Ballina Kultura Panairi Vjeshtor i Librit me ofertën e 50 botuesve

Panairi Vjeshtor i Librit me ofertën e 50 botuesve

Vitin e kaluar kryeqytetit i ishte shtuar edhe një panair. Kolegji AAB me Panairin Vjeshtor të Librit mëtoi që këtë ngjarje ta bëjë një nga panairet më të frekuentuara të librit me vizitorë të rinj. Diçka të tillë po synon edhe sivjet, por me pjesëmarrje të shtëpive botuese edhe përtej kufijve të Ballkanit.

Panairi do të hapet sot (e mërkurë) dhe do të zgjasë deri më 12 tetor. Edhe sivjet janë rreth 50 botues që do të shpalosin ofertën e tyre. Në mesin e tyre edhe Botimet KOHA.

Urim Sallauka, drejtor i bibliotekës së Kolegjit AAB, ka thënë se këtë vit në Panair do të marrin pjesë edhe shtëpi botuese nga Gjermania, Franca dhe SHBA-ja.

“Janë rreth 50 shtëpi botuese në këtë edicion nga fusha të ndryshme. Pra, do të kemi shtëpi botuese të cilat botojnë zhanre të ndryshme”, ka thënë ai. Sallauka, po ashtu, ka thënë se gjatë këtij edicioni do të mbahen edhe 12 promovime librash.

“Kolegji AAB deri më tani ka të botuar rreth 100 tituj dhe për këtë panair do të promovojë 4 tituj të rinj. Gjithashtu, do të kemi promovime të librave edhe nga shtëpitë e tjera botuese, si ‘Fan Noli’ nga Tirana, Akademia e Shkencave e Republikës së Shqipërisë, ‘Armagedoni’ nga Prishtina, ‘Akropoli i Ri’ nga Tirana, ‘UET Press’ po ashtu nga Tirana”, ka thënë ai. Disa nga librat, siç ka thënë Sallauka, janë të fushës akademike, të cilët mbështesin planprogramet studimore në Kolegjin AAB, por, gjithashtu, sipas tij, do të ketë edhe promovime të romaneve të ndryshme në gjuhën shqipe dhe dy romane të përkthyera në shqip.

“Shqipëria në vitin 1921” i Justin Godartit, “Hyj ndër yj” nga Anila Varfi, “Kthimi i profetit” i Adil Ollurit, “Korça sipas një kosovari” e “Andrra në beze” nga Agron Shala, janë disa nga titujt që do të përurohen.

Sallauka ka thënë se janë kujdesur që edhe botuesit të bëjnë zbritje për këtë panair.

Duke lavdëruar institucionin ku punon, ka thënë se organizimi i këtij edicioni ka qenë punë e lehtë.

“Meqë Kolegji AAB tanimë ka dëshmuar që është një institucion i madh dhe me kapacitete të mëdha, organizimi i këtij panairi ka qenë mjaft i lehtë. Ne iu kemi ofruar të gjithë botuesve hapësira për ekspozimin e botimeve të tyre pa pagesë, e cila është një ndihmesë për botuesit”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, ai ka thënë se në pjesën organizative kanë qenë të përfshirë me dhjetëra njerëz nga stafi i Kolegjit AAB dhe gjatë Panairit do të angazhohen edhe mbi 20 studentë.

“Në çdo organizim mund të ketë vështirësi, por ne edhe kësaj radhe ia kemi dalë me shumë sukses. Kemi krijuar edhe një obelisk me libra që ky Panair të identifikohet me këtë festë. Pra, nuk është vetëm panair libri, por është edhe një festë libri”, ka thënë ai.

Vitin e kaluar, siç ka thënë Sallauka, Panairi ka pasur nga 30 deri në 35 mijë vizitorë. Këtë vit, sipas tij, pritjet janë më të mëdha, nga 50 deri në 60 mijë. Në këtë rritje, ai ka thënë se do të ndikojë fakti se disa shkolla fillore dhe të mesme e kanë konfirmuar vizitën e tyre në mënyrë të organizuar. E rritje organizatorët presin edhe në shitje të librave.

“Vitin e kaluar ka qenë edicioni i parë, prandaj nuk kemi pritur shumë shitje, edhe pse ishin tejkaluar dyfish pritjet e shtëpive botuese. Këtë vit, duke parë rezultatet e vitit të kaluar, sigurisht që presim më shumë shitje”, ka thënë ai.

Ka treguar se janë kujdesur që edhe botuesit të bëjnë zbritje për këtë panair. Minimumi i zbritjes së lejuar për këtë panair është 20 për qind.

Me ofertë të veçantë në Panairin Vjeshtor të Librit prezantohet edhe Botimet KOHA. Deri në 70 për qind zbritje, është vetëm një prej ofertave. Menaxheri i shitjes në Grupin KOHA ka thënë se në Panairin Vjeshtor të Librit do të prezantohen me të gjitha botimet. E ata janë mbi 130 tituj.

“Tituj të rinj nuk do të ketë, por Grupi KOHA do të marrë pjesë me të gjitha botimet dhe është i kënaqur për këtë organizim që i kushtohet librit. Po ashtu, edhe për hapësirën e ndarë për ne”, ka thënë ai.

Ngjarja tradicionale e librit në kryeqytet, Panairi i Librit, sivjet në qershor, shënoi edicionin e 21-të. Aty Botimet KOHA solli ekskluzivisht 9 tituj të rinj e 16 nga panairi në panair. Në mesin e tyre, “Fshehtësia e zbulimit të Hanës”, romani i tretë i Veton Surroit, që ishte libri më i kërkuar i Panairit. Do të jetë edhe në Panairin Vjeshtor, në ofertën që përfshin edhe “Tetëdhjetë vjet rrëfime” të autores Ajten Pllana, “Institucioni i fisit te shqiptarët, në dritën e onomastikës” me autor Skënder Gashin, “Tregoji botës” të Eliott Beharit e romanin fitues të shpërblimit “Rexhai Surroi” për vitin 2018, “Gosti në natën e parë të vjeshtës” të autorit Gëzim Aliu. Botimet KOHA në mesin e titujve ka edhe veprën “Refugjatë nën qiellin e ri” të Ganimete Pashoja – Myftiut, “Mbrojtësi” të Valbona Mehmetit, “Kosova: Një histori dokumentare” redaktuar nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani, ribotimin e romanit “Teuta” të Mirash Martinoviqit e “Të shtunën nga zgafellja”, që sjell 158 kolumne të Flaka Surroit. Surroi vjen edhe si redaktore e librit “Politika serbomadhe nga Garashanini deri te Akademia”. Shtandi i Botimeve KOHA sjell, po ashtu, veprat “Hotel Grandi” me autore Nerimane Kamberin, librin e ri të Ibrahim Kadriut, “Varri i shitur në Damask”, “Gërsheti i prerë” të Majlinda Bregasit, “Monument VI” të Artan Krasniqit e të tjera.

VIDEO bonus:
Loading...