Ballina Lajme Kosovë Nënkryetari i VV-së kërkon nga anëtarët e partisë të mos përçmojnë opozitarët

Nënkryetari i VV-së kërkon nga anëtarët e partisë të mos përçmojnë opozitarët

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Besnik Bislimi, ka thënë se qytetarët e vendit, por edhe miqtë nga rajoni e më larg, presin nga qeveria e re të ketë qasje ndryshe nga qeveritë e kaluara.

Ai kërkon nga të gjithë anëtarët e VV-së, qofshin ata deputetë apo asamblistë, që gjuhën “përçmuese e përçarëse që ka qenë e zakonshme në komunikimin e ish-pozitës me ne”, ta lënë përfundimisht në të kaluarën.

Ky reagim i tij me sa duket ka ardhur pas statusit të djeshëm të ish-deputetit të VV-së, kandidat edhe për një mandat, Salih Zyba, ndaj kryetarit të Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili e kërcënoi këtë të fundit me rrëzim nga ky post dhe tha se “vendin ku do të jetojë ka të drejtë ta zgjedhë si Xhabir Zharku”.

“… me të drejtë presin që qeveria e re të prezantojë një qasje komplet ndryshe si ndaj buxhetit të shtetit ashtu edhe ndaj aseteve e ndërmarrjeve publike; si ndaj nxënësve ashtu edhe pensionistëve; si ndaj punëtorëve ashtu edhe ndërmarrësve; si ndaj gruas ashtu edhe të rinjve; si ndaj qytetarëve këtu (pa dallim etnie) ashtu edhe mërgatës. Një qasje bashkëpunuese ndaj opozitës. E parasëgjithash një fjalor në komunikim që reflekton respekt ndaj secilit e për secilin”, tha Bislimi, ndërsa shtoi se “kanë të drejtë në këto pritje”.

“Është tejet e rëndësishme që secili prej nesh, pa marrë parasysh deputet apo asamblist, aktivist apo mbështetës, të dëshmojmë secilën ditë të lume që këto pritje do të përmbushen. Që gjuha përçmuese e përçarëse që ka qenë e zakonshme në komunikimin e ish-pozitës me ne, përfundimisht i takon së kaluarës. Që secili qytetar i vendit të ketë arsye të ndihet rehat nën qeverisjen tonë. Vetëm kështu tregojmë se e meritojmë besimin që na është dhënë më 6 tetor”, u shpreh Bislimi.

Bonus video:
Loading...