Ballina Diaspora Mjeku nga Struga ka kryer mbi 6.000 operacione në Austri: Ëndrra për...

Mjeku nga Struga ka kryer mbi 6.000 operacione në Austri: Ëndrra për t’u kthyer në vendlindje nuk është shuar! (VIDEO)

Aty ku janë shqiptarët, aty është edhe ekipi i emisionit “Me Diasporën” i televizionit Lajm, për të sjellë pranë opinionit sukseset e bashkëkombasve tanë që shquhen në profesionet e tyre kudo që janë nëpër Evropë dhe botë. Një bashkatdhetar që meriton vëmendje të posaçme është Nezir Sela nga Struga, ortoped me renome ndërkombëtare në Vjenë. Me doktor Selën u takuam në vendin e tij të punës. Ai është prezent vazhdimisht në mediumet austriake në spitalin e njohur “Herz Jezu Krankenhause”, kurse si Lajm Tv dhe Gazeta Lajm patëm nderin të jemi mediumi i parë për të cilin ka dhënë një intervistë në gjuhën shqipe. Rrëfimi i tij jetësor dhe përcaktimi për t’u bë mjek ortoped është mjaft interesant. Në moshë 12-13 vjeçare ka thyer këmbën, kurse mjekët në Spitalin e eshtrave në Ohër e kanë kuruar me metoda të gabuara. Që në atë moshë është betuar se një ditë do të bëhet ortoped dhe të ju ndihmojë pacientëve që pësojnë lëndime të tilla.

“Unë si fëmijë kam pasur një aksident. Është bërë një gabim shumë i madh gjatë shërimit tim në spitalin e eshtrave në Ohër. Ky ishte momenti kur u përcaktova që të bëhem mjek ortoped, që personalisht të kontribuoj të mos bëhen gabime të tilla”, rrëfen ai.

Doktor Sela sot ka rritur majet e suksesit në profesionin e tij, sepse shëndetësia austriake është në mesin e më të suksesshmeve në Evropë. Mirëpo fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë. Nuk është pak ndryshim të shkosh nga fshati i vogël Livadhi i Stugës pa e ditur asnjë fjalë në gjuhën gjermane, në një metropol siç është Vjena, qytet që më herët e kishte parë vetëm në filma. Kuptohet se ndihmë të madhe ka pasur nga babai i tij, një mërgimtar i kamotshëm shqiptar në Austri. Edhe pse punëtor krahu në ndërtimtari, ai kishte vendosur që tërë pasurinë ta shkrijë për të shkolluar tre djemtë në kryeqytetin austriak.

“Unë vij nga fshati Livadhi i Strugës, prej atje në Dibër, prej në Dibër në Vjen, një metropol me dy milionë banorë. Deri atë kohë nuk kisha dalë shumë jashtë. Vjenën e kisha parë vetëm në filma. Me ardhjen këtu, mu plotësua një ëndërr që e kisha nga mosha 12-13 vjeçare. Fillimi ishte shumë i vështirë, por me punë dhe vullnet të madh ia dola”, thekson doktori i njohur, Nezir Sela.

Gjatë karrierës 20 vjeçare, ai ka kryer rreth 6.000 operacione. Një pjesë e ka kryer si mjek kryesor, kurse një pjesë si pjesë e ekipit. Është ky rezultat fascinues me të cilin mund të mburren vetëm emrat më të mëdhenj të mjekësisë.

Nga mijëra rastet dhe operacionet që ka kryer, si rast që më tepër i ka bë përshtypje ai e veçon rastin e një paciente nga Kosova, nënë e dy fëmijëve. Ajo është pranuar në spital me dhimbje të mëdha, kurse ditën që është dashur të operohet ka arritur urdhri për ta deportuar në Kosovë. Ky rast e ka prekur mjekun Nezir Sela, falë angazhimit të cilit deportimi është shtyrë, kurse operimi që ka kushtuar mbi 5 mijë euro është kryer falas.

Karriera e tij e begatë është pasur edhe me punime shkencore dhe krijimin e kuadrove të reja mjekësore në lëminë e ortopedisë.

Sukseset radhiten si në shirit filmi, por dëshira për tu kthyer në vendlindje nuk është shuar.

Dua të theksoj se unë dhe gjithë vëllezërit e mi erdhëm këtu për të studiuar. Ylberi tani është kthyer dhe është atje, ai ka studiuar shkencat politike dhe ka doktoruar në Vjenë. Vëllau i dytë ka studiuar informatikë. Dëshira ishte që të kthehemi pas mbarimit të studimeve dhe kjo ishte dëshirë e madhe e prindërve. Por ndoshta një ditë do të kthehemi, sepse dëshira për t’u kthyer nuk është shuar edhe pse rrethanat për t’u kthyer nuk janë shumë të mira./Gazeta Lajm-LajmTV/

@tn.lajmelokale
@tetovanews