Ballina Bota Analiza Paradokset që duhet të zgjidhë Greqia në trekëndëshin Tiranë-Shkup-Athinë

Paradokset që duhet të zgjidhë Greqia në trekëndëshin Tiranë-Shkup-Athinë

Megjithëse ka vetëm katër muaj në pushtet, Qiriakos Mitsotaqis është takuar dy herë me homologun e tij shqiptar Edi Rama. Nën hijen e zhvillimeve në rajonin e Lindjes së Mesme dhe Mesdheut Lindor tashmë Athina sheh me shqetësim se ende ne kufijtë e saj veriorë dhe perëndimorë gjendja lë për të dëshiruar.

Për më shumë se një vit, paketa e problemeve të pazgjidhura me Shqipërinë qëndron e mbyllur në sirtarët e Ministrisë së Jashtme greke dhe pritej koha e duhur për rishikimin e saj. Por papritmas duket se problemi më i madh për Athinën, dhe ky është paradoksi i radhës në Greqi, është përsëri Shkupi.

Aty ku marrëveshja e Prespës po shkonte të mbulonte një të çarë 30-vjeçare midis dy vendeve fqinjë, vendimi i BE për mosdhënien e një date për çeljen e negociatave me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut , krijon një problematikë të re për palën greke.

Paradoksi i Demokracisë së Re

Por ku qëndron paradoksi politik në këtë çështje kaq të ndjeshme kombëtare? Shumica e konservatorëve grekë përdorën Marrëveshjen e Prespës politikisht vitin e kaluar dhe thuhet se ishte pikërisht ajo që u dha atyre një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare. Ata kritikuan ashpër qeverinë Tsipras duke e quajtur marrëveshjen tepër negative si dhe anti-kombëtare, pasi sipas tyre shiste historinë dhe emrin Maqedoni, tek fqinjët.

Në këtë retorikë ata përfituan një pjesë të madhe të votave të grekëve që për një ose disa arsye nuk votuan më Agimin e Artë. Kur Demokracia e Re erdhi në pushtet në korrikun e kaluar, Mitsotaqis dhe ministrat e tij, përsëri kanë përsëritur se Marrëveshja e Prespës është negative, por ata janë të detyruar ta zbatojnë atë dhe këtë kanë kërkuar edhe nga fqinjët e tyre.

Ndërkohë zgjedhjet e parakohëshme në Maqedoninë e Veriut kanë sjellë një skenar të ri që mund të shkaktojë tërmet politik në rajon. Në fillim ka qenë vetë kryeministri aktual i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, që me një deklaratë bombë, i prekur nga dera e mbyllur e Europës, ka thënë se ndoshta disa aspekte të Marrëveshjes do të mbeten të ngrira për një farë kohe.

Pas reagimeve nga Brukseli e Athina, ai e ka korrigjuar shpejt deklaratën e tij, duke theksuar se qeveria në Shkup mbetet tërërësisht në funksion të zbatimit të Marrëveshjes së Prepsës.

Por në të njëjtën kohë lideri i opozitës Hristian Mickoski ka lënë të nënkuptohet se nëse partia opozitare VMRO që ai drejton, fiton zgjedhjet në prillin që vjen, ka shumë mundësi që ai të mos e respektojë atë dhe të kërkojë zhvlerësimin e Marrëveshjes.

Dhe këtu vjen paradoksi për qeverinë Mitsotaqis që menjëherë nga një kritikuese e madhe e Marrëveshjes, tashmë është e detyruar të jetë mbrojtësja më e flaktë e saj dhe këtë kanë pohuar vetë zyrtarët më të lartë të kabinetit dhe të partisë Demokracia e Re.

Takimi Mistotakis-Rama dhe të pathënat e tij

Dy liderët janë takuar dy herë, pas takimit të Nju Yorkut, por në Athinë kanë qëndruar bashkë shumë më gjatë. Dhe kanë thënë shumë, por tani për tani siç pohojnë burimet nga të besuarit e tyre, asgjë nuk ka dalë jashtë për mediat. Padyshim që në tryezë është ripërsëritur çështja e respektimit të të drejtave të minoritetit grek në Shqipëri.

Vetë Ministri i Jashtëm Nikos Dhendias ka theksuar para komisionit parlamentar për Mbrojtjen dhe Sigurinë, se në lidhje me Shqipërinë, respektimi i të drejtave të Minoritetit Kombëtar Grek është thelbësor për Greqinë. Jo vetëm në kontekstin e marrëdhënieve bilaterale, por dhe në atë të plotësimit të kushteve që rrjedhin nga e drejta europiane dhe që Shqipëria duhet të plotësojë për t’u bërë anëtare e familjes europiane. Dhe në këtë aspekt është përmendur edhe respektimi i pronës së minoritarëve si dhe e drejta e vetëpërcaktimit.

Por ka edhe dy aspekte për të cilat thuhet se kanë diskutuar gjatë Rama dhe Mitsotaqis që kanë interesa të përbashkëta për të rihapur paketën e problemeve të pazgjidhura midis dy vendeve. Dhe kjo shpjegohet me ndryshimin e përbërjes dhe funksionit të komisionit të veçantë për administrimin dhe ujërave ndërkufitare. Ky komision është përgjegjës për administrimin e këtyre ujërave ndërkufitare, menaxhimin e marrëdhënieve me shtetet kufitare për to sipas ligjit shqiptar, marrëveshjeve ndërkombëtare, konventave dhe protokolleve të nënshkruara nga Republika e Shqipërisë.

Sipas të njëjtave burime shihet me interes nga pala greke se Komisioni do të kryesohet nga zv/ Ministri i Punëve të Jashtme dhe Europiane dhe do të përfshijë zv/ministrat e Brendshëm, të Turizmit dhe Mjedisit, të Infrastrukturës dhe Energjisë, të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural.

Dhe ky ndyshim që vjen disa orë pas takimit të dy liderëve konsiderohet si një hap në zgjidhjen edhe të çështjeve të tjera, sidomos të ligjit të Luftës. Athina gjithashtu i ka parë gjithnjë të lidhura problemet në Maqedoninë e Veriut me faktorin shqiptar atje dhe e di shumë mirë se ka ura lidhëse midis partive shqiptare në Shkup dhe Tiranës zyrtare. Ndaj vlerëson rolin dhe ndihmën e Tiranës në mbarëvajtjen e gjendjes në shtetin fqinj.

Vlerësohet se pala greke ka kërkuar edhe sqarime për çështjen Katsifa,por askush nuk mund të konfirmojë saktësisht së çfarë kanë thënë Rama e Mitsotaqis edhe pas zhvillimeve të fundit. I rëndësishëm gjithsesi është fakti se Athina e Tirana po mbajnë të hapura dyert e komunikimit, me një tendencë pozitive dhe kjo u duk edhe në samitin e lartë të BE, kur nga pala greke pati mbështetje për hapjen e negociatave me BE-në.

Qeveria Mitsotaqis e ka përsëritur shpeshherë se kërkon të luajë rolin e liderit në Ballkan dhe të garantuesit të paqes e stabilitetit në rajon, ndaj kërkon të mbyllë frontet e hapura me fqinjët perëndimorë që gjithsesi kanë predispozita më të mëdha për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Problemi më i madh i saj është fqinji lindor, Turqia, që është edhe aktori kryesor në zhvillimet e fundit në Siri.(SI)

VIDEO bonus:
Loading...