifti Parthemo, që ishte dhe shakaxhi, pasi bënte meshën një të diel në kishën e madhe të Shën Spiridonit, doli me kryqin e madh aty në mes të dyerve të ajodhimës dhe bërtiti:

– Gjunjëzohuni!

Të gjithë u llahtarisën dhe u gjunjëzuan.

– Tani, – thirri ai, – lutuni të na vijë tërmeti tjetër, se i mbaruam!
Po tërmeti tjetër nuk erdhi. Erdhi përsëri lufta për bukën e gojës”. (Petro Marko, Intervistë me vetveten: Retë dhe gurët, fq. 90-91)

Shqipëria po kalon një situatë dramatike, si pasojë e tërmetit që goditi vendin të martën, duke lënë të vdekur të paktën 49 persona. Të gjithë janë solidarizuar duke dhuruar shuma të jashtëzakonshme, megjithëse nuk mungojnë raste ku njerëz të papërgjegjshëm po tentojnë të përfitojnë duke përvetësuar ndihmat.

Referuar shkrimit të Markos shtrohet pyetja; A do stabilizohen njëherë e mirë të prekurit nga tërmeti, apo të të vijojë lufta për bukën e gojës?

@tn.lajmelokale
@tetovanews