Ballina Aktualitet Kryefamiljari mes lotëve: Zoti i hapi djalit një derë që të dilte...

Kryefamiljari mes lotëve: Zoti i hapi djalit një derë që të dilte bashkë me vajzën dhe gruan (VIDEO)

Familja me 15 anëtarë që i shpëtoi mrekullisht tërmetit

Një mrekulli do të quhej ajo e familjes Sula në Manzë të Durrësit, ku 15 anëtarë të saj arritën të shpëtonin nga tërmeti i së martës, edhe pse shtëpia u rrënua totalisht.

“Sot është që të bëj një festë të madhe, sepse Zoti më ka ruajtur me 15 vetë, pas tërmetit që u shemb gjithë pallati, gjithë shtëpia, ne kemi dalë të gjithë. Dhe më e keqja, sepse një prej çunave ka qenë në katin e 2, iu është mbyllur dera nuk ka mundur me dalë. Aty afër derës e ka hapur Zoti një vend me dalë me gjithë gocën e gruan. Ka dalë, i ka nxjerrë Zoti, kanë dalë të gjithë poshtë. Unë i fundit fare me gjithë gruan kam qenë në katin e sipërm. Kur kam bërtit, se po prisja kur po vdes. Ne njëri-tjetrit i japim kurajo, por edhe njerëzit po na mbështesin duke na thënë fjalët më të mira”.

“Gjithë kemi qenë në gjumë. I thashë nuses çohu, se ra tërmet. U ngrit, filloi të shkundej më fort. Unë shkova mora kalamajt te dhoma tjetër. I mora përdore, do ti ra u shkëput një bllok i madh. Mirëpo ka dashur Zoti që qe i madh, që u mbështet në mur, sepse po të kishte qenë më i shkurtër do na mbyste fare. U fikën dritat në atë moment, mora fëmijët, u ula në gjunjë, kam ecur në gjunjë. Kur dola këtu nuk e dija që isha në kat të dytë. Kur pashë ne kishim rënë në kat të dytë. Unë dola i pari faktikisht, vëllezërit e tjerë dolën me fëmijët, edhe ata i ka ruajtur Zoti si puna ime. Ashtu kanë dalë edhe ata”.

Përkohësisht janë strehuar tek familjarët e tyre, por ndodhen nën ethet e pasigurisë se çfarë do të ndodhë në të ardhmen, tashmë që kanë mbetur pa një çati mbi kokë. Familja Sula prej 15 anëtarësh apelon për ndihmë, me frikën që mos ngelen në qiell të hapur.

“Ne nuk e përballojmë dot më. Ne e kemi vënë këtë, por kemi dashur vite për të arritur këtu. Kjo u zhduk brenda sekondës. Atëherë kërkojmë ndihmë, nga qeveria, nga donatorë të ndryshëm. Të shohin si kemi shpëtuar dhe po e dha zemra le të na ndihmojnë, të na japin aq sa të kenë mundësi”.

Ata ndihem mirënjohës që arritën të shpëtonin nga kjo tragjedi e cila la pas vetëm rrënoja dhe panik.

*Rasti i familjes Sula u transmetua këtë të premte në emisionin “Rudina”, në Tv Klan./tvklan.al

@tn.lajmelokale
@tetovanews