Ballina Bota Erdogan hedh poshtë ultimatumet e BE-së për eksplorimet për gaz në Qipro

Erdogan hedh poshtë ultimatumet e BE-së për eksplorimet për gaz në Qipro

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan hodhi sot poshtë ultimatumet e Bashkimit Europian për çështjen e eksplorimeve për gaz të realizuara nga Turqia në brigjet e Qipros.

BE ka ndërmarrë një hap tjetër drejt kthimit të sanksioneve kundër Turqisë për këto shpime të paligjshme duke miratuar zyrtarisht një kuadër juridik për të shënjestruar personat e përfshirë.

“Ju nuk keni interes për të dhënë ultimatume për Turqinë për sa i përket marrëdhënieve tona me Qipron”, deklaroi Erdogan në një konferencë shtypi në Ankara.

“Ne nuk i kushtojmë shumë rëndësi dhe do të vazhdojmë rrugën tonë”, shtoi ai.

Ai kujtoi gjithashtu se Turqia strehonte rreth katër milionë refugjatë, pjesa më e madhe sirianë dhe mund t’u hapë portat drejt Europës.

Ai konfirmoi gjithashtu se Turqia do të vazhdonte të rikthente drejt vendeve të tyre në Europë xhihadistët e huaj të grupit të Shtetit Islamik që ajo mban.

Zbulimi i rezervave të gazit dhe naftës në Mesdheun Lindor ka shkaktuar një konflikt mes Qipros, anëtare e BE-së dhe Turqisë që ka pushtuar pjesë të veriut të ishullit.

Në mes të tetorit, europianët ranë dakord për të sanksionuar aktivitetet e paligjshme të shpimit.

Sanksionet do të konsistojnë në një ndalim për të hyrë në territorin e Bashkimit Europian dhe një ngrirje e të ardhurave.

@tn.lajmelokale
@tetovanews