Ballina Lajme Kosovë Kosovë: Rezultatet preliminare të zgjedhjeve – VV e para

Kosovë: Rezultatet preliminare të zgjedhjeve – VV e para

Në bazë të rezultateve preliminare të KQZ-së lëvizja Vetëvendosja doli partia e parë në këto zgjedhje. VV me një diferencë të vogël pasohet nga LDK.

Lëvizja Vetëvendosja e udhëhequr nga Albin Kurti është fituese e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të së dielës (06.10). Në bazë të rezultateve paraprake të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të 95% të votave të numëruara të rreth 800 mijë votuesve, lëvizja Vetëvendosja, mori rreth 26%. Ajo u pasua nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, me 25%. Partia e tretë u rendit Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21%, ndërsa partia e katërt u rendit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e udhëhequr nga Ramush Haradinaj me rreth 12%, që për dy vjet drejtoi qeverinë. Lideri i PDK-së Kadri Veseli, pak para mesnatës në një konferencë për medie e pranoi humbjen dhe deklaroi, se PDK përfundimisht do të shkojë në opozitë. PDK tash e 12 vjet ishte pjesë e qeverive të Kosovës, ku dy mandate mbante edhe postin e kryeministrit.

Lideri i lëvizjes Vetëvendosja Albin Kurti, në mesnatë e shpalli fitoren para mijëra qytetarëve që ishin mbledhur në sheshin Skënderbe, ndërsa tha se qysh nesër do të fillojë konsultimet për krijimin e qeverisë së re e ku i bëri ftesë publike LDK-së për koalicion qeveritar. Albin Kurti tha se qeveria e tij do të vazhdojë miqësinë me SHBA-në dhe vendet e Evropës perëndimore, këtu theksoi eksplicit Gjermaninë.

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë u mbajtën pa asnjë incident serioz që do të ndikonte në procesin e zgjedhjeve. Dalja në këto zgjedhje ishte pak më e lartë sesa në zgjedhjet e kaluara, 43%, apo rreth 800 mijë votues nga 1.9 milion sa kishin të drejtë vote, njoftuan vëzhguesit e organizatave vendase të zgjedhjeve.

Gjatë ditës kryesuesja e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, tha se “diku rreth 98%, procesi ka shkuar mirë dhe pa probleme. 58 ekipe i kishim në teren”.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve KQZ, në këto zgjedhje të shtatat në radhë për Kuvendin e Kosovës, konkuruan 25 subjekte politike (20 parti politike; 4 koalicione; dhe 1 kandidat të pavarur) për pjesëmarrje në zgjedhje me gjithsej 1 067 kandidatë për deputetë. Në këto zgjedhje numri i qytetarëve me të drejtë vote ishte 1 milionë e 937 mijë e 868 votues, ndërkaq numri i qendrave të votimit ishte 895 me gjithsej 2547 vendvotime.

Qendrat e votimit ishin të hapura edhe në veri të Kosovës, ku procesi në këtë pjesë u ndihmua nga misioni i OSBE-së. Edhe në veri të Kosovës nuk kishte incidente serioze. Serbët kësaj radhe nuk u lejuan që të votojnë me dokumente të Serbisë, por vetëm ata që kishin dokumente të Republikës së Kosovës. Kuvendi i Kosovës ka 120 mandate, prej të cilëve, 20 janë të garantuara për komunitetet joshumicë, 10 prej të cilave vetëm për komunitetin serb. Tash për tash është vështirë të dihet për koalicionet e mundshme, por dy partitë që fituan më së shumti vota, Vetëvendosja dhe LDK, qysh para zgjedhjeve, por edhe tash paralajmërojnë për një koalicion për krijimin e qeverisë së re. Albin Kurti tha, se menjëherë do ta ftojë LDK-në, për ta krijuar koalicionin qeveritar. Gjithsesi kjo mbetet të shihet. Nëse lista Srpska që e ka mbështetjen e Beogradit i fiton dhjetë vendet e rezervuara për serbët, atëherë, në bazë të Kushtetutës së Kosovës, kjo listë duhet të jetë me të paktën një ministri pjesë e qeverisë.

Zgjedhjet në Kosovë u monitoruan nga mijëra vëzhgues. 100 vëzhgues kanë ardhur nga Bashkimi Evropian me ftesë të Presidentit të Kosovës. Shefja e misionit vëzhgues të BE-së Viola von Cramon-Taubadel, anëtare e Parlamentit Evropian nga Gjermania, ka thënë se ky është misioni i pestë i dërguar nga BE-ja për vëzhgimin e zgjedhjeve në Kosovë që nga viti 2013.

Organet e rendit angazhuan një numër të mjaftueshëm të zyrtarëve policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës, si dhe mori masa shtesë duke caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në dhe institucionet tjera të angazhuara në këtë proces”, thanë zyrtarë të policisë së Kosovës.

Dialogu për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, taksa 100% e vendosur për produktet serbe, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ulja e papunësisë dhe perspektiva evropiane e Kosovës, ishin temat që mbizotëruan fushatën parazgjedhore që nga dorëheqja e Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit, që i parapriu këtyre zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Autoritetet ndërkombëtare vazhdimisht kanë bërë thirrje që pas zgjedhjeve të formohet shpejt një qeveri që sfidën e parë do ta ketë rifillimin e bisedimeve me Serbinë, dialog ky që është ndërprerë që nga nëntori i vitit të kaluar./dw

VIDEO bonus:
Loading...