Ballina Diaspora Nga Vlora në Britaninë e Madhe. Historia e Andi Hoxhajt! (VIDEO)

Nga Vlora në Britaninë e Madhe. Historia e Andi Hoxhajt! (VIDEO)

Andi është pedagog dhe ne shkuam ta intervistojmë në zyrën e tij, në Korpusin e Universitetit Warwick, në Britaninë e Madhe.

Historitë si e Andit, nuk janë unike, por janë të panjohura, sepse lajm për medien dhe politikën, përbën kush vdes rrugës, jo kush mbijeton dhe shkëlqen, rrugës për t’ia dalë. Dhe e dini pse ia del Andi dhe ata si ai, se rruga është e ndryshme. Është dija, jo droga. Do të sjellim ngaherë histori të bukura Shqipërie që nuk përbëjnë lajm, sepse është Shqipëria e lajmeve të mira që ka një dritare të hapur në ciklin “Shqiptaret e mrekullueshëm”. Dërgo dhe ti historinë tënde në emailin shqiptaretemrekullueshem!

 

TË GJITHA RRUGËT E JETËS KALOJNË NGA DIJA

Intervistoi Rudina Xhunga

Rudina Xhunga: Në vjeshtë i harrojmë të gjitha dhe rikthehemi te librat, por ne kemi zgjedhur të tregojmë te “Shqiptarët e mrekullueshëm”, zyrën me shumë libra të një Departamenti të Drejtësisë, në Warwick, një prej universiteteve në Britaninë e Madhe, ku pedagog është Andi Hoxhaj një shqiptar nga Vlora. Megjithëse Vlorën e ka harruar fare, Andi besoj unë, por po ta kujtoja.

Andi  Hoxhaj: Po Rudina po Vlora nuk të ikën nga zemra!

Rudina Xhunga: Ne ikim nga Vlora, po jo Vlora nga ne. Këtë po mendoja ndërsa nuk e dija që ishe nga Vlora. Të kam njohur nga të gjitha postimet në rrjete sociale në Tëitter kryesisht. Ndërsa në këtë universitet prestigjioz është gjithmonë i ftuar,  një nobelist apo një politikan, si Hilari Klinton. Herën e fundit për Hilarin shkrove në dritare.net diçka që të kërkova. Ai është gjithmonë aty në takime, siç është prezent jo vetëm përtej universitetit, përtej faktit që studentët janë nga e gjithë bota në këtë universitet, prej më të kërkuarve në Britani. Po është prezent edhe në jetën e shqiptarëve në emigracion, për të cilit ka për të treguar sot. Edhe ndaj doja ta ndaja me ju këtë takim me Andin, një shqiptar i mrekullueshëm, në një universitet të rëndësishëm, i cili të fton të investosh me optimizëm sepse jeta mes librave është ajo që të çon diku asnjëherë paratë, kjo është e sigurt . Nga Vlora ike shumë shpejt, ike 4 vjeç.

Andi Hoxhaj: Unë nga Vlora kam ikur 4 vjeç, po jam kthyer në moshën 8 e gjysmë dhe pastaj kam ikur 16 dhe përsëri.

Rudina Xhunga: Gjermani, Angli në kolegj.

Andi Hoxhaj: Po në  Gjermani pas rënies së komunizmit, kam ikur me prindërit si të gjithë emigrantët. Pastaj prindërit kishin dëshirë që të ktheheshim në Shqipëri që të investonin në kapitalizmin e ri që po ndërtohej mbas rënies së komunizmit. Unë pastaj kam ardhur për studime në kolegj dhe nga kolegji në shkollë të lartë,master dhe duke vazhduar doktoraturën këtu.

 

Rudina Xhunga: Tani je këtu, bëre masterin, pate shkollim, pate doktoraturën, tani je pedagog në këtë universitet. Unë ndërsa ecja nëpër kampe, zyra me portret njerëzish, të gjithë në moshë dhe me shumë libra, si e bëjnë i ekspozojnë te dera e zyrës për librat që shkruajnë

Andi Hoxhaj: Po, pak a shumë si në Shqipëri. Më kujtohet, këta që ishin nxënës të parë që i dërgonin te tabela e nderit, edhe këtu domethënë është si traditë që kur publikon librin të çohet në korridor, pranë zyrës

Rudina Xhunga: Kur do të jetë libri yt te zyra jote?

Andi Hoxhaj: Në nëntor .

Rudina Xhunga: Për çfarë bën fjalë libri, për çfarë është?

Andi HoxhajLibri është një studim për luftën ndaj korrupsionit. Kryesisht studioj si Bashkimi Evropian lufton korrupsionin dhe si influencon politikat e saj për të luftuar korrupsionin në vendet anëtare. Unë e kam zgjeruar edhe në vende kandidate dhe një kapitull i është dedikuar Shqipërisë.

 

Unë aty shikoj sesi shikohet korrupsioni dhe çfarë natyrë. Momentalisht Bashkimi Evropian e shikon korrupsionin si një impakt negativ që ka në rritjen e investimeve dhe ekonomisë. Por korrupsioni ka impakt edhe përtej tyre, sidomos në jetën sociale dhe edukimin edhe investimeve. Edhe unë në libër bëj disa rekomandime të kësaj natyre dhe mundohem që të ekspozoj ku ka mangësi në politikën e Bashkimit Evropian po gjithashtu dhe të vendeve  anëtare dhe në vende kandidate.

 

Rudina Xhunga: Do t’i përkushtohesh një jetë akademike, kjo është ajo që të tërheq, apo drejtësia ka shumë mundësi?

Andi Hoxhaj: Me thënë të drejtën, unë kam dëshirë që të shikoj dhe pak jashtë, sepse më duket sikur, gjithë jetën jam në shkollë.

Rudina Xhunga: Ma fute edhe mua atë ndjesinë, më duket sikur jam rikthyer në shkollë, por çfarë shkolle?

Andi Hoxhaj: Po kam dëshirë që në të ardhmen të punoj dhe jashtë akademisë, sepse mendoj se mund të të bëjë një pedagog akoma më të mirë, kur ke edhe eksperiencë pune jashtë.

Rudina Xhunga: Po këtu si është, ka studentë shqiptarë, sepse unë njoh një djalë që mbaroi sivjet, është e vështirë të vish në këtë universitet?

Andi Hoxhaj: E vështirë është  sepse duhet të kesh mesatare. Në Shqipëri duhet të jesh me mesatare mbi 9, por nuk është e pamundur, sepse ka studentë që kanë ardhur këtu. Unë do t’i inkurajoja që të vinin. Gjithashtu qeveria britanike ka një scholarships, chevening që financon shkollimin, por edhe jetesën. Këtë vit, chevening, do t’i shtojë fondet. Vjet ka financuar 4-5 bursa, këtë vit që vjen mendohet të jetë mbi 8. Por dhe neve vetë, kemi bursa që financojnë shkollimin, por jo fonde të mëdha.

Rudina Xhunga: Sepse përndryshe është shkollë e shtrenjtë.

Andi Hoxhaj: Është e shtrenjtë, por ka mundësia.

Rudina Xhunga: Vetë si ia bëre? Si erdhe në këtë shkollë?

Andi Hoxhaj: Unë erdha pasi kisha mbaruar shkollën e lartë dhe kisha mesatare të mirë.

Rudina Xhunga: Po dëgjoj zhurma fëmijësh. Çfarë po ndodh këtu? S’ka filluar shkolla besoj?

Andi Hoxhaj: Kampusi ynë është shumë interesant sepse nuk është vetëm universitar, por ne kemi edhe një qendër kulturore, që quhet Warwick Art Center, që është qendra e artit dhe aty ka kinema, ekspozita. Prandaj vijnë edhe të zonës që shikojnë shfaqje ose filma.

Rudina Xhunga: Kampusi u jep mundësinë studentëve që të jetojnë këtu për pak kohë?

Andi Hoxhaj: Po, kampusi, mban studentët që janë të vitit të parë. Pastaj kur shkojnë në vit të dytë, duhet të dalin të jetojnë jashtë kampusit dhe të lirojnë dhomat për ata që vijnë në vit të parë. Është edhe për familjen i hapur, ka çerdhe, për kolegë që mund t’i mbajnë fëmijët afër.

Rudina Xhunga: Sa studentë ka ky universitet?

Andi Hoxhaj: Gati 8 mijë.

Rudina Xhunga: Po staf pedagogjik?

Andi Hoxhaj: 1700.

Rudina Xhunga: Ishte e vështirë të bëheshe pjesë e këtij stafi?

Andi Hoxhaj: Ishte në fillim. Këtu është një sistem, çdo vit evaluohemi për punën që bëjmë. Nëse ka raste që nuk e bëjmë punën aq mirë, na tërhiqet vëmendja, ose që duhet të përmirësohemi. Mendoj se është e mirë për këdo, për t’u zhvilluar, ndryshuar dhe përmirësuar. Pastaj është edhe teknologjia. Ne e kemi futur shumë herë më shumë, çdo vit është akoma më e avancuar.

 

Rudina Xhunga: Më tregove për Departamentin e Teknologjisë, çfarë po ndodh aty tani?

Andi Hoxhaj: Aty po punohet me Jaguar Land Rouver, po eksperimentojmë për baterinë e re, për makinën elektrike, që Jaguar pret ta nxjerrë në 2021-shin. Ka një prototip dhe një që ka dalë në treg dhe disa të tjera që po vijnë.

Rudina Xhunga: Ndërsa Departamenti i Ekonomisë, e ka djali i një Nobelisti në ekonomi, e të tjera emra. Theresa May e kishte kabinetin të gjithë nga Warwick, të diplomuar këtu. Ndërsa shumë politikanë, vijnë. Hollary Clinton ishte e fundit?

Andi Hoxhaj: Këtu ka ardhur Bill Klinton kur ishte president. Fjalimin e tij të fundit në Evropë, për politikën e jashtme e ka dhënë këtu. Këtu vijnë edhe nga vendet e Commonwealth-it, nga India Australia. Ne kemi shumë të famshëm, Warwick Ekonomic, që është Samiti i Ekonomisë, që bëhet nga studentë, dhe ka nobelistë dhe politikanë të ndryshëm, që vijnë. Ai bëhet çdo vit në shkurt. Për atë ka edhe bursa. Dhe studentët shqiptarë që studiojnë ekonomikun, unë do t’i inkurajoja që të shkojnë në websitin  e universitetit, mund të aplikojnë dhe të vijnë. Samiti ka fonde të mjaftueshme dhe mund t’i akomodojmë me vizë dhe ardhjen.

Rudina Xhunga: Domethënë, asgjë nuk është e pamundur për një djalë apo vajzë nga Shqipëria, prindërit e të cilëve mendojnë gjithmonë, po nuk ke lekë, nuk ke dijë, nuk ke të ardhme. Jo mund t’ia dalësh,mjafton të jesh në internet, kërkues, mjafton ta duash këtë atmosferë, që po më bën dhe mua ta dua, pavarësisht 30 gradëve që ka Londra në këtë ditë. Por më bën të ndihem mirë, sepse kjo botë i përket të gjithëve. Ti je një shembull i tillë, që tregon një djalë nga Vlora, që shkoi në Gjermani ca kohë dhe pastaj në kolegj, erdhi në Londër. Ia doli vetë të arrijë deri këtu dhe të vazhdojë akoma më tepër.

 

Andi Hoxhaj: Mendoj se, në botën globaiste ku ne jetojmë, mundësitë janë pafund, që ne mund t’ia dalim. Unë shikoj se, ne duhet të investojmë më shumë në anën e teknologjisë dhe investimi që studentët të marrin më shumë.  Kur kanë mbaruar prindërit e mi ose dhe unë deri diku, gjithçka ishte se duhet të shkojë në librari, të hapje librat, të merrje shënim, siç po më tregoje për një intervistë që bëre për librin tuaj. Kurse sot është shumë kollaj sepse, janë online, por kërkon edhe pak investime për resources, kur duhet të investojmë të gjithë.

Rudina Xhunga: Ka shqiptarë që të pyesin të kërkojnë t’i ndihmosh, si funksioni me shqiptarët në Britani të Madhe, apo nuk janë fokusuar të gjithë te shkollimi, janë njerëz që kanë ardhur të punojnë.

Andi Hoxhaj: Mua faktikisht, më kontaktojnë nëna, nga Shqipëria, ose që janë në Evropë. Rasti më  i fundit ishte një nënë në Greqi, vajza e saj kishte aplikuar në Britaninë e Madhe dhe ishte jo pak e sigurt sepse notat kanë dalë në datën 15 gusht, dhe ajo nuk e dinte si ishte.  Dhe më kontaktojnë hera-herës, që më pyesin si mund të aplikojnë. Shumica duan të dinë si është procesi i aplikimit. Unë me sa mundëm u kam ndihmuar. U shikoj letrën e motivimit, sepse ajo është e rëndësishme, por dhe notat, ose u jap këshilla ku mund të vejnë që t’i konvertojnë.

 

Rudina Xhunga: Sepse paqartësia për shkollimin, sidomos të nënave për fëmijët e tyre është e madhe dhe me sa duket, kjo është një hallkë që mund në Shqipëri, që Anglia e ka shumë të fortë, faktin që krijon servis. Ndërsa neve na mungon ky servil, që ndihmojnë njerëzit të shkojnë ku duhet.

Andi Hoxhaj: Mendoj se këtu mund të luhet një rol më proaktiv nga Ministria e Arsimit dhe nga ajo e Jashtme. Unë shikoj me Ambasadën Amerikanë që bëjnë disa panaire, që kjo Ambasada Britanike mund t’i bëjë edhe në Shqipëri. Pra të organizojë më shumë panaire, si mund të vijnë të studiojnë në Britaninë e Madhe. Mirë do të ishte që edhe pedagogë ose studentë që kanë një eksperiencë në Shqipëri, të bëjnë një panair ku ne mund të diskutojmë për këto. Mesa di, British Council në Tiranë, bën disa informime të kësaj natyre, por nuk  di çfarë impakti mund të  ketë.

Rudina Xhunga:  Çfarë marrëdhëniesh ke me Shqipërinë Andi? Sa e largët është për ty, përveç faktit se është familja?

Andi Hoxhaj: Është edhe afër edhe larg. Ka raste që vërtet ndihem shumë pranë, ka raste që ndihem larg. Të qenit shqiptar s’do të më ikë asnjëherë, sepse jam rritur kam kaluar një kohë shumë të mirë. Por mundohem të mbahem me Shqipërinë, me studime. Në studimet që bëj mundohem ta shikoj dhe fokusin e Shqipërisë. Më erdhi keq kur pashë një studim të ri, që Shqipëria ishte vendi që prodhonte më pak studime në të gjithë rajonin. Mendoj se neve duhet të jemi më pak më proaktivë, që të studiojmë pjesë ose sektorë të Shqipërisë, e ndofta hapim ndonjë debat publik, ose një diskurs që mund të jetë efektive dhe që sjell zhvillim, ose debat më cilësor.

Rudina Xhunga: Ti vetë përfshihesh në debate në Shqipëri, p.sh debati për Reformën në Drejtësi, ndjeve ngasje për t’u përshirë?

Andi Hoxhaj: Faktikisht jam pak i tërhequr, nuk dua të hidhem, kur hidhen të gjithë. Pres për rezultate, sepse siç po e shikoj me Reformën në Drejtësi, për momentin është bërë shumë polemike. Ajo në thelb ose në letra më duket që është bërë një punë e mirë, por nuk më pëlqen fakti, që edhe disa që mund ta kritikojnë, quhen sikur janë armiq të reformës dhe ajo nuk është produktive, sepse patriotizmi nuk i përket askujt, asnjë partie. Ti ke të drejtë të flasësh. Ne po marrim disa masa, në Britani të Madhe, ku disa politikanë bllokojnë në Twitter njerëzit që i komentojnë, e njëjta gjë ka ndodhur edhe në Amerikë. Gjykatat kanë marrë vendim edhe në Amerikë edhe në Britani të Madhe që një politikan nuk mund t’i bllokojë dot njerëzit në Twitter, sepse ne kemi të drejtën e lirisë së fjalës. Ishte edhe interesante, sepse Kushtetuta, është shkruar mbi 300 vjet, dhe nuk  e kanë imagjinuar që do të flitej për Twitter-in.

Rudina Xhunga: Më bëri përshtypje për ndikimin e Akademisë së Shkencave te Brexit. Kur pyet me kë ishin, kundër apo pro, më dhe një argument të bukur.

Andi Hoxhaj: Akademia e Shkencave në Britani të Madhe, luan një rol shumë të madh, sidomos në debatin publik që ndodh. Ata mundohen që të jenë asnjanës dhe ekspertë në interpretimin e tyre. Përgjatë debatit, nuk u përfshinë që të ishin pro ose kundër, sepse Akademia këtë ka, që asnjëherë nuk përfshihet. Pavarësisht se edhe ne kemi bindjet tona politike dhe këtu në fakultetin tonë ka lloj-lloj, por prapë mundohemi të bazohemi në fakte. Dhe Akademia e Shkencave këtë ka bërë. Mendoj që në Shqipëri do të ishte mirë që tw merrej një rol i tillë, sepse do ta drejtonte edhe opinionin publik, për t’u bazuar në fakte dhe jo vetëm në cilët krahë, apo cilat programe duan.

Rudina Xhunga: I lejon Shqipëria mundësinë njerëzve si ty të ndërhyjnë në debatin publik, ose të ndikojnë apo ndihmojnë? Kur them Shqipërinë e kam fjalën për Shqipërinë institucionale, jo Shqipërinë e medies. Unë jam një prej njerëzve që ju kam dalluar dhe të ofrova një mundësi për t’u shprehur në dritarenet. Dua të di a ju japin juve dritare, politikanët shqiptarë?

Andi Hoxhaj: Është miks. Unë bëra një eksperiment. Vjet kur u fol që do të hapeshin negociatat me Shqipërinë, u hapën në faqen e Ministrisë së Jashtme, disa shprehje për interes, që thoshin atyre që kanë studiuar jashtë, do t’u jepet prioritet që mund të merren si konsulentw të jashtëm, për ekipin negociues. Unë dërgova CV-në, dhe letrën e motivimit. E bëra më shumë si një eksperiment, për të parë nëse ka vërtet meritokraci. Dhe askush nuk ktheu përgjigje. Më vonë pastaj kur fola me njerëz që njoh, u thashë që ju publikuat online njoftimin, dhe nuk mora asnjë përgjigje. Madje as një email që të më njoftonte se nuk u përzgjodha. Dhe m’u përgjigj kështu: “Përse nuk na the ne, ta kishim zgjedhur ne.”

Kjo mungesë institucionale, duhet të përmirësohet. Sidomos për çështje që janë shumë të rëndësishme që na përkasin të gjithë neve, sepse negociatat shkojnë përtej çdo partie. Sepse do të jenë disa marrëdhënie që ne do t’i ndërtojmë për 40-50 vjetët e ardhshme.

Rudina Xhunga: A je i majtë apo i djathtë?

Andi Hoxhaj: Unë jam i majtë. (qesh).

Rudina Xhunga: Sa qejf kemi ne të bëjmë këto pyetje. Mirë që s’të them sa e ke rrogën? (qesh)

Andi Hoxhaj: Nga mbiemri dhe nga Vlora, nuk besoj se do të ishte ndryshe. (qesh). Por ajo nuk më bën që t’i përkas njërës anë apo tjetrës.

Rudina Xhunga: Domethënë je i majti i Korbin, i majti i Blerit?

Andi Hoxhaj: Jo Korbin nuk më pëlqen se është shumë ekstrem, por mendoj i moderuar. Siç ishte, Toni Bler, apo agjenda e Hillari Klinton.

Rudina Xhunga: I majtë i shqetësuar nga Brexit?

Andi Hoxhaj: Po i shqetësuar. Mendoj që nuk është mirë për Britaninë. Por edhe për Evropën.

Rudina Xhunga: Cili qe çmimi që ti more nga Akademia e Shkencave të Britanisë së Madhe?

Andi Hoxhaj: Kam marrë një çmim quhet “Rising Star Engagement Award”, shqip i thonë “Yll në rritje”.

Britania e Madhe në 2018-ën bëri Samitin e Ballkanit Perëndimor. Përpara saj, Parlamenti Britanik bëri disa raporte për të studiuar marrëdhëniet që ka Britania me Ballkanin. Unë kam kontribuar te raporti i parlamentit, ku jam cituar 11 herë. Pas kësaj departamenti mendoi se do të ishte mirë të më propozonin për këtë çmim. Unë propozova dhe një  projekt, pas çmimit. E fitova. Pas saj kam bërë dy aktivitete. Një në Warwick, u mundova të ftoj shumë studiues shqiptarë, për temat e caktuara, por unë e bëra në fushën e sigurisë dhe drejtësisë. Pata mundësi të promovoja disa. Aktiviteti tjetër është bërë në Londër, në Chatham House, ku u fokusuam në luftën kundër korrupsionit dhe shtetit ligjor. Sepse edhe në vende të tjetra në Evropë si Rumani dhe Hungari, ka patur regres përsa i përket shtetit ligjor. Doja të bëja një krahasim, sepse edhe ata i kanë bërë reformat që duam t’i bëjmë edhe ne, dhe të tregoja çfarë ka ndodhur. Për të treguar se jo gjithçka në letra mund të nxjerrë sukses. Në këtë aktivitet ne donim që t’i jepnim edhe Shqipërisë një platformë. Sepse në Britani, Shqipëria nuk ka një emër shumë të mirë. Unë mendova që do të ishte mirë që të vinte një anëtar i qeverisë, ta prezantonte reformën në drejtësi. Dhe ftova ministren e Drejtësisë.

Rudina Xhunga: Pra nuk mund të thuash që me të gjitha institucionet ke pasur heshtje?

Andi Hoxhaj: Jo, me të gjitha.

Rudina Xhunga: Do të doja të vazhdonim pafund këtu, por mbase është më mirë të vazhdonim pak jashtë, të ecim pak edhe nëpër kampus. Kur je në këtë kampus dhe shikon një shqiptar, të duket që të gjithë shqiptarët që vijnë në Londër, janë në këtë pozicion si Andi dhe janë po kaq të angazhuar. Nuk janë të tillë. Ne sipas statistikave, kemi në Londër 100 mijë shqiptarë.  Por jo zyrtarisht sa është shifra?

Andi Hoxhaj: Mbi 250 mijë.

Rudina Xhunga: 250 mijë shqiptarë të ardhur kush me maune, me të gjitha mënyra. Një pjesë e mirë është normalizuar. I kanë dokumentet. Është adaptuar me jetën në Britani. E vetmja gjë që mungon është që të ngjiten bashkë copat e mozaikut. Njerëzit të bashkëpunojnë të bashkëveprojnë, që të kemi një ditë edhe këtu një lagje shqiptare, siç ka një lagje greke, apo kineze. Siç bashkëpunojnë dhe bashkëveprojnë të gjitha komunitetet. Neve na mungon kjo. Do të doja të flisnim pak më shumë se çfarë po bëhet me vizat e shqiptarëve, me lehtësimin e ardhjes së tyre. Me krijimin e mundësive për të ardhur për të punuar në bujqësi e ndërtim. Jo patjetër duke ardhur me pasaporta të tjera, të vijnë edhe t’i dorëzohen krimit të organizuar. Por a e bëjmë jashtë më mirë këtë bisedë, sepse këto janë biseda që kërkojnë më pak libra.

Ky është kampusi i Worwiik. Jemi të rrethuar nga pata, nga një natyrë që të bukos. Sepse është mënyra më e mirë ku mund të studiosh. Ky është vendi yt i punës, vendi yt i shkollës.

Andi Hoxhaj: Po këtu jemi në kampusin jashtë, jo në Fakultetin e Drejtësisë ku ishim më parë në zyrë. Kjo është pjesa e inxhinierisë një pjesë dhe pjesa tjetër e menaxhimit. Kjo është hapur diku në 2006-2007 kur ka qenë Gordon Brown kryeministër. Ai ka ardhur dhe e ka inauguruar.

Rudina Xhunga: Ky është një prej universiteteve të Britanisë së Madhe, që ku inaugurohet një ndërtesë e re, vjen një kryeministër. Ishte edhe Theresa May.

Andi Hoxha: May ka qenë në 2016-ën.

Rudina Xhunga: Kjo është të ndikosh në këtë mënyrë në jetën e atyre që duan të studiojnë. Megjithatë e di çfarë po mendoja në këtë vend që të bën të ndihesh mirë?  Që nuk është vetëm dituria, nuk janë vetëm librat. Është edhe natyra e gjërave,  mënyra sesi ti ndihmohesh apo inkurajohesh të studiosh. Mbase kjo na mungon ne shqiptarëve. Fakti që të gjitha thonë që është e vështirë, vendi i vogël, nuk ia del dot. Kjo na bën keq. Sepse nuk ka njerëz përreth që të investojnë në optimizëm e të na thonë që po, do të bëhet do t’ia dalim. Siç u thuhet këtyre këtu. Sepse në fund të fundit Shqipëria është një shtet i ri. Praktikisht siç u thuhet të rinjve për t’i inkurajuar, kështu i duhet thënë dhe këtij vendi.

Andi Hoxhaj: Jam shumë dakord. Inkurajimi është një nga elementët më pozitivë, që ne duhet të vazhdojmë t’u japim. Për çdo nismë që marrim nuk duhet ta shikojmë se nuk bëhet, se jemi vend i vogël, mendoj që duhet të investojmë më shumë që gjërat do të jenë pozitive. Por mendoj që duhet t’i shikojmë pak edhe në afat më të gjatë. Sepse ne jemi një vend i ri, dhe na duhet kohë. Këtu ka mbi 300 vjet investim dhe bashkëpunim. Por nëse ne shqiptarët do të bashkëpunojmë më shumë me njëri-tjetrin, sepse ne gjithmonë presim që qeveria duhet të vijë aty te në. Fundja ne jetojmë në kapitalizëm dhe ky sistem të jep lirinë që të bashkëpunosh. Unë po shikoja për bursat. Komuniteti nigerian, që kam parë këtu që ka shumë studentë, shumë prej tyre financojnë bursa. pra komuniteti nigerian financon bursat e fëmijëve që ata të vijnë këtu, pastaj të kthehen në Nigeri që të kontribuojnë në vendin e tyre në ekonomi. Edhe ne mund ta bëjmë diçka të tillë, nëse bashkëpunojmë.

Rudina Xhunga: Nuk kemi pse presim. Ideja është që ambasada nuk na mbledh, nuk jemi bashkë se këta janë me PD-në, këta më PS-në. Jo. Ti je shqiptar. Ti mund t’ia dalësh nëse bëhesh komunitet. Edhe heqim atë imazhin e keq. Se kjo është ajo për të cilën më vjen më shumë keq. Që shqiptarët në Londër, nuk përfaqësohen nga djem dhe vajza si ti. Ti nuk je shembulli kryesor. Në lajmet tona, shqiptarët në Britani prezantohen me drogë. Shqiptarë që vijnë me maune. Dreqi e mori, pse vetëm shqiptarët e bëjnë këtë në Britani?

Andi Hoxhaj: Natyrisht që jo. Por ka elementë mikse. Shqiptarët, shumica që kanë ardhur vijnë me një kosto shumë të madhe. Paguajnë diku te 13 ose 15 mijë paund. Dhe e vetmja mënyrë për t’i shlyer është kjo. Pjesa tjetër është edhe natyra jonë si shqiptarë, që duam t’i bëjmë shumë shpejt gjërat. Ajo mund të jetë dhe një fakt kulturor, që ne kemi patur duke qenë një ven komunist, dhe siç u hap liria ne i duam gjërat shumë shpejt. Por mendoj se komuniteti, por edhe institucionet duhet të bëjnë më shumë për të përmirësuar imazhin e shqiptarëve këtu. Dhe të trajtojmë këto problematika që janë në të vërtet. Këta djem pse merren me këto punë, nga cila zona vijnë. Shumë prej tyre nuk vijnë nga zona të varfra. Disa bëhen pre e krimeve të organizuara. Janë gati 100 shqiptarë minorenë që vijnë çdo tre muaj në Britani. Dhe shumë prej tyre bien pre e krimit të organizuar. Këtu mendoj që edhe prindërit duhet të mendojnë më mirë. Sepse shumë prej tyre mendojnë që të nisin fëmijët minorenë, sepse kështu përfitojnë dokumentet dhe mund t’i marrin edhe ato. por është e kundërta. Sepse ata i japin dokumentet deri 18 vjeç dhe pastaj i kthejnë. Problem është edhe që ata minorënë që vijnë këtu, nuk janë më në kujdesin prindëror siç mund të jenë në Shqipëri. Dhe duke qenë se kanë një lirë pa kontroll, shkojnë nëpër grupe kriminale.

Rudina Xhunga: Në folëm bashkë për mundësinë që ju të ndërhyni në mundësinë që shqiptarëve t’u liberalizohen vizat me Britaninë. Sepse është një ferr i vërtetë mënyra se si merr vizën angleze. Nuk e di për shtetet tjera, por për Shqipërinë është e vështirë. Ti je i detyruar të ikësh në këtë mënyrë kur mund të vish në mënyra tjera dhe të punosh në mirëmbajtje shtëpie, në ndërtim apo bujqësi në Angli.

Andi Hoxhaj: Mendoj që këtu duhet të ketë një frymë bashkëpunimi më të thellë nga ana jonë si komunitet që duhet të kërkojmë përmirësimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Por gjithashtu edhe shteti jonë duhet ta ketë  këtë si prioritet, sepse këtu ka një komunitet shumë të madh. Për momentin, është e vështirë që të krijohet liberalizimi i vizave për shkak se ne nuk shikohemi me një sy të mirë. Edhe për shkak të shifrave që ne folëm. Që janë rreth 1000 shqiptarë në burgjet e Britanisë, që çdo muaj vijnë 100 shqiptarë minorenë. Gjithashtu për gratë e trafikuara dhe qenieve njerëzore, ne jemi në shifrat më të larta.

Rudina Xhunga: Edhe në 2019 sjellin gra të trafikuara nga Shqipëria në Britani? Sepse ka dhe një non-sens?

Andi Hoxhaj: Statistikat kështu tregojnë. Por ato që janë marrë me studime disa prej tyre janë fiktive. Gënjejnë për të marrë lejen e qëndrimit. Këto janë problematikat që ne nuk mund të kërkojmë të marrim liberalizmin e vizave, pa trajtuar këto.  E kuptoj që shumë njerëz janë të dëshpëruar, ana sociale ekonomike që i shtyjnë ta bëjnë këtë. Por pa i adresuar tamam këto çështje, nuk mund të kërkojmë liberalizimin e vizave. Unë mendoj që do të ishte shumë e dobishme, të trajtohet tani duke qenë se Anglia do të dali nga Evropa. Ekonomia do të riorganizohet. Sepse në fushën e agrikulturës këtu kanë qenë shumica nga vendet e Evropës. Por duke qenë se edhe paundi po bie dhe euro po rritet shumë po ikin. Vitin e kaluar shumë prej atyre që vinin nga Polonia dhe Rumania, po ikin. Ne aty mund të kontribuojmë me viza sezonale. Por ky duhet të jetë një diskutim që duhet ta bëjnë shtet. Ne mund të japim statistika dhe ide.

Rudina Xhunga: E rëndësishme është që në mesin e atyre që japin statistika dhe ide, të ketë edhe shqiptarë. Sepse ka ikur koha që ne të jemi thjeshtë statistika për botën dhe idetë t’i japin të tjerët. Prandaj unë të përgëzoj, të falënderoj që  më dhe mundësi për këtë intervistë në kampusin e punës tënde, të një universiteti prestigjioz ku ti je një emër i rëndësishëm, edhe ti ke një gjurmë këtu. Uroj edhe në  jetën e shqiptarëve që tani po futen në Bashkimin Evropian.  Uroj të dëgjoj më shumë për ty pas kësaj interviste.

Andi Hoxhaj: Shumë faleminderit që erdhët këtu./dritare.net

@tn.lajmelokale
@tetovanews