Ballina Bota Analiza Faqja e njohur: Pesë gjëra që duhet të dini për Ballkanin Perëndimor

Faqja e njohur: Pesë gjëra që duhet të dini për Ballkanin Perëndimor

Muajin e kaluar, kur udhëheqësit e 28 anëtarëve aktualë të BE-së u mblodhën për të diskutuar mbi anëtarësimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ekzistonte optimizmi se procesit të pranimit do t’i jepej drita jeshile, shkruan faqja e njohur për çështjet politike europeansting.com.

”Megjithatë, një grup i vogël vendesh, të udhëhequr nga Franca, kundërshtuan fillimin e bisedimeve me vendet e Ballkanit Perëndimor derisa BE të reformohej, vendim ky që presidenti i Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, e konsideroi gabim historik.

Pra çfarë ka tjetër për Ballkanin Perëndimor? Kjo do të jetë tema e një samiti që do të zhvillohet javën e ardhshme në Gjenevë nga Forumi Ekonomik Botëror dhe që do të ndiqet nga drejtuesit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, Shqipërisë, Bosnje- Hercegovinës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë.

Këtu janë pesë tema që ka të ngjarë të diskutohen.

Zhvillimi dhe Punësimi

Të gjashta vendet po rrisin tashmë përpjekjet për bashkëpunim, teksa kërkojnë t’i japin fund hendekut ekonomik me Europën Perëndimore. Ato kanë gëzuar rritje të qëndrueshme gjatë dy dekadave të fundit, ku PBB-ja mesatare për frymë, është rritur me një të pestën e normës së Gjermanisë në vitin 2000, në 29% në ditët e sotme.

Sipas Bankës Botërore, papunësia në Ballkanin Perëndimor ra në nivele historike në gjysmën e parë të vitit 2019, e mbështetur nga rritja ekonomike e vitit 2018.

Edhe pse në rënie, kryesisht në Maqedoninë e Veriut dhe Bosnje-Hercegovinë, përqindja e papunësisë në rajon mbetet me numër dyshifror. Por, perspektiva e integrimit në BE ka çuar në reforma të tregut të punës në shumë vende.

Kosova është shteti më i ri në rajon, me më shumë se se një të katërtën e popullsisë nën 15 vjeç. Punësimi mbetet jashtëzakonisht i ulët, veçanërisht tek gratë, me vetëm 18% të grave në fuqinë punëtore.

Të bërit biznes

Të dhënat nga Raporti i Konkurrencës Globale për vitin 2019, tregojnë përmirësime në lehtësinë e të bërit biznes në rajon. Drejtuesit e bizneseve, të anketuar për raportin, thanë se sfidat kryesore të rajonit ishin disponueshmëria e ulët e kapitalit të sipërmarrjes dhe joefikasiteti në disa tregje financiare të punës dhe produkteve.

Shqipëria ka bërë përpjekje të mëdha në reduktimin e kohës dhe kostove të nevojshme për të hapur një biznes. Disponueshmëria e kapitalit të investimit është rritur gjithashtu, megjithatë, mbetet e ulët në standartet ndërkombëtare.

Maqedonia e Veriut ka bërë përparim të konsiderueshëm në ndihmën e startup-eve, me shpenzime të ulura në vetëm 1% të të ardhurave mesatare dhe një proces që zgjat rreth 14 ditë. Mali i Zi ka gjithashtu procedura minimale për të filluar një biznes të ri.

Në Serbi, krijimi i një biznesi të ri zgjat pesë ditë, kushton 2% të të ardhurave mesatare dhe vitet e fundit tregu i kapitalit të investimit është rritur. Pothuajse në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), shpenzimet për kërkim dhe zhvillim (R&D), janë deri tani më të lartat në rajon, pjesërisht falë investimeve të huaja në rritje.

Teknologjia dhe e ardhmja e punësimit

Megjithatë, drejtuesit e bizneseve, të anketuar nga Forumi, ishin të shqetësuar nga adaptimi i ngadaltë i teknologjive të përparuara si robotika dhe Inteligjenca Artificiale (IA) në rajon. Mali i Zi ka qenë udhëheqës në zhvillimin e teknologjisë së rajonit.

Qeveria ka qenë nga më aktivet në krijimin e një vizioni afatgjatë për vendin, me një fokus të fortë në inovacionin. Drejtuesit e bizneseve e vlerësojnë Malin e Zi si vendin me strategjinë më të mirë teknologjike në rajon.

Mali i Zi ka udhëhequr zhvillimin e Institutit Ndërkombëtar të Europës Juglindore për Teknologji të Qëndrueshme, që po krijon strukturën më të mirë në përdorimin e protoneve për trajtimin e kancerit, në partneritet me CERN.

Adaptimi i teknologjisë në Bosnje-Hercegovinë është rritur në mënyrë të konsiderueshme, duke e bërë atë vendin me përmirësimin më të madh në rajon në vitet 2017 dhe 2019, në Raportin e Konkurrencës së Forumit.

Në Shqipëri, bashkëpunimi midis industrisë dhe shkencës për kërkim dhe zhvillim është përmirësuar, por mbetet në vetëm 40% të niveleve globale, sipas Forumit.

Çfarë po bën Forumi për Ballkanin Perëndimor?

Që në janar të vitit 2018, Forumi Ekonomik Botëror, zhvillon një dialog strategjik të vazhdueshëm për Ballkanin Perëndimor. Qëllimi i mbledhjeve të nivelit të lartë është të nxisë partneritete që avancojnë integrimin rajonal si dhe përparimin ekonomik dhe shoqëror për të siguruar një platformë të paanshme në diskutimin e sfidave dhe mundësive që formojnë perspektivën politike dhe ekonomike të rajonit dhe për të thelluar bashkëpunimin ndërrajonal. Drejtuesit nga Shqipëria, Bosnje-Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, si dhe palët kryesore të interesuara në rajon, u takuan dje në selinë e Forumit, në Gjenevë, për të vazhduar dialogun.

Infrastruktura

Raporti i Konkurrencës së Forumit theksoi dobësi të vazhdueshme në infrastrukturën thelbësore, veçanërisht në hekurudha dhe porte. Drejtuesit e bizneseve bënë gjithashtu thirrje për përmirësime në sistemet ligjore, duke përfshirë pavarësi më të madhe gjyqësore dhe aftësi për të kundërshtuar rregulloret dhe për të zgjidhur mosmarrëveshjet.

Drejtuesit duan të shohin në veçanti, përmirësime në mbrojtjen e pronësisë intelektuale për të inkurajuar adaptimin e teknologjive në zhvillim nga kompanitë vendase. Ata gjithashtu bënë thirrje për masa, për të lejuar shfaqjen e tregjeve të reja, pasi risia krijon produkte dhe modele të reja biznesi.

Raporti i Forumit për Rreziqet Rajonale të të Bërit Biznesit për vitin 2019, zbuloi se çmimet e energjisë ishin shqetësimi më i madh në rajon, ku Serbia zinte vendin e parë.

“Edhe pse çmimet në rajon u rritën disi dhe në disa raste ranë në vitin 2018, drejtuesit e bizneseve në Ballkan duken shumë të shqetësuar për rritjen e çmimeve të energjisë, pasi parashikohet të rriten deri në 40% në vitin 2019”, thuhet në raport.

Hendeku gjinor

Rajoni ka përparuar në zhdukjen e hendekut gjinor, kryesisht në fushat e arsimit dhe shëndetësisë.

Megjithatë, raporti i Hendekut Gjinor të Forumit Ekonomik Botëror të vitit 2018, tregon se ende mbeten boshllëqe të konsiderueshme për sa i përket pjesëmarrjes ekonomike dhe fuqizimit politik.

Kur bëhet fjalë për të parën, rajoni mbetet pas Europës Perëndimore dhe anëtarëve të Europës Qendrore dhe Lindore të BE-së.

@tn.lajmelokale
@tetovanews