Ballina Aktualitet FOTOT/ Pamjet apokaliptike: Durrësi, i braktisur dhe në zi…

FOTOT/ Pamjet apokaliptike: Durrësi, i braktisur dhe në zi…

Nga Sabina Veizaj

Durrësi mardhte mbrëmjen e së enjtes. Jo nga era e ftohtë dhe e shpejtë, as nga shiu që i lagte shpinën, barkun, këmbët dhe sytë qytetit të lashtë, por nga braktisja.

Pas luftës me Bajlozin e Zi, ashtu rreckosur, sakatuar, plagosur deri në palcë, pa shkëlqim dhe hijeshi, Durrësi është strukur nën vete, pa bijtë e tij, i lënë në qoshkë të vajtojë i vetëm.

Tek eci me makinë nëpër Vollgë, aty ku në pikun e sezonit turistik nuk ke vend të hedhësh as një kokërr mollë, ndjen frikë vetmie.

Të ngjan sikur i je futur në bark një qyteti të basdisur dhe të hedhur në plehra. Ndjen ftohtë dhe trishtim të thellë.

Ndjen sikur je në mes të një shkretëtire të stisur. Nis të fryjë, e mandej fryn më shumë e nis një shi i shtruar. Godinat rreth e rrotull Vollgës nuk janë dëmtuar nga tërmeti i së martës, por këto pasdite gjithkush e gjithçka i tutet qytetit të drobitur.

Asnjë hap njeriu në rrugë, makina të pakta që rrëshqasin shpejtë në asfalt dhe pas të lënë ndjesinë sikur edhe ato janë n’arrati.

Gjithçka nën qepena apo nën xhama të trashë hermetikë. Çdo gjë ka ndalur në këtë pjesë të qytetit.

Çdo aktivitet është i mbyllur. Asnjë kafene çelur, teksa ora shënon vetëm 18:00.

Edhe në pallatet e banimit aty pari e pak më tutje asnjë shenjë jete. Tek-tuk, në çdo pallat mund të shquash përmes dritës së ndezur, literalisht vetëm një familje në çdo pallat prezente në shtëpinë e saj.

Durrësin e kanë lënë. Nuk e kisha provuar ndonjëherë ndjesinë e të veshurit të braktisjes së një qyteti e të pashpresës.

Me siguri ata që janë larguar, Bajlozi i Zi u ka ngjallur krupën dhe janë detyruar të lënë një shesh beteje të humbur, për një luftë që nuk e zgjodhën, nuk e deshën, nuk e bënë, thjesht i përfshinë.

Sa i akullt m’u ndje Durrësi. Ishte si një kukull porcelani që mund të të rrëshkiste në çdo çast nga duart dhe të të bëhej copë edhe çikë.

Dola nga makina për një çast dhe ndjesia e braktisjes mu qas edhe më thellë e mu kujtuan vargjet e Bilal Xhaferrit;

Atdheu është dhimbje, është dhimbje.
atdheu s’ka fjalë, ka sy të trishtuar.
atdheu është varr i hapur, është varr.
atdheu yt i vogli , i vogli
ai hyjnori i pavdekshmi si loti

Hyra në makinë e mbushur plot trishtim dhe keqardhje. I thashë shoferit ti drejtoheshim ekstremit tjetër të qytetit; aty ku luftohet me mbijetesën dhe ngritjen e një shprese se do të ketë me të vërtetë një nesër, të mirë.

Jemi në stadiumin e qytetit, ku shquaj pako çadra. Muzgu ka rënë dhe në bordurat e stadiumit dhe familje të strukura pas njëri-tjetrit nga i ftohti dhe mjerimi shpirtëror që i ka pllakosur.

Fëmijë që përpiqen të luajnë, syreshë të tjerë që kërkojnë të hanë.

Rroba përtokë, disa të tjerë brenda në çadër e të tjerë mandej jashtë tyre duke dhënë e marrë me njëri-tjetrin.

Jashtë një çadre ku po qëndrojnë këtë natë një çift të moshuarish shoh dy infermiere me një kuti kartoni me ilaçe përpara.

Tek i pyes më shpjegiojnë se ilaçet kanë ardhur si ndihma, “ne po i shohim që janë të vlefshme dhe përse e mandej do ti dorëzojmë. Kështu na kanë urdhëruar”- thonë ato.

I pyes sërish nëse mund të jetë një zgjidhje me ditë kjo e çadrave në këtë mot të pafavorshëm, ato më thanë se vetë nuk do të rrinin kurrë në këto kushte.

Brenda në çadër ndodhet një çift të moshuarish mbi të 75-at. Ata janë Petrit dhe Zenepe Kerri. Shtëpia e tyre është klasifikuar si e pabanueshme dhe ata tashmë me një torbë me rroba në krahë, një natë e kanë kaluar tek njëra vajzë, një natë tek vajza tjetër, të cilat në kushte ngushtësie për hapësirë sipas çiftit Kerri, janë detyruar ti lënë prindërit që këtë natë të flenë në një nga tendat në stadiumin e qytetit.

Tenda është aq e hollë, sa shiu që nisi të bjerë hynte brenda. Gjysh Petriti qëndronte i ulur mbi krevatin tek dhe në tokë në të djathtë të tij qëndronte një dyshek tek që me siguri do të jetë bërë ujë nga shiu.

Lajmi i mirë është që gjyshërit Kerri sot nisen për në Itali tek fëmija tjetër. Po sikur të ishin të detyruar të qëndronin në Durrës?!…

Mandej shoh njerëz të grumbulluar tek një kamion që ka ardhur nga Kosova. Njëri prej djemve më thotë se sot kanë ardhur 4 kamionë me ushqime e veshmbathje nga Kosova.

“Ne jemi grupi “Çunat e Kerrit”, vullnetarë nga gjithë qytetet e Kosovës. Kemi ardhur të ndihmojmë, por nuk na lënë të shpërndajmë ndihmat tek njerëzit. Na thonë se duhet t’i dorëzojmë tek gjimnazi përballë”- më thotë njëri prej djemve të cilët ndiqen nga një grumbull njerëzish që fati i detyroi ta kalonin natën e netët në vazhdim me sa duket në qiell të hapur dhe duart e zgjatura për të lypur ushqim.

Dikush më thotë se kanë hequr shumicën e çadrave për shkak të shiut dhe iu premtuan se do t’i shpinin në hotel, por “ndihemi të mashtruar dhe të braktisur në mëshirë të fatit. Pa ngrënë, pa batanije. Si do ta kalojmë natën në shi? Nuk po na japin për të ngrënë. Aty ka ndihma plot, ku po i çojnë”?

Pyeta një polic të ri me uniform se pse të prekurit nga tërmeti që janë në stadium nuk po marrin ushqime dhe batanije të cilat kanë mbërritur si ndihma.

“Na kanë urdhëruar të mos i shpërndajmë, por ti çojmë tek shkolla”- më thotë.

Një tjetër polic, por civil, i cili nuk do të prononcohet për shkak të detyrës, më thotë se po abuzohet me ndihmat. Njerëzit janë të urritur, kanë nevojë për ushqim, ilaçe, veshmbathje. Ai më tërheq nga xhupi dhe më drejton kah gjimnazit “Leonik Tomeo”.

“Aty hyr dhe kupto çfarë po ndodh”-më thotë.

Pasi kalon derën e hekurit të shkollës, në oborr ka autobusë, kamionë, furgona, makina, punonjës bashkie me jelek fosforeshent.

Mandej sapo hyn në hyrjen ballore të shkollës, në katin e parë ndjehet aromë ushqimi. Është kuzhina lëvizëse me ushqim të freskët që vjen nga Kosova.

Aty pari djemë, vajza, burra, gra po sistemonin ndihmat e ardhura nga të gjitha vendet e shqiptarisë; Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Malishëve, etj.

Edhe vullnetarët e Kryqit të Kuq më tutje po paketojnë qeset me ushqime për ti shpërndarë në momentin që do tu jepet urdhër.

Pyes këdo për të kuptuar se kush është pritësi zyrtar nga ana shqiptare dhe kush i menaxhon dhe koordinon ndihmat, por askush nuk e di.

Edhe zotëria që ka ardhur nga Malisheva, po kërkon të njëjtin person me mua, por asnjë përgjigjje.

Febi Krasnici nga Peja që përfaqëson një shoqatë mjedisore më thotë: “Ne kemi ardhur për të ndihmuar motrat dhe vëllezërit tanë me lotë në sy, por ju lutem, mos abuzoni me ndihmat. Duhet të shkojnë aty ku duhet. Po abuzohet”.

Brenda shkollës, tek sistemohen ndihmat dhe gatuhet, ka një frymë të jashtëzakonshme solidariteti. Këdo shqiptar Kosove, Maqedonie që intervistoj, flet me lotë në sy për tragjedinë e tërmetit të së martës. Ata janë të gatshëm të qëndrojnë aty deri sa situata të marrë udhë për tu qetësuar.

Jashtë kangjellave të shkollës zvarriten të mjerët; të tronditur nga tërmeti, pa banesë, pa ushqim, në pritje për një vendstrehim dhe ushqime.

Dikush thotë se ka marrë veç një panine, dikush tjetër thotë se nuk ka ngrënë, ka uri, të tjerë kanë nevojë për tu mbuluar se ndjejnë ftohtë dhe bie shi, një nënë ka nevojë për ilaçe për fëmijën e sëmurë.

Edhe ti fantazosh disa histori, nuk arrin dot ti thurrësh sa këto histori të vërteta që rëndojnë mbi supet e atyre që nuk dorëzohen megjithë qametin që u ka rënë…
Nga stadium shkuam tek rrënojat e Lalajve. Masa e njerëzve qe tkurrur se dera e mortit ishte çelur brenda pas gjetjes së disa prej trupave të viktimave të familjes nën rrënojat e vilës. Zona ishte pastruar nga zjarrfikësit dhe në atë moment ata nisën të gërmojnë me skavator.

Në atë moment mungonte edhe një trup dhe nga biseda mes një zjarrfikësi Italian dhe një burri tjetër dëgjova se nuk kishin arritur të dedektonin një vend për të kërkuar trupin e fundit, prandaj po gërmonin.

Por trupi i Ilir Lalës u gjet pak orë më vonë.

Kështu e lashë edhe mbrëmë Durrësin; një pjesë të braktisur në vetmi, një pjesë në mort…

VIDEO bonus: Tërmeti në Shqipëri VIDEO nga Tetova: MOTI: PUBLICITET: PUBLICITET:
Loading...