Ballina Aktualitet “Llaskarca”, dëshmitarët flasin për shkaqet e aksidentit

“Llaskarca”, dëshmitarët flasin për shkaqet e aksidentit

Po tregon korsetin që mbartë tash e tetë muaj, pasi mbeti me 12 brinjë të thyera nga aksidenti tragjik i Llaskarcës. Lulzim Dalipi në cilësinë e dëshmitarit të thirrur nga prokuroria, sot dha dëshminë e tij në procesin gjyqësor ku akuzohen gjashtë pjesëtarë të kompanisë “Durmo Tours”. Para gjykatëses Dijana Gruevska- Ilievska, ai tha se shoferi në ditën aksidentit ka folur disa herë në celularë, por në momentin e humbjes së kontrollit mbi autobusin, Dalipi që ishte i ulur në rend të parë, dëshmoi se nuk ka pasur shenja frenimi. Ai tha se dëmshpërblim do të kërkoj nga Gjykata civile, por nuk do të përfshihet në ndjekjen penale.

Nuk do të kisha dashur të flas nga që nuk e di fajtorin kryesor, këtë do ta vërtetoj ekspertiza ligjore, gjykata me siguri se do të sjell ndonjë vendim që do ta zbulojmë edhe fajtorin. Por, siç e thash më lartë qëndrimi i shoferit ishte ai që nuk pash ndonjë reagim që do të përpiqej për të evituar atë aksident – u shpreh Lulzim Dalipi, dëshmitar.

Në sallë deri sa përshkruhej ngjarja tragjike ku humbën jetën 16 persona dhe 37 të tjerë u lënduan, kishte edhe lot nga familjarët e të dëmtuarve. Ata të frikësuar nga kërcënimet nuk donin të flisnin para kamerave, por shprehen të pakënaqur me mbarëvajtjen e procesit gjyqësorë. Dy gra që kanë humbur bashkëshortët e tyre në këtë aksident, i thanë Alsatit se insistimet e avokatëve janë që gjithë fajin t’ia lënë shoferit, duke anashkaluar problemet teknike të autobusit. Për, defekte foli edhe dëshmitari i dytë Betim Ameti, njëri nga të mbijetuarit e Llaskarcës.

Autobusët e Durmos shpesh herë kishin defekte teknike, na linin në rrugë. Madje i njëjti shofer, 5 muaj para aksidentit ka shkaktuar një ndeshje tjetër në trafik duke goditur një makinë nga prapa – u shpreh Betim Ameti, dëshmitarë.

Dëshmitari tjetër i cili thotë se ka udhëtuar për 12 vjet me autobusët e Durmo Tours në relacionin Shkup-Gostivar tha se shoferi ka ngarë automjetin mbi shpejtësinë e lejuar. Prokurori i çështjes, Darko Jakimovski hasi në kundërshtime të shumta nga avokatët e të akuzuarve në pyetjet për dëshmitarin Stefanovski nëse gjatë kësaj periudhe autobusët e Durmos janë gjobitur ndonjëherë nga policia për shpejtësi apo parregullsitë teknike në trafik.

Unë isha i ulur nga fundi i autobusit, por nga zhurma e madhe kuptohej se shpejtësia ishte mbi të lejuarën. Autobusi ishte në korsinë e mesme dhe nuk kishte automjete të tjera. Pastaj ndjeva një lloj inercioni nga e majta dhe papritmas filluan britmat e udhëtarëve. Kjo gjendje paniku zgjati 5 sekonda derisa autobusi shkëputi tri mbrojtjet anësore dhe përfunduam në humnerë ku nga rrokullisjet unë humba vetëdijen – theksoi Dushan Stefanovski, dëshmitar.

Autobusi i orës 16 i linjës Shkup-Gostivar më datë 13 shkurt pësoi aksident, për të cilin prokuroria po ndjek dy pista hetimi. Të akuzuar janë pronari i kompanisë “Durmo Turs”, Durmish Beluli, përgjegjësi i kompanisë, Remzi Miftari dhe vozitësi i autobusit, Manoil Trifunovski. Këta ngarkohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”, ndërsa tre të punësuarit e stacionit të kontrollit teknike, Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski akuzohen për pjesëmarrje në kryerjen e veprës penale.

@tn.lajmelokale
@tetovanews