Ballina Top Lajm Gazetari nga Shkodra, 3 vite në kërkim të Alvinit

Gazetari nga Shkodra, 3 vite në kërkim të Alvinit

Gazetari Taulant Kopliku u bë i njohur për publikun shqiptar tri vite më parë, me denoncimin e rastit Alvin Berisha, 11-vjeçarit të marrë në kampin famëkeq “AlHol” (Siri) nga e ëma dhe i shoqi i saj xhihadist. Ai erdhi në ekranet televizive si një gazetar me një ndjeshmëri të lartë, edhe për faktin e të qenurit baba i tre fëmijëve. Jo si pjesë e ndonjë televizioni kombëtar. Taulanti foli për bashkatdhetarët si gazetar i emisionit investigativ “Le Iene”, që jo rrallëherë u ka kushtuar hapësirë 800 mijë shqiptarëve që jetojnë në Itali. Por, rrugëtimi i tij si gazetar nuk ka qenë aspak i thjeshtë. Përkundrazi!

Ndonëse shërbeu për shumë kohë si korrespondent i qytetit të lindjes (Shkodër), tetë vite më parë, i drejtoi sytë drejt mërgimit. Sikundër kuptohet, për një jetë më të mirë. Mirëpo, si shumë emigrantë, u përball me punë të rëndomta; larg mikrofonit, kameras dhe raportimit. Nuk do të vononte shumë që t’i rikthehej pasionit të hershëm, të vendosurit në gjurmë të së vërtetës, të asaj të dhimbshmes. Dyert e “Le Iene”-s u hapën për të, ashtu sikurse iu hapën sytë edhe shumë italianëve në lidhje me gjendjen aktuale në Shqipëri.

Në vitin 2017, në një vizitë të ndërmarrë në Bulqizë, Taulanti u shndërrua në udhërrëfyesin e grupxhirimit. Nuk vonoi shumë publikimi i reportazhit ku trajtohej problemi i fëmijëve që punonin gjithë ditën në stoqet e mineralit të kromit për të fituar 100-200 lekë në ditë. Me zë dhe figurë, fëmijët dëshmonin se kjo ishte një mënyrë për të ndihmuar familjet e tyre të varfra. Mirëpo, kryeministri Edi Rama mohoi gjithçka gjatë një vizite në Bulqizë. Më erdhi inat me ca italianë, se dhe atje kazanë sa të duash ka. Kishin bërë një reportazh të ndyrë për Bulqizën me filmime të vjetra, me fëmijë që turreshin për të mbledhur krom. Faktikisht sot nuk është më si fenomen -u shpreh asokohe Rama, i cili nuk vonoi shumë që të deklaronte se akuzat e tij ishin të nxituara.

Pavarësisht gjithçkaje, Taulanti nuk u step përballë kërkesës së Afrim Berishës, për t’u vendosur në kërkim të të voglit të tij. Kishte ende shpresë se qasja e autoriteteve shqiptare do të ishte disi e ndryshme. Në shtator të këtij viti publikoi “Reportazh nga Ferri-Pagesa e Marrëzisë”, përmes së cilës sillte ekzistencën e mundimshme të Alvinit dhe shumë të tjerëve si ai në kampin “AlHol”, rrethuar nga djegie çadrash, vrasje makabre dhe akte të përbindshme.

Kaq mjaftoi që media dhe opinioni vendas të vendosej në lëvizje. Dhe duket se, kaq mjaftoi edhe për realizimin e një takimi midis kryeministrit Edi Rama dhe kryeministrit italian GiussepeConte, për ndërmarrjen e një operacioni të suksesshëm.

Alvin Berisha u nxor nga kampi “AlHol” dhe u bashkua me të atin në Romë, Itali. Taulanti, preferoi të stepej. Nuk pati prej tij deklarata pompoze, ku theksi të vihej mbi rolet dhe meritat.
“Do ishte mirë sikur këto foto “rambosh” që u shpërndanë gjerësisht nëpër rrjete sociale, të mbeteshin një kujtim i bukur personal për secilin nga ata që ishin në Bejrut, në pritje të përfundimit të operacionit”-u shpreh Taulanti në një intervistë ekskluzive për “Mapo”, duke treguar kështu karakterin e tij fjalëpak e punëshumë.

Sot ai ndodhet në shtëpinë e Alvinit, Bargazo. Për ta parë, përqafuar dhe për t’i thënë se edhe miqtë e tij të vegjël do ta shohin ndryshe dritën e diellit, larg bombave, luftërave dhe fanatizmit. Diçka është e sigurt, Taulantin do ta shohim dhe dëgjojmë sërish, për të gjithë “Alvinët” e tjerë, që nuk janë të pakët në numër.

VIDEO bonus:
Loading...