Ballina Aktualitet Liderët e BE-së pa pajtim lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Liderët e BE-së pa pajtim lidhur me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut

Pas një debati të gjatë, liderët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë dështuar që të arrin pajtim për vendimin lidhur me nisjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Për këtë temë, në samitin e BE-së u diskutua të enjten deri në orët e vona.

Edhe pse ka dominuar qëndrimi se Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut duhet dhënë vendim pozitiv, pasi kanë përmbushur kriteret e kërkuara, liderët e BE-së nuk kanë arritur konsensus. Disa liderë kanë shprehur keqardhje dhe zhgënjim për këtë dështim, duke shfaqur frikën se kjo gjë mund të ndikojë negativisht në besueshmërinë e BE-së në rajon dhe mund ta destabilizojë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babish ka shprehur keqardhje për mosarritjen e konsensusit për Tiranën dhe Shkupin Zyrtar.

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka thënë se hezitimi për të mos vendosur për nisjen e negociatave me këto dy shtete si dhe kërkesa për ndryshimin “e rregullave të lojës” nuk është diçka e duhur.

Por, burimet diplomatike kanë konfirmuar se ka qenë presidenti i Francës, Emmanuel Macron, i cili në fund ka kundërshtuar çfarëdo vendimi.

Kryeministri i Holandës, Mark Rutte, pas takimit ka thënë se vendi i tij ka qenë i gatshëm që të pranojë të jepet një vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut, por ka kundërshtuar që një gjë e tillë të bëhet edhe për Shqipërinë.

As përpjekjet për të ndarë këto dy shtete dhe për të pasur së paku vendim pozitiv për Maqedoninë e Veriut kanë dhënë fryt.

Pas diskutimeve të gjata lidhur me zgjerimin e BE-së, ishte dhënë një propozim që liderët të paktën të dalin me deklarata pozitive, pa miratuar vendimin, por duke dhënë sinjale se një gjë e tillë mund të ndodhë më vonë. Edhe kjo gjë është kundërshtuar nga Franca dhe në këtë mënyrë debati ka rezultuar pa asnjë konkluzion rreth zgjerimit.

Burimet në BE kanë thënë se deri në fund të vitit apo në fillim të vitit të ardhshëm, Franca do të duhej që të dalë me një propozim më të qartë se si mendon që procesi të reformohet, në mënyrë që të mbështesin një vendim pozitiv për këto dy shtete.

Ka pasur informacione se liderët e BE-së do të mund të tentojnë që edhe një herë gjatë të premtes të arrijnë së paku pajtim për një deklaratë të përbashkët. Por, duke pasur parasysh temat tjera që ata sot kanë në agjendë, edhe lëshimi i një deklarate të përbashkët duket se ka pak gjasa të ndodhë.

Zgjerimin dhe vendimin për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, si temë në samit e kishte vendosur presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk. Mësohet se ai fuqishëm ishte angazhuar që lidhur me këtë të ketë vendim pozitiv, por kundërshtimi i Francës ishte i pakapërcyeshëm, thanë disa diplomatë që folën me gazetarët pas takimit në Bruksel të liderëve të BE-së.

@tn.lajmelokale
@tetovanews